Publiku dhe shtatë pa portofol

Çne disa ministra pa portofol? by DiversityMedia

Nga 22 ministra sa ka qeveria disa prej tyre janë plotësisht të padukshëm për opinionin. Përballë shfaqjes konstante të Zoran Stavrevskit, Vlladimir Peshevskit, Spiro Ristovskit, Nikolla Todorovit dhe Gordana Jankullovskës, për ministrat pa portofol si Hadi Nezir, thuajse nuk dihet asnjë gjë. Ose për Bill Pavlevskin. Për të ka njoftim vetëm për një aktivitet që kur se është pjesë e qeverisë.

Vlladimir Peshevski thuajse çdo ditë del para opinionit, Teuta Arifi dhe Musa Xhaferri shfaqen gjithashtu por kohë pas kohe. Për Nezhdet Mustafën mund të gjenden informacione se çka ka bërë, por për Hadi Nezir, Vele Samak, Bill Pavllevskin mund të gjenden vetëm fotografi dhe biografi në faqen e internetit të qeverisë. Për këtë arsye ose diçka tjetër, opinioni ka krijuar përshtypje se disa kolltuqe qeveritare nuk janë të nevojshme.

Nezhdet Mustafa, ministër pa portofol dhe koordinator kombëtar për Dekadën e integrimit të romëve thotë se pozita e tij është e nevojshme sepse është e lidhur me projekte që kanë të bëjnë me përmasimin e jetës së komunitetit rom në Maqedoni.

“Hapeni faqen time të internetit dhe ndiqni se çfarë bëj çdo ditë. Çdo gjë është transparente. Me buxhetet, me veprimet, hapje solemne të rrugëve, shkollave në vende që për 50 vjet s’ka hyre mekanizimi. Unë kam përplot aktivitete, thotë z. Mustafa.  

Në Kumanovë ka një komunitet të madh rom i përqendruar në lagjen Sredorek. Ramis Osmanoski është i organizatës qytetare “Vrama si”, ai thotë se dekada e romëve as që ka filluar atje:  

“Jo që s’ka infrastrukturë, por s’ka as një lloj projekti që të jetë mbështetur ose financuar nga ministri pa portofol ose qeveria e Republikës së Maqedonisë. Pakënaqësia reflektohet tek komuniteti rom, i cila në një farë mënyre ka humbur besimin tek shteti”, thotë Osmanovski.

Të nevojshëm, por të padukshëm

Ministri pa portofol Hadi Nezir ka mandatin e dytë në të njëjtin post. Ai thotë se modestia e tij është shkaku se pse qytetarët dinë shumë pak për të. Ai thotë se pozicioni i tij është i nevojshëm në Qeveri sepse mes tij zhvillohet komunikimi me Turqinë. Thotë se ai ka merita për investimet turke në Maqedoni si për shembull, ajo më e madhja hyrja e kompanisë TAV në aeroportet në Shkup dhe Ohër.

“Nuk do të thotë se jam ministër pa portofol dhe vetëm rri. Është fatkeq konstatimi i njerëzve se nuk kam bërë gjë, sepse kanë ardhur gjithë këto investime. Nëse nuk tregoja rezultate me qeverinë e kaluar, nuk do të kisha vend tek kjo aktualja”, thotë Nezir.

Ministra pa portofol për tërheqjen e investimeve të huaja janë Bill Pavllevski dhe Vele Samak. edhe për ta gjenden rrallë informacione. I pari ishte në turneun promovues për tërheqjen e investimeve në Singapor dhe Japoni. Në kabinetin  e tij nuk përgjigjet njeri. Donim të pyesim se çfarë ka bërë deri më tani dhe cilat janë aktivitetet e planifikuara.

Kurse Vele Samak në një intervistë të fundit televizive shpjegonte se pse është në hije:

“Shkak është se unë nuk dua të shfaqem shpesh para opinionit nëse realisht nuk ka ndonjë paralajmërim më konkret sa i përket investimeve të huaja”, tha Samak.

Analisti Albert Musliu vlerëson se kjo ka të bëjë me përputhjen e funksioneve, e cila gjë politikisht mund të jetë e justifikueshme por s’ka logjikë ekonomike:

“Për fat të keq nuk merret parasysh harxhimi që bie mbi kurrizin e qytetarëve nëpërmjet buxhetit të shtetit. E rëndësishme për ta është përmbushja e apetiteve të partnerëve më të vegjël të koalicionit. Pavarësisht se sa janë këto funksione të rëndësishme ato ngrihen në rang ministrash, ministra pa portofol ose zëvendës ministra që krijojnë më shumë ngarkesë”, thotë Musliu.

Asgjë e pazakontë

Për Nikolla Naumoskin, magjistër i komunikimeve politike, shfaqja e pakët në opinion e njerëzve përgjegjës për investimet nuk është asgjë e pazakontë.

“Është normale që kanë mungesë të vëmendjes tonë sepse opinioni i tyre nuk është ai i vendit por i huaj. Me siguri janë gjithë kohës në rrugë dhe komunikojnë me opinione të tjera, investitorë, bankierë, kapitalistë të huaj dhe nuk do të shqetësohesha nëse nuk i shoh këtu”, thotë Naumovski.

Megjithatë ai thotë se ajo që është e theksuar këtu është që kryeministri ti përdorë meritat e ministrave vetëm që të dalë para kamerave.

Por sa është e rëndësishme që dikush të jetë prezent në opinion që të krijohet përshtypja se punohet shumë?

“Kemi bërë analiza të cilat na kanë sjellë në përfundimin se këto dy gjëra shpesh janë të ndërlidhura, par mes shfaqjes më të shpeshtë në publik dhe rejtingut të ministrit. Një gjë e tillë duket se ka sukses, të paktën deri më tani, sepse kultura politike e qytetarëve është e ulët siç është edhe kritika ndaj medieve”, thotë Naumovski për Diversiy Media.   

Në përpjekje për të matur prezencën e ministrave pa portofol në Internet gjetëm fakte interesante. Vele Samak ka faqe interneti e cila nuk është përditësuar që nga viti 2009. Bill Pavlevski ka profil në Facebook në të cilin janë të regjistruar vetëm 11 vizitorë. Kurse në Google për Hadi Nezir do të gjeni informacione nëse e shkruan emrin e tij me shkronja cirilike.

Qeveritë e Nikolla Gruevskit mbajnë rekord për numrin e ministrave pa portofol, gjithsej shtatë. Në rajon pas Maqedonisë vjen Serbia me katër poste të tilla.


 

“Në historinë demokratike të Maqedonisë më shumë ministra kishte qeveria e Lupço Georgievskit, gjithsej 27, duke përfshirë edhe postin e tij.” 



AddThis Social Bookmark Button