Marka plot, besimi kot

Përderisa po bleni ndonjë gjë, mbase gjëja e fundit që u vjen ndër mend është se sa vlen ajo në krahasim me botën. Por, zgjedhja juaj në fakt bën që ky produkt të bëhet markë e njohur. Edhe Maqedonia ka markat ose brendet e saj të mbrojtura, por matja e vlerës së tyre do fillojë së shpejti. Ekspertët vlerësojnë se një gjë e tillë është e rëndësishme sa për kompanitë, aq edhe për konsumatorët që të jenë të sigurt nëse duhet apo nuk duhet besuar në cilësinë e një produkti.

Analizë e Dushko Arsovskit

Te arka në një supermarket numëroj se sa nga produktet që kam përzgjedhur janë prodhim vendas, e sa nga ato prodhime të huaja. Arrita në përfundimin se pjesa më e madhe e tyre janë produkte të prodhuara në Maqedoni. Por, disa nga ekspertët mendojnë se një përzgjedhje e tillë nuk është një dukuri e shpeshtë në vendin tonë.

Ana Qovkarova nga Universiteti Evropian në Shkup merret me studimin e raportit kompani – markë - konsumator dhe ka ardhur në përfundimin se konsumatorët nuk janë besnik ndaj markave të njohura të vendit.

„ Nëse të gjithë faktorët e tjerë, si çmimi, cilësia, pëlqyeshmëria, dizajni modern i paketimit i pandryshueshëm është i njëjtë, në atë rast qytetarët e Maqedonisë do të parapëlqenin brendet e huaja.

Si shembull ajo tregon se lojaliteti ndaj llojeve të çokollatave të prodhuara në Maqedoni është zero, që do të thotë se pothuajse gjithmonë konsumatorët vendas zgjedhin çokollatat e importuara.

Qovkarova vlerëson se pikërisht lojaliteti është një nga faktorët më të rëndësishëm që produktet vendase të kalojnë në brende. Këtu, sipas saj, qëndron përgjigjja e pyetjes se përse disa marka vendase mbeten të njohura vetëm në Maqedoni.


ANA QOVKOVA
Brendet maqedonase të fokusuar në vend
„ Mendoj që kompanitë e Maqedonisë kanë pak frikë, sepse kompanitë nga Gjermania e kanë më të lehtë të përhapen në vendet fqinje. Por, një gjë e tillë nuk është e lehtë për Maqedoninë, sepse edhe vendet fqinje janë shumë të vogla dhe vëllimi i eksportit dhe importit nuk është edhe aq i madh“


Marka tregtare nuk nënkupton edhe reklamë të kushtueshme

Por, shembulli me industrinë e përpunimit të mishit „Pekabesko” vërteton se në këtë rregull mund të ketë edhe përjashtime. Fabrika është një nga eksportuesit më të mëdhenj nga Maqedonia nga të gjitha vendet e ish Jugosllavisë.
Drejtori Marko Kutrevski për Diversity Media sqaroi se si ata e ndërtojnë markën e tyre në tregjet e rajonit.

„Ne plasojmë me çmim shumë të ulët dhe në këtë mënyrë e ndihmojmë distributorin tonë që të investojmë në ndërtimin e brendit. Në Bosnje dhe Hercegovinë kemi fushata mjaft të suksesshme. Distributori ynë na promovoi  mjaft mirë “

Eksperti për marketing nga Austria, Boris Beker mendon se kohët kanë ndryshuar sepse krijimi i një marke tregtare të njohur nuk do të thotë vetëm „hedhje” e parave për reklama.

„Brendet nuk kanë nevojë të investojnë në shërbime të kushtueshme. Ata mund të jenë të pranishëm në media sociale gjë që nuk kushton shumë, por përsëri të kenë një efekt të fuqishëm emocional tek ju. Një shembull i mirë për këtë është Vikipedia.“

Pikërisht efekti emocional tek konsumatorët, thotë Beker, është faktori i cili rrit besimin, prestigjin e një brendi. Ai është bashkëpronar i agjencisë Chapter4 e cila në Maqedoni do të bëjë një studim dhe do të bëjë të ashtuquajturin vlerësim emocional të markave. Një studim i tillë në Ballkan bëhet për herë të parë.

