Propozim për barazi gjinore në himnin shqiptar

Avokati i popullit të Shqipërisë propozoi që në 100 vjetorin e festimit të shtetit shqiptar të ndryshojë një varg i himnit për hir të barazisë gjinore. Propozimi ndonëse vetëm ide siç e pranon edhe ai, ka vënë në fokus barazinë e femrës në shoqërinë shqiptare. Por cili është roli i saj sot.

Nazim Rashidi analizon

Ishte në një programet televizive, në Tonight me Ilva Taren, ku Igli Totozani bëri propozimin për ndryshimin e himnit.

Kjo është pjesa që sugjerohet të ndryshohet.

Pra në vend të vargut “kush është burrë nuk frikohet...” të qëndrojë “as gra as burra nuk frikohen...”

Por a ka ndjeshmëri kaq të madhe shoqëria shqiptare që të mund të bëjë ndryshim të himnit për barazinë gjinore?

Mes postmodernizmit dhe feudalizmit

Delina Fico, aktiviste e të drejtave të grave nga Tirana e pranon idenë. Ajo thotë se ligjërisht ka shumë përparime si një bazë e rëndësishme për barazinë ligjore, por thotë se megjithatë jo të gjitha shtresat e shoqërisë pranojnë një barazi të tillë.

“Ka në shoqërinë shqiptare një bashkëjetesë mes postmodernizmit dhe feudalizmit. Del në një fshat për shembull dhe atje shikon një realitet të tmerrshëm”

Flora Brovina, doktoreshë e cila gjatë regjimit të Millosheviçit u rrëmbye nga forcat serbe dhe  u mbajt në burg për një vit e gjysmë, tani deputete dhe themeluese e grupit parlamentar mbi partiak të grave, thotë se gratë kanë dhënë shumë kontribut. Por ajo nuk pranon që aktiviteti i tyre i shërben vetëm grave:

“Nuk do të pajtohesha që kam luajtur një rol të madh për femrën por së pari për  shoqërinë. Nuk e ka ndjerë veten se cilës gjini i takoj. Atëherë kur femra nuk do të mendojë se cilës gjini i takon do të ndihet e barabartë”.

Fuqi e “butë”

Adelina Marku e cila është diplomate dhe kolumniste, e cila shpesh në shkrimet e saj ka edhe referenca që reflektojnë seksualitetin femëror, thotë se ka ardhur mbase koha që në politikë të futet një fuqi e “butë” e cila mund të sillte shumë përparim.

“Femra do të duhet të luajë rolin që e luan në familjen, të bashkojë edhe fëmijët që janë të zënë me njëri tjetrin. Meshkujt fëmijë që i kemi në shoqërinë shqiptare vazhdimisht i kemi të zënë”

Këngëtarja Tuna në këngët e saj shpreh hapur feminizmin por dhe sensualitetin e saj si një deklaratë e fuqishme e forcës femërore.

Deklarata bënë ndërkohë edhe rreth 50 femra profesioniste të cilat u mblodhën në qendër të Shkupit, në kuadër të një programi televiziv dhe shprehnin mendime për rolin e femrës shqiptare në shoqëri.

Ja disa prej tyre:

“Mendoj se femra meriton më shumë dhe duhet të avancohet por duhet të jetë edhe pak më këmbëngulëse”, thotë Poetja Puntorie Ziba. 

“Ka ardhur dita jonë, ne mundemi dimë dhe ia dalim. Nëse duam”, thotë Sermine Purini drejtores e Qendrës Kulturore Informative

“Për fat të keq në shoqërinë tonë roli i femrës nuk është edhe aq i vlerësuar”, thotë përkthyesja Luljeta Klica.

“Nuk e kanë fajin vetëm meshkujt duhet edhe ajo të japë kontributin e saj”, thotë farmacistja Zana Mustafa.

“Nuk është me rëndësi kuantiteti, por kualiteti. Mund të jetë një por t’ia vlejë”, thotë Gjyltene Rexhallari, gazetare.

Shqiptarët me shumë heronj dhe heroina

Një dokumentar i huaj evidentoi një fakt interesant se shqiptarët si rrallë popuj ndër heronj, kishin edhe shumë heroina. Ato që përmenden janë Mbretëresha Teuta që në kohë Iliri, pastaj, Donika Kastrioti bashkëshortja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Elena Gjika shkrimtare, shkencëtare, publiciste dhe diplomate e cila e sensibilizoi çështjen shqiptare në arenën botërore në shekullin 18, motrat Sevasti dhe Parashqevi

Qiriazi, figurat e para të rilindjes dhe sidomos të ngritjes se shkollës së parë shqipe,

Shote Galica, figura më karizmatike e Lëvizjes Kaçake në Kosovë, Gonxhe Bojaxhiu - Nëna Tereza, humaniste dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqe, dhe në kohën më moderne, kosmologia Laura Mersini, që është e rrallë në këtë profesion edhe në arenën botërore. Si dhe në fushën e artit Rita Ora, e cila ishte numër një në top listën britanike sukses që s’ka arritur asnjë shqiptar më herët.

Por edhe përkundër shembujve pozitiv dhe sukseseve individuale, sërish evidentohet fakti i rolit të femrës mes patriarkatit dhe angazhimit shoqëror. Ekstremet e zhvillimit por dhe të shtypjes së saj kanë qenë dhe janë prezent edhe sot, prandaj vlerësohet se duhet të marrë më shumë mbështetje institucionale dhe sidomos barazia të arrihet në zona më rurale.

Por debatet e fundit, si ai me propozimin për ndryshimin e himnit kombëtar megjithatë tregon një avancim dhe sensibilitet për barazinë gjinore në shoqërinë shqiptare. 

AddThis Social Bookmark Button