A mbrojnë shqiptarët radikalët islamik?

Në Maqedoni shqiptarët protestuan pa arrestimeve të policisë për vrasjen e pesëfishtë pranë Shkupit. Të tjera protesta ndërkohë po paralajmërohen në ditët në vijim.

Por a po mbrojnë shqiptarët ekstremistët mysliman siç sugjerohet, apo protestat kanë motove të tjera?

Nazim Rashidi njofton nga Shkupi

Në një regjistrim të rrallë të zërit të tij Fan Noli fillon fjalimin e tij duke evidentuar faktin se ishte prift.

Pak maqedonas e dinë se njeriu që mbase ka kontribuar më shumë për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, ishte ky prift ortodoks. Ishte Fan Noli, një intelektual dhe themelues i kishës autoqefale ortodokse shqiptare dhe kryeministër i Shqipërisë në vitin 1924. Nën drejtimin e tij Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve tani OKB.

Nëse shikon historinë e shqiptarëve ajo është përplot me figura të krishtera, sidomos ato më në lashtësi dhe që të gjithë e përbëjnë të ashtuquajturin kod shqiptar, ku feja asnjëherë nuk ka qenë dominuese në identitetin kombëtar që u ngadhënjye me kushtrimin e një poeti tjetër shqiptar, Pashko Vasës, i cili në kulmin e rilindjes shqiptare do të shpallte se “feja e shqiptarit është shqiptari”.

Por zhvillimet e fundit në Maqedoni po bëjnë të bëhen përgjithësime të cilat thonë se shqiptarët janë myslimanë ekstremist ose terrorist.

Por sa ka kjo bazë?

Te shqiptarët, gjuha dhe kultura mbi fenë

Delvina Kerluku është kryetare e shoqatës “Josfif Bagerri” e cila ndër të tjera evidenton vlerat e ortodoksëve shqiptar në Maqedoni. Ajo nuk përjashton rastet e ekstremistëve të mundshëm, megjithatë thotë se ka një mosdije të madhe për raportin e shqiptarëve me fenë:

“Realiteti fetar shqiptar është një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm të përfaqësuar në rrjedhën e historisë me veprimin e faktorëve të konvergjencës siç janë tiparet etno psikologjike, gjuha dhe kultura e përbashkët. Nga ana tjetër ashtu si dhe krishterimi edhe islami te shqiptarët mbetet një fe popullore larg intolerancës, aq më shumë terrorizmit”, thotë znj. Kërluku. 

Protesta për shkak të mosbesimit

Por pavarësisht këtyre deklarimeve në protestat e organizuara në Shkup, kishte edhe ikonografi islame dhe disa interpretime që u bënë ishte se shqiptarët mbrojnë radikalët islamik.

Por Bashkim Bakiu i Institutit për qeverisje të mirë, thotë se protestat ishin një revoltë ndaj mosbesimit ndaj institucioneve që nuk u artikulua plotësisht:

“Edhe pse qëllimi i protestës ishte që të japë një mesazh për ndalimin e diskriminimin ndaj shqiptarëve, mënyra se si u zhvillua protesta dukeshe se kishte elemente të promovimit më së shumti të karakterit fetar që jep indikacione se është organizuar në një formë të tillë”.

Vëzhgues të tjerë ndërkohë thanë se protesta e para pak ditëve treguan për herë të parë në këto vite një reagim ndaj vetë subjekteve shqiptare, duke thyer disa xhama të komunë së Çairit. Gjesti ndoshta i dhunshëm, shënon një revoltë civile ndaj atyre që kanë pushtetin pa çka se janë shqiptare duke kërkuar në fakt funksionimin e ligjit që sipas tyre është selektiv.

“Besimi tek institucionet sidomos tek MPB është shumë i vogël. Për këtë ka edhe argumente madje edhe të logjikshme. Shqiptarët kanë qenë të denjuar ose dhe të burgosur dhe më vonë dalin të pafajshëm. Këtu lind dyshimi dhe protestat pas rasteve të caktuara”, thotë Bakiu.  

Shqiptarët “s’kanë fobi ndaj krishterimit”

Delvina Kërluku e shoqatës “Josif Bagerri” thotë se retorika e përdorur këto ditë është e ngjashme me atë të ish Jugosllavisë ku shqiptarët me çdo kusht përpiqeshin që të tregohen si islamiskë çka do të duhej të interpretohej para të huajve si anti evropian. Por realiteti thotë ajo është ndryshe:

“Rrënjët mund ti gjemë edhe të beteja e Kosovës në fund të shekullit 14, ku shqiptarët u rreshtuan në aleancën e krishterë kundër depërtimit islam në Evropë. Se shqiptarët nuk kanë asnjë fobi ndaj krishterimit dëshmojnë marrëdhëniet e mira mes feve të ndryshme si dhe ruajtja e objekteve fetare, kishave dhe manastireve nga shqiptarët myslimanë”, thotë Kërluku.  

Mosbesim edhe nga elita politike

Të tjera protesta janë paralajmëruar nga shqiptarët. Dhe kryesisht ato janë të adresuara ndaj institucioneve ndaj të cilave ka një mosbesim por edhe ndaj elitës politike. Pjesa civile e shoqërisë është e zhgënjyer me ata që janë në pushtet sepse prej ditësh nuk ka shpjegime nëse shqiptarët realisht janë të dyshuar dhe nëse realisht janë të përfshirë në vrasje. Janë të zhgënjyer nga opozita e cila nxitoi të përdorë sentimentin fetar për interesa politike gjithashtu duke mos dhënë plotësisht përgjigje të argumentuara nëse realisht shqiptarët ishin ose jo të përfshirë në incident.

Ndërkohë ajo që i bashkon thuajse të gjithë, edhe ata që protestojnë edhe ata që janë në qeveri edhe ata që janë në opozitë është se të gjithë kërkojnë gjetjen e autorëve të vrasjes të cilën e konsiderojnë makbare, qofshin këta edhe shqiptarë.

 

AddThis Social Bookmark Button