Kthe te Marrëveshja e Ohrit, parko te Epopeja e thikës

Qyteti i Shkupit do i ndryshojë emrat e afër treqind rrugëve. Qëllimi është që emrat e rinj të reflektojnë realitetin multinacional të Maqedonisë. Për emrat e rinj nuk ka votuar partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM-ja, ndërsa komunitetet më të vogla etnike kërkuan përfaqësim më të madh të emrave të komuniteteve të tyre. Ndryshimet u njoftuan në një periudhë kur marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të brishta dhe janë interpretuar si një përpjekje për dominimin e një grupi etnik mbi tjetrin.



Miratimit të listës me 290 propozime me emra të rinj të rrugëve, urave dhe shesheve në Shkup i paraprinte një debat i ashpër dhjetë orësh. Emrat e tanishëm si “Kumrovec”, “ Armata e kuqe”, “Rruga e Bihaqit” do të zëvendësohen me “Angell Smatrakalev”, “Hasan Prishtina” ose “Kiro Gligorov”. Pjesa më e madhe e propozimeve të miratuara, rreth 200, janë të partisë në pushtet VMRO DPMNE-së, rreth 50 të BDI-së, përderisa rreth pesëmbëdhjetë janë të komunitetit turk, boshnjak, serb, malazezë dhe rom. 

Komunitetet e vogla etnike të papërfshira

Komunitetet më të vogla etnike mendojnë se me listën e re kënaqen orekset e të dy komuniteteve më të mëdha – atij maqedonas dhe atij shqiptar. Millorad Orllandiq nga Shoqata e malazezëve në Maqedoni tha se për ta ishte një befasi e pakëndshme heqja nga lista e emrit të “Vasilie Gjuroviq”, një pjesëtar i këtij komuniteti.


“Është ende më e rëndë që për këtë gjë ne u informuam nga gazetat ditore dhe atë nga deklaratat e një eksperti të Institutit të Historisë Kombëtare, sipas të cilit Gjuroviq nuk ka bërë asgjë të veçantë për Maqedoninë që ndonjë nga rrugët të mbante emrin e tij. Kjo deklaratë krijoi një situatë të vështirë tek pjesëtarët e pakicës malazeze në Maqedoni, sepse Gjuroviç është një ndër organizatorët më të shquar të lëvizjes  studentore në Maqedoni nga viti 1936 deri në vitin 1939, hero kombëtar dhe bashkëluftëtar i Orce Nikollovit dhe Dame Gruevit “, tha Orllandiq.

I befasuar është edhe komuniteti boshnjak në Maqedoni. Elvir Sadikoviq i Forumit boshnjak kërkon një pjesëmarrje më të madhe në marrjen e vendimeve.

“Nëse institucionet zyrtare prezantojnë konceptin për bashkëjetesë dhe multikulturalizëm në Maqedoni mendojmë se përveç dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend duhet të dëgjohen dhe komunitetet e tjera të vogla, sugjerimet dhe këshillat e tyre të merren parasysh kur të merren vendime të tilla”, thotë Sadikoviq.

Të dy komunitetet mendojnë se ndryshimet po bëhen pa u konsultuar me opinionin dhe me të gjitha komunitetet etnike. Kështu, sipas tyre, shumica e komuniteteve të vogla etnike janë plotësisht të përjashtuara nga jeta publike, sidomos nga procesi i vendimmarrjes. Por, përveç komuniteteve të vogla etnike, për ndryshimet nuk u kërkua mendim as nga qytetarëve të zakonshëm, banorët e rrugëve të cilat do të riemërtohen. Shumë prej tyre për herë të parë dëgjojnë për personalitetet emrat e të cilëve do të mbajnë rrugët e tyre në të ardhmen.

Ne i pyetëm qytetarët e Shkupit nëse janë për ndryshimin e emrave të rrugëve.

Qytetarët janë të ndarë

“Nuk jam për ndryshimin e emrave, sepse kjo është Maqedonia, Shkupi, nuk mund të ndryshojë asnjë gjë. Siç ka qenë këto njëqind vite, ashtu edhe të mbetet”, thotë një qytetare.

“Unë do kisha dashur të jetoj në rrugën “Hasan Prishtina”, sepse jam shqiptar dhe dua që të jetë ashtu”, thotë një qytetar tjetër i kryeqytetit.

Për disa të tjerë, përzgjedhja e disa emrave është e palogjikshme: „E çfarë ju mungon emrave të tanishëm?

Ndryshimi më pengon dhe nuk mendoj se një rrugë e Shkupit duhet të emërtohet, si për shembull, “Stiv Xhobs”. Për mua Stiv Xhobs nuk ka ndonjë rëndësi në jetën time të përditshme që të jetoja në një rrugë me atë emër”, është reagimi i një qytetari tjetër të Shkupit.

Por, ka edhe të tillë për të cilët riemërtimi i rrugëve nuk paraqet ndonjë problem: „Le të ketë edhe “Dame Gruev” edhe “Ibrahim Rugova”, të plotësohen dëshirat e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, nuk jam kundër askujt”, është ky qëndrimi i një shkupjani.

