Recetë serbo-kosovare për mosmarrëveshjen greko-maqedonase?

Në Kosovën fqinje prej më shumë se një jave ka turbulenca të theksuara politike pasi qeveria atje arriti një Marrëveshje me Serbinë. Në forume rajonale Kosova tani nuk do të përdor emrin kushtetues por pranë emrit Kosovë do të ketë një fusnotë, e cila do të japë shpjegime shtesë. Kjo zgjidhje u pranua nga Serbia.

Kompromisi u konsiderua si i dhimbshëm, por a do të mund të ishte ky model si mundësi për zgjidhje të problemit mes Maqedonisë dhe Greqisë?

 

Nazim Rashidi analizon

Ky është himni i Kosovës. Një melodi që ndoshta asnjë nuk di ta këndojë atje. Por që Kosova të bëhej shtet duhej të bënte disa kompromise, madje edhe të natyrës simbolike që të marrë statusin e shtetit si mospërdorimi i melodive që do të krijoni asociacione për ndonjë etni. Shteti i ri ndërkohë nuk është i njohur plotësisht.

Kjo ishte para disa vjetësh. Por Kosova bëri një kompromis tjetër pak ditë më parë. Pranoi që emri i saj kushtetues “Republika e Kosovës”, mos të shfaqet në forume rajonale edhe pse për një gjë të tillë do kishte shumë nevojë.

Sefer Tahiri profesor dhe analist shpjegon reagimin që pati ky vendim në Kosovë:

 “Kosova do të përfaqësohet me emrin “Kosova*”, ku ylli do sqaroje se disa shtete nuk e kanë pranuan pavarësinë e Kosovës. Kjo zgjedhje që është një kompromis i madh mes Kosovës dhe Serbisë, ka hasur në një reagim të madh tek opozita e Kosovës”

Sqaron Sefer Tahiri.

Por edhe pse një vendim delikat dhe që ka ndezur skenën politike në Kosovë, ai u morr. Por a do të ishte ky model një zgjidhje për problemin rreth emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Ambasadori i SHBA-ve në Shkup Paul Wohlers thotë se mund të merrej parasysh:

 “Marrëveshja që u arrit mes Serbisë dhe Kosovës është pozitiv dhe ne në Uashington e duartrokitëm. Mendojmë se dy palët u përballën me çështjet dhe duhej të bënin kompromise, kompromise të dhimbshme për qëllime më të larta. Pra çdo zgjidhje e tillë është një shembull për tu ndjekur nga të tjerët”, tha ambasadori Wohlers.

 

Por a do ta pranonte establishmenti në Maqedoni një zgjidhje të tillë?

Ivan Bllazhevski gazetar që punon në televizionin Alsat dhe që ndjek zhvillimet në Kosovë dhe ka parasysh ndjeshmërinë e situatës atje por dhe qëndrimet që dominojnë në Maqedoni për çështjen e emrit, thotë se vështirë se mund të tërhiqet paralele:

 “Serbia dhe Kosova janë një nivel sa i përket aspiratave për anëtarësim në BE, sa i përket NATO-s në Serbi nuk ka një konsensus të gjerë për anëtarësim. Në raportin Maqeodni – Greqi, Greqia është veç më anëtare në organizata ku Maqedonia do të futet”, thotë Bllazhevski.

Ndërkohë Marko Troshanovski i Institutit për Demokraci thotë se një zgjidhje të tillë vështirë se do ta pranohet nga Greqia.

 “Kjo zgjidhje do ti përshtatej shumë Maqedonisë, por nuk do të ishte e pranueshme për Greqinë, sepse nuk janë pranuan as zgjidhje të tjera më subtile. Ideja ka qenë qëtë kundërshtohet përdorimi i fjalës “Maqedoni” në emrin tonë dhe prandaj fusnota nuk do të ishte e pranueshme si zgjidhje për dallimet për emrin”, thotë Troshanovski.

Por si mund të reagonte Greqia në fakt për një propozim të tillë?

Nikos Frangopolus është gazetar i Agjencisë Greke të Lajmeve ANA:

 “Nuk besoj se ka ambient në Greqi për tu bërë një marrëveshje ku emri do të përdorej me fusnotë. Greqia ka thënë disa herë se zgjidhja duhet të jetë e qartë, që mos të sjell sërish mosmarrëveshje”, thotë Frangopolus.  

Një përvojë Maqedonia me përdorimin e fusnotës  e ka në komunikim e brendshëm të NATO-s. Sa herë që shkruhet emri i saj ka dhe një fusnotë, e cila në fund të fletës sqaron se Turqia ka njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Disa vëzhgues thonë se koj përvojë, por dhe ajo e Kosovës dhe Serbisë, me një “fushatë” të duhur mund të sillte një rezultat për çështjen e emrit që zgjat si problem më shumë se dhjetë vjet mes Shkupit dhe Athinës.

AddThis Social Bookmark Button