Seksualitet i fshehur, linç publik

Për transeksualët, të cilët definohen si njerëz që ndihen të robëruar në trupin e gjinisë së kundërt, në Maqedoni nuk flitet. Nuk flitet as për diskriminimin që ata e përjetojnë kur dalin hapur para të tjerëve. Mbeten pa punë, pa mjete për ekzistencë, ndërsa njerëzit rreth tyre do donin që ato të zhdukeshin. Njëra nga ato është Andrea Jakimovska, bashkëshort i dikurshëm dhe baba i dy fëmijëve, e tani grua e vetëdijshme që përpiqet të fitojë të drejtat prindërore.

Analizë e Vesna Kollovska

 “Unë nuk frikohem. Unë luftoj për gjithë shtetin. Kam fuqi, nuk trembem. Nuk trembem nga askush, nuk kam frikë të vdes. Nuk kam frikë edhe nëse me vret dikush në rrugë. Le të provojë dhe do shohim çdo ndodhë”.

Kështu flet 39-vjeçarja Andrea. Banorët e fshatit të saj të lindjes, fshatit Zhilçe, nuk mund ta pranojnë  se vajza brune joshëse e veshur me minifund dhe me taka të larta është polici i dikurshëm me emrin Coci.

Deri në çastin kur ka vendosur ta shprehë hapur personalitetin dhe seksualitetin e saj si femër, ajo ka pasur jetën e saj, e martuar, bashkëshorte dhe dy fëmijë. Për gruan e tij dhe për fëmijët kjo ka qenë një gjë e zakonshme sepse ata për vite me radhë e kanë parë atë në shtëpi të veshur me veshje femrash. 

“Ata kanë jetuar me mua të gjithë kohën. Unë i dua, ata më donin. Çfarëdo dëshire që kanë pasur, e që kam mundur tua plotësoj, ua kam plotësuar. Për rrethin ku kam jetuar unë kam qenë halë në sy që në fëmijëri. Më parë mbathja çizme kaubojsh, madje edhe në verë, dhe të tjerëve u pengonte kjo gjë. Fshatin e kemi të bukur, por për fat të keq fshatarët nuk bëjnë”.

Tek sa po regjistronim në parkun e fshatit Zhilçe, ndaloi një makinë dhe shoferi reagoi:

„Pas kësaj interviste shkoni te nëna dhe te babai i tij dhe pyetni se si jetojnë“, tha shoferi. 

Andrea u përgjigj:

„Largohuni ju, keni një denoncim në polici. Dhe mos ndërhy në jetën time, shiko punën tënde„.

Shoferi i makinës u prezantua si  Koljo Nikollovski, kryetar i fshatit.

„Ai duhet të kërkojë vendin e tij diku ku do pranohet nga të tjerët,” tha Nikollovski.

Doni që të largohet që këtej?- pyetëm ne.

„Jo, nuk dua që të largohet, por ta gjejë vendin e vet, të mos i irritojë njerëzit në këtë fshat. Kjo është e gjitha”.

Keni ankesa nga fshatarët?

“Sigurisht që po. Shikojeni, a ngjan në diçka?! Jemi në fshat të jetë në Shkup edhe mund të mos ta njohim”, thotë Nikollovski.

Shfaqe cirku për publikun

Të këtilla janë reagimet tashmë prej pesë vjetësh, që kur se Andrea për herë të parë u shfaq me veshje femrash, dhe që atëhere, siç thotë ajo, nuk kanë reshtur ofendimet, nënçmimet, madje edhe sulmet fizike. Jo shumë kohë më parë, sigurimi i spitalit të Tetovës e ka dëbuar jashtë, edhe pse ka shkuar atje për tu vizituar me udhëzim të rregullt.   

„Ata më dëbuan jashtë, më goditën me shkop druri te veshkat dhe tre nga ato më hodhën aq keq sa mund edhe të kisha vdekur. Më shtynë nëpër shkallë mermeri, e unë me taka të larta. Këtë gjë e filmova, paraprakisht i paralajmërova që po filmoj. Këtë rast e denoncova në polici, por rasti nuk u përfundua. Prandaj, në prokurori ngrita një padi private.”

Andrea është në gjyq për disa çështje. Pothuajse për çdo ditë ka punë me policinë, është e pa punë, dhe më të vështirë e ka që tashmë për më shumë se një vit nuk i lejohet të takojë  fëmijët e saj – një vajzë 14 vjeçare dhe një djalë 10 vjeçar.