Qovkarova, e cila është lidere e ekipit të studimit, sqaron se cilat janë përfitimet:
„Prezantimi publik i vlerave të brendeve nuk do të thotë edhe kërcënim nga konkurrenca. Përkundrazi, kjo do të thotë rritje e kredibilitetit, besimit që krijojnë brendet tek qytetarët e Maqedonisë, ndërgjegjësim për emrin e brendit, ndryshim i asociacioneve negative (nëse ka) në pozitive“

Angazho konsultant shtetëror, fito 50% subvencione

Nga Agjencia për mbështetjen e sipërmarrjes thonë se vazhdimisht investojnë në zhvillimin e ndërgjegjësimit tek kompanitë për rëndësinë e mbrojtjes dhe ndërtimit të markave tregtare.
Ljubisha Nikollovski tregon se në çfarë mënyre bëhet kjo:

„Kompanitë interesohen, kërkojnë ndihmë dhe këshillim, si për shembull, sa i përket brendeve, marketingut, angazhojnë konsulent nga lista e konsulentëve tanë. Në faqen tonë të internetit ka një listë prej 300 konsulentësh. Kompanitë i angazhojnë, paguajnë dhe pastaj shteti i subvencionon 50% të kësaj pagese.“

Në Maqedoni tashmë katër vite me radhë është prezent „Superbrends” i cili publikon listë të emrave pa përcaktuar se cili nga ato është brend më me vlerë. Në një vend publikohen edhe emrat e kompanive tregtare, fabrikave, universiteteve dhe bankave. Në suaza botërore ekzistojnë disa agjenci të cilat bëjnë rangimin sipas vlerës financiare. Në vend të parë në një nga këto rangime ndodhet emri i Coca Cola me një vlerë prej jo më pak se 72 miliard dollarë. Kjo shifër është më e madhe se prodhimi bruto vendor i Bolivisë, Kenisë dhe Bahreinit së bashku. Për të arrirë deri këtu, kjo markë tregtare e mbrojtur është zhvilluar plot 125 vite. Se çfarë do të thotë kjo, tregojnë të dhënat në vazhdim – në vitin 1886 janë shitur nëntë shishe, ndërsa në vitin 2010 1 miliard e 600 milion shishe të pijes joalkoolike më të njohur në mbarë botën.


Rangimi sipas Interbrends për vitin 2011
Coca Cola – mbretëreshë e brendeve botërore

Shtëpia konsultante e njohur në mbarë botën për brende botërore, punon në vlerësimin e produkteve markë të njohura. Moto e tyre është se ato nuk janë të interesuar të bëhen vetëm shtëpia më e madhe në botë që do të mund të bëjë rangimin e brendeve, por të jenë edhe më e vlerësuara. Interbrend kanë filluar me punë që në vitin 1974, vit kur, siç thotë punonjësit e Interbrend në faqen e tyre të internetit, njerëzit kanë menduar se brendet janë sinonim për logot. Në listën e tyre të brendeve botërore me ndikim më të madh për vitin 2011 ndodhen 100 produkte nga veprimtari dhe industri të ndryshme. Ja se si është top 10 i kësaj liste për vitin e kaluar:
1.    Coca Cola    71,861 ($m)
2.    IBM    69,905 ($m)
3.    Microsoft    59,087 ($m)
4.    Google    55,317 ($m)
5.    General electric    42,808 ($m)
6.    McDonalds    35,593 ($m)
7.    Intel    35,217 ($m)
8.    Apple    33,492 ($m)
9.    Disnez    29,018 ($m)
10.  Hewlett-Packard    28,479 ($m)


 

AddThis Social Bookmark Button