Vrasja e pesëfishtë – teori konspiracioni ose akt terrorist?!

Thuajse gjysmë muaji pas vrasjeve në Smillkovc autorët ende janë në liri. MPB kërkoi kohë dhe durim për hetimin, i cili sipas ekspertëve do të jetë i suksesshëm vetëm nëse të gjitha shërbimet do të punojnë sëbashku.
Dhe deri sa opinioni është i mbushur me teori konspiracioni dhe destabilizimi për Maqedoninë, Diversity Media pyeti disa ekspertë nga vendi dhe të huaj se kush mund të qëndrojë prapa vrasjeve.  

Vesna Kollovska sjell më shumë

S’ka asnjë rastësi në vrasjen e pesëfishtë, ishte komenti i punonjësit të shërbimeve sekrete Goran Petroviç, i cili ka qenë shef i shërbimit shtetëror serb të sigurisë në kohën e vrasjes së kryeministrit Zoran Gjinxhiç. Për të bëhet fjalë për një vend shumë interesant gjeo-strategjik, por jo për shtete ose blloqe dhe unione luftarake, por për botën e krimit dhe terrorizmit.

“Mendimi im është se pas këtij rasti nuk qëndrojnë interesa politike, ushtarake ose të sigurisë të ndonjë shteti ose organizatave ndërkombëtare, por para se gjithash interesa të krimit të organizuar dhe terrorizmit. Njerëzit që i kryejnë aksionet kanë këtë funksion, ata janë profesionistë për krim dhe vrasje, për terrorizëm. Janë gjëra për të cilat shërbimet e sigurisë duhet të kenë kujdes”, thotë Petroviç.  

Ai mendon se në hapësirat ku ndodhën disa luftëra qytetare ka aventurier, njerëz të paguar, paraushtarak të cilët kanë mbetur për shkak të çështjeve të pa zgjedhura rajonale. Konfliktet nuk kanë përfunduar me përfundimin e përplasjeve por me intervenime të komunitetit ndërkombëtar, kurse problemet kanë mbetur nën tapet.

Tentim për shpërthim

Për politologun nga Kosova Krenar Gashi, vrasja nuk mund të lihet jashtë konteksteve rajonale të sigurisë.

“Edhe pse nuk jam ithtar i teorive të konspiracionit, sërish nuk duhet shumë mendim se një akt i tillë nëse ka qenë me paramendim, nuk është bërë nga interesat kombëtare të Maqedonisë, as nga interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, as nga ato të Kosovës. Prandaj duhet parë se cilat interesa të huaja kanë interes”, tha Gashi.

Atëherë pyetja, nëse vrasjet janë bërë me qëllim që Maqedonisë ti imponohet krizë e cila do të çonte drejt destabilizimit, është e drejtë thotë profesorja për menaxhim krizash, pranë Fakultetit Filozofik në Shkup, thotë Marina Mitrevska.  

“Atëherë mund të pranojmë një nga konstatimet se vrasja është tentativë për nxitje, shpërthim dhe kthim të konfliktit të armatosur të vitit 2001”, thotë Mitrevska.

Punonjësi i shërbimeve sekrete Goran Petroviç s’ka dilemë se Kosova është epiqendër e gjithçkaje. Siç thotë ai ideologjia është atje, njerëzit që kanë interesa të përbashkëta. Kur për ta është “nxehtë” në Maqedoni ata kalojnë në Shqipëri, pastaj në Kosovë e më pas në Mal të Zi dhe luajnë “kukamfshehti” me strukturat shtetërore dhe të sigurisë. Për Krenar Gashin është e padrejtë që Kosova të shihet si “fajtori kujdestar”.  

“Serbia e bën këtë sepse kundërshton dhe hapur shprehet kundër pavarësisë së Kosovës. Disa qarqe në Maqedoni përpiqen ta akuzojnë Kosovën sepse është më e lehtë dhe kjo e tërheq vëmendjen na mungesa e përparimit të përgjithshëm. Kurse qarqet ndërkombëtare bëjnë lehtësisht akuza sepse BE për shembull nuk ka me Kosovën as marrëdhënie kontraktuale”, thotë Gashi.  

Nga Kosova u lajmërua “Ushtria Çlirimtare e Trojeve të pushtuara shqiptare” me ultimatum MPB-së që të tërhiqet nga “territoret e okupuara dhe kolonizuara shqiptare”.

Gishti i drejtuar nga shërbimet e sigurisë

Punonjësi i shërbimeve sekrete Zoran Mitevski për të përjavshmen “Fokus” për këtë organizatë thotë se është e ashtuquajtura AKSH e Re e cila në vitin 2001 vepronte në Maqedoni në rajonin e Kumanovës. në kuadër të së cilës sipas tij vepron Ilirida e Nevzat Halilit me rreth 300 ithtarë.

Por sipas profesores Mitrevska kjo gjë duhet marrë me rezervë:  

“Duhet marrë edhe si një mesazh për institucionet e sigurisë për një kontroll më të madh para se gjithash në kufirin me Kosovën, do të veçoja vetëm këtë pjesë. Para se gjithash bëhet fjalë për institucionet që duhet të punojnë për parandalim dhe paralajmërim të shpejtë”, thotë Mitrevska.

Vrasja e pesëfishtë lëkundi bashkëjetesën e brishtë në Maqedoni, për çka, bashkëbiseduesit mendojnë se është e një rëndësie të madhe gjetja e autorëve.

Pyetëm Goran Petkoviçin, a është e vështirë zbulimi i autorëve?

“Asnjëherë nuk është e vështirë. Asnjë shërbim në asnjë shtet nuk ndeshet për herë të parë me grupe dhe ideologji të tilla. Prandaj edhe shërbimet tuaja si ato serbe ose cilat do qofshin, të cilat kanë me mijëra njerëz që verojnë në atë fushë, me një hetim të duhur policor i mbështetur nga shërbimi i sigurisë, shumë shpejt mund ngushtojë rrethin e autorëve”, thotë Petkoviç.

Para më pak se një muaj Shkupi ishte mikpritës i konferencës rajonale ku përfaqësues të Interpolit, shërbimet sekrete dhe kufitare dhe policia me krenari shpallën përvjetorin e dhjetë të bashkëpunimit kufitar. Opinioni pyet sa i fortë është ky angazhim në kohën kur Maqedonia ndeshet me një krizë tjetër serioze. 

AddThis Social Bookmark Button