Një tjetër mendon se “në një vend ku një bashkësi etnike është shumicë, ashtu duhet të emërtohen rrugët, nëse duam të jetojmë së bashku”.

“Të ketë edhe “Goce Dellçev” edhe “Hasan Prishtina”. Nuk duhet të kundërshtojë as rinia, as qeveria, askush. Përse të kundërshtojnë?!”, thotë ai.

Tabela për sqarime

Historiani Vllado Popovski, i cili është anëtar i Komisionit për ndryshimin e emrave deklaroi se në fillimin e secilës rrugë përmes një legjende të shkruar në tabelë do të ketë sqarim për secilin emër. Ai thotë se gjatë përzgjedhjes janë munduar të miratojnë emra që do të pranoheshin gjerësisht nga komuniteti shoqëror.

“Për shembull, komuniteti rom propozoi tre emra – njëri emër për shesh, dy emra për rrugë. Këto janë personalitete të cilët mendoj se do i pranonin të gjithë qytetarët, ose që nuk kanë arsye për të mos i pranuar, përveç nëse vuajnë nga stereotipat.”, mendon Popovski.

Për atë, mbase, presion shumë më të madh ka në mesin e komuniteteve të shumicës, sepse “faktet objektive gjithmonë përjetohen subjektivisht”.

“Opinioni te maqedonasit është i ndarë në baza partiake. Gjithashtu është i ngarkuar edhe me koncepte ideologjike të caktuara”, thotë Popovski.

Kolegu i tij shqiptar Skënder Hiseni ka qëndrimin se komunitetet në Maqedoni dinë pak për njëri tjetrin, përfshirë këtu edhe personalitetet historike. Ai mendon se janë përfshirë të gjitha komunitetet, sepse nga ato është kërkuar të japin propozime.  

“Emrat e rinj duhet t’i përjetojmë si tonat dhe nuk kanë për qëllim të shkaktohet pakënaqësi ose reagim negativ”.

Matematika, logjika...politika

Një pjesë e intelektualëve mendojnë ndryshe për riemërtimin e rrugëve, para së gjithash, për shkak të momentit aktual politik dhe historik në të cilin kjo gjë po realizohet.

Për profesorin Rubin Zemon nga instituti Euroballkan, Maqedonia shikohet vetëm përmes prizmës së bietnicitetit.

“Nën vellon e multikulturalizmit janë injoruar shumë njerëz nga komunitetet e tjera jomaqedonase dhe joshqiptare në Maqedoni e të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për zhvillimin e Maqedonisë.”

Për Stevo Pendarovskin, profesor në Kolegjin Amerikan, riemërtimi i rrugëve është një shembull klasik i menaxhimit të keq.

“Partitë politike para se të dalin para kamerave dhe para se të bëjnë pikë te “simpatizuesit”  duhet të takohen me “të tjerët” dhe pastaj me një propozim të përbashkët për çështje të tilla senzitive të dalin para kamerave. Për ta zgjidhur problemin, nuk duhet të kesh në anën tënde vetëm matematikën. Duhet të kesh edhe politikën dhe logjikën, duhet të kesh një raport ndaj atij tjetrit me të cilin jeton në një qytet.”

Opozita njoftoi se do ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Nuk pati sukses edhe propozimi i LSDM-së për të bërë referendum për emrat. Lista është para Qeverisë së Maqedonisë, e cila sipas ligjit do të duhet ta miratojë. Lista përmban emrat e një të dhjetës të më shumë se 2800 rrugëve në Shkup. Për propozimet e reja në një kohë tjetër, me njerëz të rinj.


Materiali këshillues me më shumë se 80 faqe përmban propozimet e 293 emrave. Për çdo emër ka nga një sqarim të shkurtër në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe se pse është i rëndësishëm për historinë e Maqedonisë. Tre vjet më parë, një komision i kryesuar nga historiani Ivan Kantarxhiev dështoi në shkurtimin e  listës prej 800 emrave, me ç’rast u ndalua procedura për riemërtimin e rrugëve. Lista e miratuar, sipas sqarimit të propozuesve, synon të rehabilitojë ose tu japë rëndësi njerëzve - të cilët janë lënë pas dore padrejtësisht gjatë sistemit të kaluar, e për të cilët dihet pak. Janë përjashtuar të gjitha propozimet nga konflikti i vitit 2001 për shkak të ndjeshmërisë dhe kujtimeve të freskëta nga kjo periudhë.

Propozimet e tërhequra nga propozim lista e parë:”Manastiri Zërze”, “Luani maqedonas”, “Ishulli i Goli Otokut”, dhe “Pirej”, ndërsa është pranuar të shtohet emri “Atanasije Urosheviq”.

Pjesë e rrugëve të tashme të cilat duhet të riemërtohen: Kumrovec, Brigadat Jugomorave, Armata e Kuqe, Agimi socialist, Rruga e Bihaqit, Revolucioni i tetorit, Kozara, Rruga e Shumadisë, Rruga e Titovelesit, Syziu, Donbasi, Merimanga, Domazetovska, Djali Tatuliçe, Salvador Aljende, Ho Shi Min, Palmiro Toljati.


AddThis Social Bookmark Button