S’ka menaxherë për “miliona”

Për duhanin dhe përpunimet e duhanit në tregun botëror ka një kërkesë stabile, ndërsa kombinatet maqedonase të duhanit ose nuk punojnë ose janë në humbje. Përse asnjë qeveri deri më tani nuk pati sukses me biznesin e duhanit?

Vesna Kollovska analizon

Në protestën e 8 Marsit në Kumanovë mes punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara ishin edhe punonjësit e Kombinatit të duhanit, Monopolët, siç i quajnë të tjerët, të cilët zyrtarisht janë të punësuar por nuk kanë paga, sigurim social dhe shëndetësor. Pronari zyrtar është ende në burg, ndërsa gjykata ende nuk e ka anuluar privatizimin. Udhëheqësja e punëtorëve të falimentuar Liljana Gjeorgievska thotë se këta persona nuk janë as në qiell e as në tokë.

„Ata nuk marrin pagat mujore, nuk shkojnë në punë, në ndërkohë që vazhdojnë të evidentohen si të punësuar, domethënë statusi i tyre është i pazgjidhur ose nuk kanë kurrfarë statusi. Në bisedë me një pjesë të madhe të tyre që vijnë në shoqatën tonë, ata e fajësojnë qeverinë dhe gjykatën, sepse duhet të gjendet një person përgjegjës i cili ose do i ç’lajmëronte, ose do u jepte një status”, thotë ajo.

 

Në kohën kur Bajrush Sejdiu mori në dorë kombinatin e duhanit aty ka pasur rreth  400 punonjës. Sejdiu u bë pjesë e kombinatit me blerjen e paktës dominonte të aksioneve prej mbi 51% për të cilat pagoi më shumë se 250.000 euro. Sejdiu përfundoi në burg me akuzat për veprim të paligjshëm.

Në çastin kur gjykata të anulojë privatizimin kombinati do të kthehet në pronë të shtetit. Nëse gjykojmë sipas shembullit me Kombinatin e duhanit në Prilep, shtrohet pyetja se sa do të jetë i suksesshëm shteti në menaxhimin e këtij kombinati. Kombinati i dytë nga tre kombinatet e dikurshme gjigante në pronë të shtetit mori fund me një humbje prej 20 milionë eurosh.

Të shtatët në botë, të fundit në shtëpi

Ministri i dikurshëm i financave, tani profesor në Fakultetin ekonomik, Nikolla Popovski, mendon se kombinati nuk është efikas.

„Qeveria menaxhon keq me të, grumbullohen humbje gjithnjë e më të mëdha. Ndonjëherë para zgjedhjeve ai kthehet në institucion social që prodhuesve të duhanit u premton çmime më të larta seç mund t’i paguajë, kështu që vitin e ardhshëm nuk mund t’ua paguajë detyrimet aspak. Nuk bën përjashtim, si edhe të gjitha ndërmarrjet shtetërore të cilat janë nën presion të vazhdueshëm që një pjesë të të ardhurave t’i derdh nëpër xhepat privat përmes kanaleve të ndryshme të korrupsionit, dhe gjithë kjo bën që Kombinati i Duhanit mos të jetë efikas”, thotë Popovski.

Kështu, Maqedonia që ende konsiderohet si fuqia e shtatë e duhanit në mbarë botën, në tregun e duhanit në vend është pothuajse një autsajder total.

“Pozicionet e shitjes së duhanit në tregun vendas dhe të huaj janë humbur. Në tregun vendas që kap 5.400 ton cigare, pjesëmarrja është 7 – 10 %. Kompania që udhëheq në Maqedoni është ajo shumë nacionalja “Imperial Tabako Kompani – Shoqëria Aksionare Titusnki Kombinat” – Shkup, thotë Luben Popovski ekspert i duhanit nga Prilepi.

Sipas llogaritjeve të tij kombinati i Prilepit nga viti 2000 e deri më tani ka bërë humbje me shifrën fantastike prej 100 milion eurosh. Për humbjet e fundit të publikuar prej 20 milion eurosh ai thotë se është një “shumë mbresëlënëse”. 

Ka nevojë për investitor të fuqishëm

 

Zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski vlerëson drejtuesit e kombinatit të duhanit. Në një përgjigje me shkrim në një pyetje deputeti ai thotë se drejtuesit e tanishëm të kombinatit mbase janë menaxherët më të mirë në 15 vitet e fundit.

“Nëse shikohet realisht ajo që është arritur në periudhën e fundit, me situatën e vështirë në Kombinatin e Duhanit në Prilep, e cila viteve të fundit ka qenë edhe më e keqe, gjërat vërtetë ecin në drejtimin e duhur”, shkroi zëvendëskryeministri Peshevski.    

Kombinati i duhanit në Prilep shitet, kurse qeveria do të përpiqet ta shesë edhe të që ka mbetur nga kombinati i Kumanovës. Një pjesë e drejtuesve të mëparshëm thonë se problem është struktura e pronësisë dhe punëtorët, të cilëve u janë shtuar detyrimet. Tre deri gjashtë muaj do të ketë nevojë që të fillojë prodhimi i cigareve në Kumanovë. Do të duhet një investitor i fuqishëm të cilin detyrimet e stërmbetura nuk do ti përbëjnë problem. Qeveria e Maqedonisë investitorin do të mund ta kërkonte në mesin e kompanive të fuqishme si British American Tabako, e cila bleu kombinatin në Vranje, Philip Morris, e cila hyri në ish industrinë e fuqishme të Nishit, ose Imperija Tabako, kapitali i të cilës është prapa Tobaçina nga Ljubljana, e cila duke blerë Kombinatin në Shkup, mori rreth 90 % të tregut.   

Shteti sipas bashkëbiseduesve tanë nuk u tregua si menaxher i mirë në biznesin e duhanit. Gjendja dhe humbjet me kombinatin në Prilep janë ilustrimi më i mirë. Por a do të jetë qeveria një negociator i mirë me investitorët e mëdhenj? Nga kjo do të varet e ardhmja e disa dhjetëra prodhuesve të vegjël të duhanit. 


 GNK: Si korrupsioni tërheq vendin poshtë

Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e quajtur “Sekreti publik i Maqedonisë: Si korrupsioni tërheq vendin poshtë”, i vitit 2002 shkruan: 

Shumë para mund të fitohen nga eksporti i duhanit në tregjet e Evropës Perëndimore ose asaj Lindore, pa marrë parasysh nëse janë prodhime të licencuara ose të falsifikuara. Sipas një vlerësimi vetëm një maune me cigare të paligjshme vlen thuajse 100.000 dollarë amerikan (ndërkohë dyshohet se zyrtarët e doganave marrin përqindje gjithashtu).

Tregtia me duhan të paligjshëm është një formë e krimit të organizuar. Por për dallim nga krimi i organizuar në Perëndim, rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor shpesh punojnë me institucionet shtetërore dhe jo rreth tyre.   

AddThis Social Bookmark Button