E pa zbuluar kamerë e fshehtë

TV kanalet botërore si National Geographic dhe Discovery kanë një audiencë të gjerë në Maqedoni. Ato ofrojnë një program që është një shpëtim i vërtetë nga presioni i medieve vendase plot me politikë dhe seriale. Por, deri më në to nuk janë transmetuar pamje të bukurive natyrore të Maqedonisë. Promovimi i pak kohëve më parë i dy dokumentarëve të produksionit të huaj për rrëqebullin dhe për pelikanët në Maqedoni, me sa duket për herë të parë ofrojnë mundësinë për të zbuluar anën e fshehtë të vendit. Përse producentët vendas nuk janë të interesuar për një gjë të këtillë?

Analizë e Dushko Arsovskit

Në National Geographic po transmetohet një dokumentar emocionues për kobrat në Indi. Ky kanal televiziv u bë i njohur falë programit i cili, ndër të tjera, përcjell pasuritë natyrore botërore te një audiencë e gjerë.

Edhe Maqedonia ka se çfarë të tregojë, por këto pasuari janë të padukshme, thotë shkrimtari dhe dramaturgu Jordan Plevnesh. Ai shkroi romanin  "Çudia e tetë botërore", ku prek idenë e ndërtimit të një djepi të botës në Galiçicë, që sipas të cilit, është një ndër malet më endemike në botë me 3.800 bimë. Maqedonia, thotë ai, është një fuqi botërore parë sipas numrit të fluturave të natës.

“Sipas parimit “kamerën mbi sup” ne do nisemi nëpër Maqedoni, do i zbulojmë fenomenet, e pastaj do dedikojmë filma të veçantë për secilën nga ato tema. Kjo është ideja jonë”, planifikon Plevnesh.

Plevnesh si rektor i Universitetit për arte audio vizuale në Shkup planifikon të krijojë ekipe cilësore me kameramanë dhe njerëz kreativ që do filmojnë bukuritë natyrore. Kjo gjë pothuajse nuk ekziston fare në Maqedoni.

E fshehura është në dispozicion vetëm të një numri të vogël të njerëzve. Mes tyre është Gjorgi Ivanov i Shoqatës ekologjike maqedonase e cila pa sukses ka tentuar të tërheqë produksione private për të filmuar ekspeditat e tyre.

„Nga përvoja ime e deritanishme, mendoj se trashëgimia kulturore është shumë më e promovuar se trashëgimia natyrore, ndërsa në Maqedoni që të dyja janë me shumicë. Nëse ne me përpjekjet tona tentojmë t’i bashkojmë, mendoj se do të tërhiqnim shumë shtëpi produksioni të huaja që do të ishin të interesuara të vinin këtu, të filmonin dhe pastaj ta prezantonin atë që kanë filmuar“, thotë Ivanov.

Dokumentar gjerman për rrëqebullin maqedonas

Akulli u thye.

Përrallat për rrëqebullin në Mavrovë dhe për pelikanët në Prespë, projekte këto të Shoqatës ekologjike maqedonase, këto ditë u shfaqën edhe në një vizion filmik. Autorja dhe regjisorja nga Gjermania Kornelia Follk realizoi disa filma dokumentarë që do të transmetohen para audiencës televizive evropiane.

„Njerëzit dinë më shumë për Amazonën se sa për shtetet fqinje.

Ballkani për një kohë të gjatë ka qenë prezent në medie për shkak të luftërave dhe është e vështirë që fokusi të zhvendoset në tema të tjera dhe t’i bindni njerëzit për diçka tjetër. Këtu ka bukuri natyrore që janë të hapura dhe që do i nxisnin njerëzit të vijnë e t’i shikojnë“.

Një rol të vogël në realizimin e këtyre filmave kishte edhe shtëpia e produksionit Partes. Bashkëpronari Nebojsha Ilijevski vlerëson se producentët vendas nuk janë të interesuar për projekte të këtilla sepse frikësohen  se mos ndoshta nuk kanë se kujt t’ia shesin.

„Aspekti sociologjik i vendit, ajo periudha e pasluftës sikur na tërheq drejt temave që prekin aspekte shoqërore, e jo drejt atyre temave që kërkohen nga kanale si Arte, National Geographic dhe Discavery“, thotë Ilijevski dhe sqaron se si funksionon ky biznes në Maqedoni:

„Tregu i produksionit dhe mediatik, duke filluar nga industria e filmit, është totalisht parazitar, të gjithë presin që të fitojnë para nga Fondi i filmit maqedonas për të bërë ndonjë film…Më i theksuar është në këtë aspektin tjetër sepse asnjë nga televizionet nuk është i gatshëm të investojë në një lloj të tillë të programeve“

Për një produksion dokumentar nevojitet një ekip me kondicion

 

“Televizioni i Maqedonisë që nga vera e kaluar filloi të transmetojë një seri reportazhesh „Endacakë“ në të cilat zbulohen bukuritë e panjohura të vendit. Autorja Katerina Grupçe thotë se ideja ka pasur sukses, edhe pse për projekte të këtilla, siç thotë ajo, është e vështirë të krijohet një ekip me kondicion të mirë.

„Kjo ishte më interesante. Të gjithë thoshin se bëhet fjalë për një produksion privat sepse nuk kishin parë një gjë të tillë në TVM dhe nuk e kishin të qartë se ç’dreq na shtynte të ngjitemi atje. Njerëzit nuk e kishin të qartë se këtë mund ta bësh nga dashuria”.


Në Maqedoni, autorët paguajnë vetë për varkë

„ Për shembull te Muri i dreqit në Shën Nikollë, për të cilin pothuajse askush në Maqedoni nuk ka ndonjë njohuri, nuk mund të shkohet me makinë të zakonshme. Duhet të ngjitesh me xhip dhe që atje të ecësh në këmbë edhe për tre orë të tjera për të arritur deri te ai vend. Dhe ndodh që për xhipin të paguajmë ne vetë. Ose, për shembull, në Ohër për një varkë.“, thotë Katerina Grupçe.


 

„Endacakët “ është një ndër dy programet më të shikuara në TVM, gjë që tregon se audiencës i pëlqejnë programe të tilla.

„ Producentëve ose televizioneve duhet t’ju thuhet se nuk duhet të nënvlerësojnë cilësinë e audiencës. Nëse ju transmetoni “Teletabis” ajo do dojë t’i shikojë, por vetëm për pak kohë. Por, nëse i ofroni pak më shumë, ajo do ta pranonte edhe këtë. Kjo duhet të kuptohet si një program edukativ.“, thotë Kornelija Follk e cila përcjell përvojën nga Evropa perëndimore dhe shton se prodhimi i programeve cilësore shpesh varet nga mjetet financiare sepse paraqet një produksion të kushtueshëm.

Tek ne, siç vlerëson Plevnesh, nuk është kështu.

„Në Maqedoni jemi dëshmitarë të një periudhe në të cilën një numër i madh i projekteve janë të lidhura në nivel të një makinerie propaganduese që nuk ka kurrfarë domethënie, ndërsa shumat që ndahen për to janë shumë të mëdha”.

Sipas analizës së fundit të Këshillit për radiodifuzion për tregun televiziv në Maqedoni për vitin 2010, në 100 programet më të shikuara, në 40 vendet e para kanë qenë filmat dhe serialet, ndërsa 35 programe muzikore dhe zbavitëse. Në programet e tjera më të shikuara bëjnë pjesë transmetimet e ndeshjeve sportive dhe të emisioneve me përmbajtje informative.

 

AddThis Social Bookmark Button