Mobilitet në Evropë, mobilizim në Maqedoni

Bashkimi Evropian ka vendosur për qëllim që deri në vitin 2020 20% e studentëve nga Evropa gjatë studimeve të tyre të paktën një herë të qëndrojnë në ndonjë universitet të huaj. Në Maqedoni, ky nivel i mobilizimit është nën pesë për qind. Në një kohë kur shoqëritë po ndërkombëtarizohen plotësisht, ne po hulumtojmë se ku ndodhet Maqedonia në piramidën evropiane të lëvizshmërisë së studentëve.

Analizë e Vesna Kollovska

Në mesin e grupit të të rinjve në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup takuam Bisera Gjeorgjevskën e cila shtatorin e kaluar, përmes shkëmbimit të studentëve, ka qëndruar në Itali. Kohën e kaluar në klinikë ajo e quajti si një "përvojë me vlerë".

"Unë kisha mentorë të cilët më udhëhiqnin dhe më edukonin përgjatë gjithë procesit. Praktikoja punë të cilat këtu nuk do kisha mundësi t’i bëja. Gjithashtu, krijova miqësi, u njoha me kultura të ndryshme sepse atje jeton me studentë të kombeve të ndryshme. Përveç kësaj, mund të shikosh edhe një shtet tjetër, të bësh shëtitje, të përjetosh gjëra të reja dhe të përmirësosh jetën në çdo aspekt. Unë do kisha këshilluar ta bëjë këtë secili që ka rastin të bëjë një shkëmbim", thotë Bisera.

Kolegu i saj Vlladimiri nuk ka pasur rastin të qëndrojë në ndonjë universitet të huaj. Ai ka aplikuar këtë vit dhe shpreson të shkojë në ndonjë klinikë evropiane. Ai thotë se kryesore është që studenti të ketë dëshirë për tu përsosur profesionalisht.

"Gatishmëri për të mësuar dhe për të parë botën, për të marrë ato përvoja dhe për t’i sjellë ato në Maqedoni dhe për t’i zbatuar jo vetëm në punën praktike, por edhe në jetën dhe aktivitetet studentore. Kështu mund të përmirësojmë cilësinë e studimeve në fakultetin tonë. "

Institucioni qëndrimin, studenti udhëtimin

Rreth 80 studentë të mjekësisë përmes Federatës Ndërkombëtare të organizatave të studentëve të mjekësisë gjatë këtij viti mund të shkojnë në 80 vende të botës. Studentët aplikojnë në konkursin të cilin e shpall Unioni i Studentëve, në bashkëpunim me fakultetin. Koordinatori për shkëmbimin e studentëve Benjamin Kamberi sqaron se cilat janë detyrimet e fakultetit i cili e pranon studentin.

"Organizimi përfshin vendosjen dhe të gjithë procesin që kalon studenti kur shkon në një vend të huaj, mbulohen të gjitha shpenzimet – vendosja, qëndrimi në klinikë ku realizohet puna praktike. Secili student merr një certifikatë me të cilën, më vonë, kur të kthehet në Maqedoni, fiton pikë shtesë për Sistemin e transferit të kredive”.

Përmes programit evropian Erasmus fakulteti ka siguruar 35 semestra për studentët. Megjithatë, prodekanja për shkëmbimin ndërkombëtar të studentëve Daniella Milladinova, dëshiron që ky numër të ishte më i madh, prandaj po kërkojnë edhe mënyra të tjera për mobilizimin e studentëve.

"Fakulteti kontakton me institucione që mund ta mundësojnë këtë bashkëpunim, që pjesërisht të mund ta financojnë atë. Një nga këto institucione është Fondacioni Lions nga Austria, i cili financon punën praktike në klinikë të studentëve të mjekësisë në kohëzgjatje prej një muaji. Fondacionit mbulon shpenzimet e qëndrimit, ndërsa studentët duhet të mbulojë shpenzimet e udhëtimit. Këto janë shuma të vogla në krahasim me dobitë nga puna praktike."

Për të realizuar shkëmbimin e studentëve duhen lidhur marrëveshje me universitetet e huaja. Universiteti Shtetëror "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup ka lidhur marrëveshje me 30 universitete në mbarë botën. Për ta përdorur programin Erasmus duhet të regjistrohen në Drejtorinë për arsim në Bruksel. Në vitin 2009 Lista ka përmbajtur vetëm tre universitete nga Maqedonia. Këtë vit janë 13, dhe pak kohë më parë në konkursin final të programit Erasmus  janë paraqitur 11 universitete.

