U promovua publikimi “Mendo dhe fol globalisht”

 

 
Diversity Media në partneritet me televizionin Alsat M organizoi eventin përmbyllës të projektit  Diskutime Glokale, të mbështetur nga programi Civica Mobilitas.
Pas 12 diskutimeve publike në 6 tema në 12 qytete në Maqedoni, në 6 nëntor të vitit 2016 promovuam analizën e publikuar në formë broshure për mendimet e qytetarëve në mjedise të ndryshme për tema të njëjta, që paraqet një dritare të vogël përmes së cilës shihet se sa kohezion ka në shoqërinë tonë.
„Broshura na jep një mundësi të shohim qëndrime nga adresimi i nevojave për një njohje të ndërsjellë më të mirë, e deri tek krijimi i nismave të përbashkëta, që është një përfitim për të gjithë. I gjithë projekti krijoi një dinamikë lokale për çështjet me interes për të gjithë në vend, në kombinim me diskutimet, përcjelljen e tyre deri tek shikuesit dhe publikimin e analizës,  me qëllim që në një mënyrë modeste  të ndihmojmë në nxitjen e hapave të tjerë konkrete për një shoqëri sensitive dhe me ndikim”, theksoi në promovim kryetari i Diversity Media, Nazim Rashidi.
Në event në kafe-librarinë në Çarshinë e vjetër folën edhe disa nga panelistët e pranishëm në një pjesë të diskutimeve të organizuara nëpër Maqedoni.
Profesori universitar Nano Ruzhin, tha: “kohezioni në Maqedoni ballafaqohet me sfidën ku qytetarët kërkojnë përgjigje në pyetjen se kush jemi ne në kushte kur nuk funksionojnë institucionet demokratike, mediet nuk janë të lira, kur Kuvendi është një makinë votimi”.
Për analistin Albert Musliu “problem themelor i Maqedonisë kohezive është defekti i institucioneve që është prezent që nga shpallja e pavarësisë. Shembull për këtë është policia e cila në vitet ’90 brutalisht i shkelte të drejtat vetëm të bashkësisë etnike shqiptare, gjë për të cilën askush tjetër nuk reagonte. Sot ajo përdor brutalitetin e saj ndaj të gjithë qytetarëve njësoj.”.
Petrus Teuniz, lideri ndërkombëtar i ekipit të Civica Mobilitas, përshëndeti projektin e Diversity Media dhe shprehu mbështetjen për këtë lloj tentativash të sektorit civil për të hapur    tema për të cilat kanë interes të gjithë qytetarët dhe që njëkohësisht mund të kontribuojnë për një kohezion më të madh shoqëror.
 
Publikimin “Mendo dhe fol glokalisht” e përgatiti politologu Bashkim Bakiu. Në të janë vendosur analiza të shkurtra nga 12 diskutimet që u mbajtën nëpër Maqedoni gjatë vitit të kaluar. Sistemet zgjedhore në interes të qytetarëve, apo të partive politike ishte tema e diskutimit në Strumicë dhe në Strugë. Në Tetovë dhe në Manastir u diskutua për mjedisin jetësor të shëndetshëm si e drejtë themelore e njeriut. Ekspertët lokalë, aktivistët qytetarë dhe përfaqësuesit e pushtetit në  Shtip dhe Gostivar shkëmbyen përvoja në temë “Komunitetet më të vogla të humbura në botën paralele të maqedonasve dhe shqiptarëve”. Për perspektivat e të rinjve një mjediset e vogla u diskutua në Koçan dhe në Kërçovë. Dojrani dhe Ohri ishin nikoqirë të diskutimeve me titull të njëjtë “Artistët, nxitës të aktivizmit qytetar”.

 

 

AddThis Social Bookmark Button