Të pasur teorikisht, të varfër praktikisht

Skenarët e errët  sipas të cilëve Maqedonia do të mbetet pa ushqim dhe pa ujë, për një pjesë të ekspertëve është një projektim joreal. Ndryshimit e fundit klimatike janë të qarta, por, siç thonë ata, bujqësia në Maqedoni vuan nga një qasje populiste dhe injorante në krijimin e politikave bujqësore. Përderisa dielli përcëllon në muajin maj, dhe përderisa statistikat tregojnë se jemi të varur nga ushqimet e importuara, ne analizojmë nëse ndryshimet klimatike po turbullojnë pasqyrën për Maqedoninë si një fabrikë për ushqim shumë të dëshiruar nga Evropa.

Analizë e Vesna Kollovska

Nëse niseni nga Selaniku drejt Manastirit, do hasni fusha të gjelbëruara pa fund të mbjella me drithë. Grekët nuk kanë lënë as edhe një pëllëmbë tokë të papunuar dhe fushat e gjelbra rrethohen me afro dhjetë stacione për prodhimin e energjisë elektrike. Në krizën më të madhe ekonomike dhe politike me të cilën po përballet vendi, me sa duket problemi i vetëm i cili nuk u rëndon mbi kokë është ushqimi. Këtë vit në Greqi atë do e kenë në sasi të mjaftueshme.   

Për dallim nga Greqia, sipas partive në pushtet, Maqedoni do të ketë më pak drithë për 1 të tretën e sasisë së vitit të kaluar. Nëse gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar 104 milion dollarë për importimin e drithit, kjo do të thotë e këtë vit do të shpenzohen së paku 130 milion dollarë. Ministri i bujqësisë Ljupço Dimov, fajëson thatësirën dhe ndryshimet klimatike.

„Problem paraqet efekti i kombinuar i ndryshimeve klimatike ndaj të korrave të kulturave bujqësore, që ndikon më shumë në fushat ku parashikohet mungesë e ujit për ujitje, e që do i zvogëlojë sasitë e të korrave deri në 50 për qind.”

Këta janë një pjesë e projektimeve për periudhën deri në vitin 2050. Por, ato janë edhe pjesë e strategjisë kombëtare që Maqedonia e përgatiti për Kombet e Bashkuara. Bujqësia, sipas këtyre projektimeve do të preket dukshëm nga ndryshimet klimatike.

Absurditete bujqësore

Megjithatë, sipas Iskra Stojkovska nga organizata joqeveritare Front 21/42, që është e specializuar në këtë fushë, ndikim të madh kanë dhe do të kenë kushtet e papërshtatshme klimatike.

„Këto parashikime kryesisht janë bërë në bazë të modeleve të vërtetuara dhe të kontrolluara. E kam fjalën për modelet dhe parashikimet e Strategjisë kombëtare. Megjithatë, është e vërtetë se mund të mos ndodhë asgjë nga e gjithë ajo, dhe jo në atë mënyrë. Mjafton që diku të kemi ndonjë erupsion më serioz të ndonjë vullkani, dhe kjo të ndryshojë klimën globale.“

Qëndrimin se kushtet klimatike përgjysmojnë sasinë e të korrurave e kundërshton profesori i Fakultetit të bujqësisë dhe ushqimit Vasko Zllatkovski, sipas të cilit problemi qëndron tek shpërndarja e papërshtatshme e kulturave bujqësore sipas rajoneve.

„Prodhimi i grurit duhet lokalizuar në ato vende ku do të mund të arrihen sasi maksimale të të korrurave - 5.500, 6000 kilogram për hektar. Rajon i këtillë është Pellagonia, pjesa perëndimore e vendit ku pranvera nuk është me thatësira. Mund të bjerë shi edhe në maj, nuk fryn era jugore e cila brenda 15 ditëve do të thante çdo gjë, si farat cilësore të cilat do ti thante për pesë ditë. Duhet të arrihet një shpërndarje adekuate e kulturave, dhe në vendet ku ekzistojnë kushtet e verërave të nxehta të favorizohen kultura të cilat nuk kanë nevojë për shumë ujë, që përfundojnë shpejt me vegjetacionin dhe të cilat mund të plasohen me sukses në treg.“

Zllatkovski thotë se prodhimtaria e ushqimit në Maqedoni  po përballet me disa absurditete, si për shembull, ekzistimi i disa sistemeve të mëdha për ujitje, e të cilët bujqit nuk i përdorin sepse nuk kanë sisteme për lidhje me arat e tyre. Ose shteti edhe këtë vit do të ndajë 130 milion euro për subvencione, pa strategji se cilat prodhime do të dojë t’i zhvillojë.

„Duhet të shohim se si dhe cilat kultura mund të sjellin të ardhura nga jashtë për shtetin, përmes stimulimit dhe subvencioneve të cilat më parë janë marrë nga njerëzit në formë të tatimeve, e që të kthehen sërish me ndihmën e eksportit. Vetëm në këtë mënyrë Maqedonia do të mund të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm të prodhimtarisë bujqësore. Dhe vetëm në këtë mënyrë do mund të evitojë atë që sot përfaqëson – bazë për lëndë të para për përpunim për industritë e shteteve të tjera“

Projekt amerikan për përshtatje maqedonase

Pas mishit, drithi është produkti i dytë në listën e ushqimeve të importuara. Edhe pse kultivohet tradicionalisht në Maqedoni, sipërfaqet e mbjella nga viti në vit reduktohen. Enti shtetëror i statistikës ka regjistruar një rritje prej 50% të kalimit të tokës punuese në tokë ndërtimore, për ndërtimin e ndërtesave dhe rrugëve. Problemi qëndron në atë se nga 500.000 hektarë tokë punuese, 135.000 hektarë, kryesisht tokë shtetërore, ka mbetur e papunuar. Këtë vit, si pasojë e thatësirës, vlerësohet se buka të cilën do e blejmë do jetë e bërë kryesisht nga drithi i importuar.

Agjencia Amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) përmes Rrjetit për zhvillim rural në Maqedoni filloi  një projekt trevjeçar për përshtatjen e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike. Përmes këtij projekti me një vlerë prej 1 milion e 300 mijë dollarë do të bëhen testime se cilat kultura, në cilën pjesë të shtetit kanë më shumë sukses gjatë kushteve të diktuara nga ndryshimet klimatike.

Drejtori i projektit Petar Gjorgjievski njoftoi për një sërë masash të cilat do të ndërmerren.

„Një nga këto masa është agroteknike, inkorporomi i biomasës në tokë me qëllim që ajo të mund të ruajë lagështinë, mënyrat e shartimit të pemëve dhe vreshtave. Gjithashtu, vendosja e të ashtuquajturve rrjetave UV të cilat do të mbrojnë të mbjellat nga ndikimet negative të diellit.“

Organizata për ushqimin dhe bujqësinë (FAO) pranë Kombeve të Bashkuara vlerëson se çmimi i ushqimit në botë do vazhdojë të rritet për shkak të çmimeve të larta të drithërave, që vjen si pasojë e sasive të reduktuara të të korrurave dhe thatësirës. Vendet më të varfra dhe vendet në zhvillim, në grupin e të cilave bën pjesë edhe Maqedonia do preken drejtpërdrejtë, sepse do të duhet të ndajnë mjete shtesë për kompensimin e sasive të nevojshme të drithit dhe produkteve nga drithërat.

AddThis Social Bookmark Button