A dështuan OJQ-të me marrëdhëniet ndëretnike?

Në periudhën e fundit pas disa ngjarjeve dhe incidenteve, mardhnit ndëretnike u lëkundën.

Por për përmasimin e tyre po punojnë me vite të tëra Organizata joqeveritare.

A do të thotë se puna e tyre nuk ka pasur efektin e duhur?

Nazim Rashidi analizon

Në një konferencë të radhës të OJQ-ve flitet ndër të tjera edhe për rritjen e vetëdijes të qytetarëve për marrëdhëniet ndëretnike dhe realitetet që ka Maqedonia.

Por ky takim që u zhvillua në Ohër i ngjason shumë takimeve si në gjithë këto vite, ku ka përfaqësues nga etni të ndryshme dhe organizata joqeveritare që ata përfaqësojnë.

Në diskutimet dhe bashkëveprimet e tyre ka mirëkuptim, por ky mirëkuptim nuk reflektohet në shoqëri.

Vetëm disa incidente, si ato të tifozëve në kampionatin evropian të hendbollit, rrahjet ne autobusë dhe shkolla apo dhe vrasja e dy të rinjve nga një polic, bënë që për pak kohë të lëkundin marrëdhëniet ndër etnike.

Roli i OJQ-ve

Por cili ka qenë roli i OJQ-ve gjithë këtë periudhë? A kanë dështuar përpjekjet e tyre?

Sreten Kocevski i Institutit për Zhvillimin e Komunitetit që vepron në Tetovë thotë se është e qartë më se vetëm veprimi i organizatave civile nuk mjafton dhe se ka nevojë për një kujdes të vazhdueshëm institucional:

 “Fryma e bashkëjetesës e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit duhet të hyjë dhe të jetë pjesë e kurikulave të shkollave dhe institucioneve ku kalojnë një numër i madh njerëzish dhe kjo të jetë pjesë formale e sistemit”, thotë Kocevski.

“Dora” e politikës

Ndërkohë Goce Lubinovski dhe Shuip Marku të dy nga Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm që vepron në Dibër thonë se politika është ajo që zvogëlon rolin e sektorit civil.

 “Këtu ka dorë, një dorë e keqe, e cila është jashtë OJQ-ve. Partitë politike, ndoshta parti që duan ta mbajnë rejtingun ose parti që s’kanë vota dhe duan të hynë në politikë dhe luajnë me këto ndjenja”

 “Momentalisht sektori civil është në mes të darëve të politikës. Mes opozitës dhe qeverisë. Momentalisht është shumë e vështirë të jesh neutral sepse goditesh edhe nga njëra edhe nga ana tjetër gjë që krijon vështirësi në punë”, thotë Lubinovski dhe pak më herët Marku.

Situatat e fundit me tensione ndër etnike nxitën edhe reagime të pastra qytetare kundër rritjes së mostolerancës. I tillë ishte edhe një marsh i paqes, por vëzhguesit thonë se zhvillimet e fundit tregojnë se ndaj marrëdhënieve etnike duhet një kujdes konstant, ndjeshmëri dhe mbi të gjitha reagim institucional kur shfaqen fenomene të tilla.

Sektori civil në fazë të re

Zoran Bogdanovski është koordinator i studimeve të reja postdiplomike që do të hapen për zhvillimin e sektorit civil, pranë Universitetit të Evropës Juglindore, ai thotë se nëse nuk ishte sektori civil atëherë tensionet e fundit mund të kalonin në situata edhe më delikate. Megjithatë ai thotë se edhe sektori civil që të jetë më efektiv tashme duhet të kalojë në një fazë të re zhvillimi dhe prandaj është punuar në zhvillimin e një cikli të ri studimor:

 “Ata që do të vinë në këtë studime do të aftësohen që të mendojnë në mënyrë zhvillimore dhe si ti lidhin interesat e shoqërisë, biznesit dhe qeverisë dhe të bëjnë ndryshime pozitive për shoqërinë”, thotë Bogdanovski.

Ngjarjet e fundit sipas vëzhguesve më shumë se sa të brishta janë marrëdhëniet mes komuniteteve treguan se çfarë mund të shkaktojë reagimi i pa duhur i institucioneve dhe prandaj kërkohet vëmendje konstante nga të gjithë aktorët shoqëror.

AddThis Social Bookmark Button