Të rinjtë si bombë e pashpërthyer

DHUNA NE MES TE RINJVE by DiversityMedia

Dhuna mes të rinjve është bërë e shpeshtë. Këtë e konstaton edhe UNICEF, agjencia e OKB-së. Në Maqedoni ajo disa herë merr edhe nuanca ndër etnike. Por pse shfaqet?

Nazim Rashidi ishte në Strugë, qytet në të cilin disa herë ka pasur incidente mes të rinjve.

Adrian Gaxhën dhe grupin muzikor Next Time mund ti gjesh në çdo medie. Ata janë pjesë e fushatës të UNICEF-it, për Shkolla pa dhunë.

Në materialet e kësaj fushate thuhet se “dhuna, fizike dhe psikike, ndërmjet fëmijëve dhe ndaj fëmijëve për çdo ditë haset në shkolla”, fenomen që pranohet edhe nga institucionet e vendit, të cilat gjithashtu janë pjesë e fushatës duke përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit.

Një nga qytetet në të cilat dhuna mes të rinjve ishte në qendër të vëmendjes ishte qyteti i Strugës.

Janë këta disa gjimnazistë të cilët në kuadër të projektit të Agjencisë Lokale për Zhvillim bënë një shfaqje në të cilën flitet edhe shqip edhe maqedonisht njëkohësisht.

Shfaqja siç thonë organizatorët kishte për qëllim të ndikojë në ç’tensionimin e përplasjeve që ndodhin mes të rinjve siç raportohet mbi baza etnike.

Ngjarja ka në qendër dy të rinj që bien në dashuri dhe që janë nga etni të ndryshme.

I pyeta aktorët e shfaqjes se sa besojnë në fakt në mesazhet që tentojnë të përcjellin:

“Jo të them të drejtën jo. Nuk do të kisha bërë një gjë të tillë, nuk e di pse, s’jap dot përgjigje”

“Në këtë shoqëri siç është sot, sigurisht që jo. Por shpresoj në ditë më të mira, dhe mbase një ditë mund të jetë realitet, nëse piqen edhe mendjet tona”

“Ndoshta jo dashuria, por miqësia mund të arrihet mes shqiptarëve dhe maqedonaseve”

Thonë disa nga aktorët e shfaqjes “Dhe diçkaje filloi nga asgjëja”.

Përgjigjet e tyre janë krejtësisht të kundërta me mesazhet që ata japin në shfaqje.

Por sinqeriteti i tyre është për tu admiruar, sepse për problemet duhet folur mbi bazën e realitetit.

Mentaliteti apo diçka tjetër?

Xhabir Deralla i shoqatës Civil, që shpesh trajton marrëdhëniet ndër etnike thotë se nuk mjafton vetëm puna e sektorit civil në këtë fushë:

“Problemi në sektorin e marrëdhënieve ndër etnike, nëse mund ta them kështu, varet nga instanca më të larta, para se gjithash institucionet, qofshin ato qendrore ose lokale. Partitë politika janë ato që luajnë me nacionalizmin”, thotë Deralla.  

Në Strugë ka pasur disa aktivitete nga shoqata të ndryshme për të afrimin e komuniteteve edhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe partive politike në deklarata zyrtare thonë se punojnë që të tejkalojnë tensionet.

Por pse ndodhin ato, i pyeta aktorët që janë dhe gjimnazistë:

“Shkaqet janë të shumta por ka edhe nxitje politike”.

“Mjafton të nxjerrësh një flamur, shqiptar ose maqedonas dhe menjëherë ka reagime. Janë pak gjëra të pamenduara, por ky është mentaliteti”

“Unë mendoj se shkaqet për dhunën janë prindërit dhe partitë politike të cilat më së shumti ndikojnë tek ky brez”

Thonë aktorët gjimnazistë në Strugë.

Jo gjithmonë ka etiketë etnike

Por facilitatorja e grupit të aktorëve Kristina Todoroska Petreska thotë se zënkat jo gjithmonë kanë në qendër tensionet ndër etnike:

“Pse ka zënka? Një teori është se të rinjtë nuk dinë ç’të bëjnë dhe zihen mes vete, ose nuk duan të shkojnë në shkolle dhe bëjnë mungesa me regji”, thotë Todoroska Petreska.

Vëzhgues dhe punonjës të sektorit civil theksojnë vazhdimisht rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve mes grupeve etnike sidomos mes të rinjve. Ata vazhdimisht dënojnë politizimin e dhunës, thotë Irina Martinoska e Agjencisë për zhvillim lokal nga Struga:

“Pa dyshim që kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duhet punuar gjithmonë”, thotë Martinoska.

Dhuna tek të rinjtë ndërkohë jo gjithmonë ka kontekst etnik dhe të dhënat thonë se ajo është prezente në bankat e shkollave, pavarësisht nga shkaqet. Pikërisht shmangien e saj ka për qëllim edhe fushata e UNICEF, në kuadër të së cilës prezantohet edhe kënga aq shumë prezente në medie, kënduar nga Adrian Gaxha dhe Next Time. 

AddThis Social Bookmark Button