Me 335 euro në universitete në Evropë

U.D. Drejtori i Agjencisë Kombëtare për programet arsimore dhe mobilitet Darko Dimitrov thotë se studentët e Maqedonisë për shkëmbim kanë në dispozicion rreth 600.000 euro.

"Këto janë 300 mobilitete për qëndrime për një periudhë nga tre muaj deri në një vit. Kjo do të thotë që 300 studentë nga Maqedonia mund të ndjekin një semestër apo një vit akademik diku në vendet evropiane dhe do të kthehen me kredi të fituara që do ju pranohen këtu në Maqedoni dhe do të fitonin një diplomë shtesë".

Granti të cilin Agjencia kombëtare e jep për studentin është 355 euro në muaj, ndërsa universiteti i huaj është i detyruar të sigurojë vendosjen dhe studimin në universitet. Kjo është një shumë modeste krahasuar me programin Erasmus Mundus, ku bursa për studim, magjistraturë apo doktoraturë arrin deri në 2000 euro në muaj.

Megjithatë, edhe krahas shumave të këtilla interesi mbetet i ulët, thotë Borço Aleksov nga Ministria e arsimit dhe shkencës që është përgjegjëse për këtë program. Në takimet për informim ka pasur shumë pak studentë dhe profesorë. Mbetet edhe rrjeti CEEPUS për shkëmbimin e studentëve në Evropën Qendrore dhe Juglindore, ku Maqedonia fiton rreth 100  shkëmbime në vit.

Sipas Aleksov problemi është se edhe kur studenti të kthehet me çertifikatën për transferin e kredive, në universitetet tona ende ka profesorë të cilët nuk ua pranojnë dhe që kërkojnë dhënien e sërishme të provimit. Ai mendon se te disa struktura të universiteteve procesi i ndryshimit të vetëdijes për ekzistimin e një realiteti të ri shkon shumë ngadalë, që duhet të mundësohet mësimdhënie në gjuhën angleze edhe në ciklin e parë dhe atë të dytë të studimeve. Kështu, procesin mësimor do të mund ta ndjekin edhe studentë të huaj.

Edhe pse Ballkani ende konsiderohet si një rajon mjaft i mbyllur, internacionalizimi  i universiteteve është bërë një domosdoshmëri.Vlerësohen studentët dhe profesorët që kanë njohuri të gjuhëve të huaja, komunikim dhe përvojë, gjë që sigurohet përmes shkëmbimit. Se sa shumë investon Evropa në mobilizimin e studentëve tregon fakti që edhe përkundër krizës ekonomike, për programin për arsimim, në të cilin bën pjesë edhe Erasmus, për periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018 janë siguruar 19 miliard euro.


Pasqyra rajonale e shkëmbimit studentor evropian

Kroacia këtë vit për shkëmbim ka paguar një milion euro, ne kemi 360 mijë

Nga vendet në rajon Universiteti Shtetëror i Beogradit zë vendin e parë në shkëmbimin e studentëve. Pastaj vijnë universitetet shtetërore të Zagrebit, Novi Sadit dhe Sarajevës. Këtë vit Universiteti Shtetëror i Zagrebit, vetëm në kuadrin e programit Erasmus do të dërgojë 600 studentë për të studiuar jashtë vendit.

Agjencia Kombëtare për arsim dhe mobilitet e Kroacisë këtë vit për pjesëmarrje në program ka paguar më shumë se 1 milion euro. Vitin e ardhshëm do të duhet të paguajë 1.3 milionë euro.
Maqedonia pjesëmarrjen e AK ende e mbulon me IPA fondet. Përmes këtyre fondeve janë siguruar rreth 360.000 euro, aq sa është buxheti i Agjencisë, ndërsa fondet për programet sigurohen përmes programeve dhe projekteve të Bashkimit Evropian. Për shpërndarjen e drejtë dhe për shpenzimin  fondeve, Agjencia Kombëtare përgjigjet para Komisionit Evropian. Për shkak të parregullsive në punën e saj, Agjencia u suspendua nga Komisioni për më shumë se një vit. Në fillim të vitit 2011, pasi Agjencia përmbushi një sërë kërkesash,  Komisioni Evropian hoqi suspendimin.


 

 

AddThis Social Bookmark Button