Ambasadorë të muskujve politik

Ambasadorë të muskujve politik by DiversityMedia

Emërimet politike për postet e ambasadorëve radhisin skandale. Diplomatët profesionistë rrinë në Shkup.

 

 

Maqedonisë i duhet vetëm diplomaci profesionale dhe kontrolle të vazhdueshme për të penguar skandale me të cilat lidhen shpesh ambasadorët të cilët kanë marrë këtë funksione me urdhëresë politike. Ky është përfundimi i vetëm që vjen pas analizave që bëhen pas disa zhvillimeve viteve të fundit. Nga Ministria e Jashtme thonë se tani ka numër rekord ambasadorë profesionistë krahasuar me më parë.

Sipas disa njoftimeve thuajse një e katërta e profesionistëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Maqedoni kryejnë detyra të papërshtatshme ose në nivel më të ulët se sa që kanë kualifikimet. Veç kësaj ambasadorët të kandiduar nga politika po argëtojnë opinionin me skandale dhe jo me arritje.

Ndër ata që është e zhvlerësuar është diplomatja e karrierës Shpresa Jusufi. Nga posti i ushtruesit të detyrës Ambasadore në Hagë, tani ka një nivel më poshtë.

“Kemi shfaqje të politikave pa princip sa i përket përparimit si dhe dërgimit të kuadrove të duhur në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Kemi insinuata se disa të punësuar në Ministrinë e Jashtme janë të margjinalizuar, thotë Jusufi.    

Ajo është Kryetare e Sindikatës të punonjësve në Ministrinë e Jashtme. Për problemet pak ditë më parë ka folur me shefin e diplomacisë Nikolla Popovski i cili drejton këtë dikaster nga 1 gushti. Ka marrë përgjigje të ngjashme me atë të ish Ministrit të Jashtëm Antonio Milloshovski, se do të merren parasysh shqetësimet:

“Në takimet e para me drejtuesit e kaluar merrnim premtime, por ato nuk u realizuan. Përkundrazi, situatat madje u përkeqësuan në fazat e mëvonshme, sqaron Jusfufi.

Qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme është se diplomatët me përvojë kanë funksione të duhura. Për Diversity Media zëdhënësi i Ministrisë Borçe Stamov thotë:

“Është e vërtetë se kemi disa ambasadorë që aktivitetet e tyre i kryejnë në Shkup, pranë Ministrisë së Jashtme, por të gjithë ata kanë detyra serioze. Për shembull Igor Xhundev është seriozisht i angazhuar në problemin rreth emrit në Hagë. Jon Ivanovski është i angazhuar në një temë tjetër me Greqinë. Gjithashtu edhe diplomatët e tjerë kanë angazhime serioze dhe po japin kontribut pranë Ministrisë së Jashtme”, thotë Stamov.

Njerëz në vendin e duhur dhe jo vend për njerëzit e duhur

Ndryshimet e fundit në ligjin për Punë të Jashtme duket se lanë hapësirë të madhe që në diplomaci të hynë kuadro politik, sepse vetëm një e katërta e ambasadorëve duhet të jenë diplomatë karriere.

“Ky numër është mbi 50 për qind e vendeve për ambasadorë në diplomacinë e Maqedonisë. Ky është numri më i madh i ambasadorëve profesionist të angazhuar në historinë më të re të Maqedonisë”, thotë Stamov.

Se kjo përqindje nuk është edhe aq për tu lavdëruar flet shembulli me Norvegjinë, ku vetëm tre për qind e diplomatëve janë të kandiduar nga politika. Në Sllovaki, anëtare e BE-së, dhe me një numër të ngjashëm të përfaqësive diplomatike me ato të Maqedonisë, ka vetëm 10 për qind diplomatë të kandiduar nga politika. ambasadori sllovak në Maqedoni Robert Kirnag thotë se duhet pasur kujdes:

“Propozimet nga politika për diplomatë duhet të jenë ish ministra, bankierë, njerëz të suksesshëm në tregti në shkencë. Dhe gjithmonë duhet kërkuar njerëz për vendin e duhur dhe jo vend për njerëz të duhur. Nuk gjenden ambasadorët në rrugë”, thotë Kirnag.

Që nga pavarësia e Maqedonisë, në diplomaci ka pasur ambasadorë që janë propozuar nga partitë që kanë qenë në pushtet. Sipas profesorit universitar Nazmi Maliqi afërsia me njërën ose tjetrin opsion politik është problemi më i madh i kandidaturave politike.

“Partizimi dhe interesat më të ngushta në politikën e jashtme dëmton interesin e shtetit. Ky është dallimi mes politikës të jashtme dhe të brendshme, loja në politikën e brendshme nuk mund të përcillen në atë të jashtme, sepse dallon veprimi. Si në takime, natyra e punës, strategjia me të cilat krijohet imazhi i shtetit”

Nazmi Maliqi, i cili shpjegon se me anë të kuadrove dërgohen edhe sinjale për politikat dhe marrëdhëniet me vende të caktuara.  

Vitin e kaluar një 28 vjeçar, Vele Tërpevski, për pak nuk do të merrte dot postin e ambasadorit në Tiranë. Opinioni i atjeshëm dhe këtu vlerësoi se Maqedonia provokon duke dërguar diplomat pa përvojë.  

Alkool, rrahje dhe ambasadorë

Faktet flasin ndërkohë se skandalet diplomatike lidhen me ambasadorët që janë kandiduar për këto poste nga politika.

Para dhjetë vjetësh Alajdin Demiri, u tërhoq nga Zvicra sepse i kishte dhënë makinës i dehur. Në Holandë, ambasadorja Dobrinka Taskovska kishte marrë pjesë në një rrahje. Në një incident të ngjashëm ishte përfshirë edhe Filip Petrovski në Nju Jork. Disa zgjidhja ishin skandaloze para se ambasadorët të “notojnë” në ujërat e diplomacisë.

Pas aferës “Sweedmilk” ministri i atëhershëm për bujqësi Aco Spasenovski dha dorëheqje që të shkojë ambasador në Kiev. Komisioni Antikorrupsion në të njëjtën kohë kërkoi ndjekje penale për një rast tjetër, atë të hidrosistemit “Zvetolica”. Por ai ende është ambasador.

Pero Stojanovski u tërhoq nga posti i Ministrit të Arsimit pas dy projekteve që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese. Pas kësaj u bë ambasador në Australi. Atje gjend në faqet e para të gazetave për shkak të aferave të dashurisë.

Skandale diplomatike ndodhin edhe në vende me përvojë të madhe diplomatike. Një diplomat britanik para dy vjetësh u kap në një skandal seksual në Rusi. Tajlanda protestonte kundër një diplomati amerikan të përfshirë në skandal pedofilie në atë vend.

Sukseset dhe dështimet në diplomaci disa vende i vlerësojnë me inspektime të rregullta. Ambasadorët sllovakë çdo vjet i viziton kontrollor nga Ministria e tyre e Jashtme në Bratisllavë. Diplomatët francezë kontrollohen çdo dy vjet. Në Maqedoni një herë në vjet disa ambasadorë kontrollohen, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë. Ai sqaron se sa herë që ministri viziton një vend ku Maqedonia ka përfaqësi diplomatike, kjo do të thotë bëhet edhe kontroll. Por shembujt e dhënë më sipër megjithatë sugjerojnë se sistemi duhet të rishikohet.



“Nga 44 ambasadorë aktualisht, 23 prej tyre janë profesionistë, 21 janë nga kandidaturat politike” 



AddThis Social Bookmark Button