Reagimi i shqiptarëve pas vrasjes së pesëfishtë

Vrasja e pesëfishtë në Smillkovë që shkaktoi shok të madh është temë diskutimi në të gjitha ambientet shqiptare, private dhe shoqërore. Shprehet hapur keqardhje dhe dhimbje si nga njerëzit e zakonshëm ashtu edhe nga subjekte të ndryshme në vend dhe në rajon. Ajo që kërkohet është profesionalizëm i institucioneve pa paragjykime. Por këto reagime nuk shkojnë me fuqinë e tyre tek opinioni maqedonas.

Analiza e Nazim Rashidit sjell më shumë:

Normale, kjo që ka ndodhur të gjithë i ka prekur. Nuk është gjë e mirë. Por unë se kam fajin, se ka askush. Fajin ta gjejnë organet që janë për atë punë”. 

Ky është një shqiptar në Radishani, dyqani i të cilit është dëmtuar dhe i ishte tentuar ti vihet flaka. Megjithatë ai ka mendim të njëjtë me shumicën e maqedonasve për vrasjen e pesëfishtë edhe pse dënon ata që e kanë dëmtuar.

Por rasti i tij nuk u gjend në raportet e medieve maqedonase.

Ndërkohë ja çfarë tha komshiu i tij për të:

“Ne me këtë njeri jetojmë bashkë prej 20 vjetësh. Ai është shqiptar dhe skemi pasur asnjë problem më të këtu në Radishani”.

Dënimi shqiptar një lloj si ai maqedonas

Këto deklarata janë pjesë e një raporti të TV Alsat. Një nga redaktorët e të cilit, Isuf Kadriu thotë se s’ka pasur shqiptar që s’ka dënuar vrasjet.

“Njerëzit e zakonshëm të gjithë pa përjashtim e kanë dënuar aktin, por të gjithë pa përjashtim kanë kërkuar që mos të spekulohet me motivet dhe përkatësinë etnike me autorëve të mundshëm, pasi krimi nuk njeh përkatësi etnike, fetare. Krimi është krim”, thotë Kadriu.

Një nga kritikuesit më të mëdhenj për përdorim të fjalorit të urrejtjes ndaj shqiptarëve Dragan Pavlloviç Latas, menjëherë pas vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, shkroi një artikull ku ndër të tjera thoshte se “Asnjë, ama bash asnjë në një atmosferë të tillë nuk duhet të deklarojë se vrasësit janë shqiptarë. Asnjë nga ne nuk e di këtë gjë”.

Artikulli me tone qetësuese nga autori që shpesh nxit tensione reflektonte ndjeshmërinë e situatës, frikën për një shpërthim dhune pasojat e të cilës mund ti vuajnë të gjithë.

Por edhe përkundër këtij reagimi, sërish raportimet nuk përfshinë edhe palën shqiptare, as në mediet që drejton z. Pavlloviç dhe as në shumicën e medieve të tjera në gjuhën maqedonase.

Dhimbje tek të gjithë

Rasti shkaktoi dhimbje tek të gjithë pa varësisht nga përkatësia e etnike, çka nuk mund të shihej nga të gjithë, por tregoi edhe një herë se sa paragjykime ka shoqëria jonë dhe më shumë ende se sa të “fajshëm” i bën të gjitha ata që luajnë me këtë paragjykime për qëllime dhe përfitime të rastit.

Subjektet politike si në Maqedoni ashtu edhe instancat më të larta shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë dhanë mbështetje dhe shprehën ngushëllime për viktimat e incidentit të rëndë.

Por kjo nuk mjaftoi që të shmangej dyshimi i hapur nga elemente të popullsisë maqedonase se autorët e vrasjes mund të janë shqiptarë. 

Si duhet të reagohet në një rast të tillë?

Artan Sadiku, analist thotë se reagimi ishte i duhur:

“Çdo reagim i tepruar i shprehjes së indinjatës do të hynte brenda kornizës që shqiptarët duhet të amnistohen prej rastit që ka ndodhur. Mendoj se mënyra e reagimit edhe e medieve, edhe e opinionit edhe partive shqiptare ishte mjaftë e matur dhe mëse e nevojshme për atë se si trajtohej rasti në përgjithësi”.

Mediet shqiptare “më të balancuara”

Artan Sadiku, i cili thotë gjithashtu se reagimet shqiptare nuk përcillen me fuqinë e duhur tek pala tjetër.

Prandaj roli i medieve rreth kësaj ngjarje po tregohet si kyçe që ngjarja mos të ndikojë në rritjen e pasigurisë dhe mosbesimit.

Isfuf Kadriu redaktori i lajmeve që punonte pikërisht në momentet me tensione në TV Alsat, thotë se gjuha e raportimit është gjithë kujdes:

“Mediet shqiptare gjithmonë kanë qenë të balancuara gjatë informimit, për dallim të medieve të tjera të cilat nuk kanë qenë të balancuara madje në disa raste, disa prej tyre edhe kanë tensionuar situata të caktuara”, thotë Kadriu.

Vrasja e pesëfishtë është temë diskutimi në thuajse të gjitha ambientet shqiptare, private ose shoqërore. Ajo ngjall frikë se mos krijojë përgjithësime dhe prandaj kërkohen të shpallen qartë motivet e vrasjes. Gjithashtu kërkohet fuqishëm profesionalizëm dhe reagim i shpejtë i institucioneve. Ka përplot opinione dhe deklarata të ngjashme me ato që bëhen në mediet maqedonase, edhe pse me fokus anën shqiptare, por këto nuk kalojnë dot në anën tjetër me plotë fuqinë e duhur.

 

AddThis Social Bookmark Button