Koalicioni për mbrojtjen e grupeve seksuale dhe të margjinalizuara i jep ndihmë juridike. Irena Cvetkoviq nga ky koalicion tha se problemi është se shoqëria nuk ka vend për persona transeksual si Andrea, sepse ata nuk dalin hapur në publik.

"Dalja hapur para të tjerëve bart një rrezik, të cilin jo gjithkush është i gatshëm ta pranojë. Por, nëse nuk dalin hapur kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë. Absolutisht që ekzistojnë! Dhe publiku nuk ka pse të di për secilin nga ato. Syri i publikut thjesht kthehet në sy të një shikuesi kurioz gjatë një spektakli apo një shfaqjeje cirku. Megjithatë, kjo gjë është një tregues se njerëzit të cilët janë më ndryshe, jetojnë më mirë fshehur se sa publikisht", thotë ajo.

Një vit më parë u miratua Ligji për antidiskriminim, ndërsa funksionon edhe komisioni i cili pranon ankesat e personave të cilët mendojnë se janë diskriminuar. Nga gjithsej 60 ankesa të pranuara gjatë vitit të kaluar, një e dhjeta e tyre kanë të bëjnë me diskriminimin seksual.

Një funksionar i lartë ka humbur vendin e punës për shkak të orientimit të tij seksual

Një funksionar në një post të lartë në Ministrinë e punëve të jashtme (MPJ) i është drejtuar Komisionit pas mospranimit të tij në pozitën e caktuar për shkak të deklarimit hapur të orientimit të tij seksual. Kryetari i komisionit, Dushko Minovski, mendon se ligji është në anën e të diskriminuarve.

“Atje është shënuar që një person nuk mund të mos pranohet nëse e deklaron hapur orientimin e tij seksual. Ne i trajtojmë këto raste nëse këta persona inkurajohen. Fakt është se është mjaftë e vështirë të inkurajohen personat në një rast të tillë që ta paraqesin rastin. Nuk mund ta dimë nëse mbahet në fshehtësi. Por, diskriminimi është i ndaluar”, thotë ai.

Megjithatë, në praktikë nuk është ashtu, mendon Irena Cvetkoviq, e cila thotë se shteti funksionin në mënyrë të tillë ku personat si Andrea realisht nuk kanë se ku të drejtohen.

“Ata inkurajohen të drejtohen vetëm tek organizata joqeveritare, të cilat, nga ana tjetër, nuk mund ta zëvendësojnë shtetin. Nuk i ndihmojmë dot – thjesht i kemi duart e lidhura. Nuk mund t’ju ofrojmë punë. Nuk mund t’ju japim ndihmë sociale, shërim. Një organizatë joqeveritare, as edhe dhjetë, nuk mund ta zëvendësojnë shtetin. Ndonjëherë kam ndjenjën se shteti i ruan organizatat joqeveritare si alibi dhe kërkon nga ato mision të pamundur”, thotë Cvetkoviq.

Për Andrean jeta si femër dhe pa mjete për ekzistencë është e pamundur, por jeta e saj gjithashtu është e pamundur edhe pa fëmijët e saj. Pas festës së Pashkëve Andre pret të operohet. Jo për një operim për ndryshimin e gjinisë dhe për transformim të plotë nga burrë në grua, por që të japë njërën nga veshkat për një vajzë 16 vjeçare.

“Dua që njërën veshkë ta mbaj për vete, mos dhëntë Zoti të kenë nevojë fëmijët e mi, atë veshkë do e ruaj për ato. Unë do e heq, nuk do jetoj më. Atë organ do e ruaj për fëmijët e mi të dashur. Nëse duhet do jap edhe zemrën.” – thotë Andrea.


Në Serbi brenda një viti bëhen rreth 40 operacione për ndryshimin e gjinisë

Në Maqedoni nuk kryhen operacione për ndërrimin e gjinisë. Nëse dikush vendos të bëjë një gjë të tillë, atëherë duhet të paguajë diku jashtë nga 20.000 deri në 30.000 euro. Fondi i shëndetësisë nuk paguan për operacione të tilla, sepse i konsideron si estetike dhe jo si pasojë e ndonjë sëmundjeje shëndetësore. Para operacionit kalohet një terapi hormonale dhe psikologjike. Maqedonia me ligj ende nuk ka përfshirë mendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë se transeksualiteti është çrregullim që kërkon shërim adekuat. Për ilustrim në Serbi në vit kryhen rreth 40 operacione për ndryshimin e gjinisë, kurse nga fillim i viti ato kryhen edhe me para nga shteti. Transeksualët nga Maqedonia që kanë vendosur të ndryshojnë gjininë më së shpeshti shkojnë tek mjekët e Beogradit.    


 

AddThis Social Bookmark Button