Lajmi i mirë në vesh të shurdhër

Në Australi gjatë vitit të fundit janë vrarë disa maqedonas, ndërsa këto ditë po rrjedh procesi gjyqësor ndaj dy të tjerëve për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike. Megjithatë, edhe përkundër lajmeve të këtilla, opinioni në Maqedoni është shumë pak i informuar për maqedonasit e suksesshëm në Australi, të cilët dalëngadalë po ndryshojnë strukturën e kolonisë më të madhe maqedonase në botë.

Analizë e Vesna Kollovska

Tridhjetë vjeçari Stefan nga qyteti australian Pert është një inxhinier i suksesshëm i specializuar për sistemet e ujësjellësit. Ky është një profesion mjaft i kërkuar në Perëndimin me thatësira të Australisë. Vjet, në muajin nëntor Stefani mori çmimin si inxhinieri i ri më i suksesshëm. Ai i përket gjeneratës së re të maqedonasve të arsimuar,të cilët kanë mbaruar studimet universitare në Australi dhe që kanë ndryshuar strukturën e emigrantëve maqedonas atje.

„Ka shumë inxhinierë si unë, pastaj ka edhe të tillë që merren me vizatimin teknik. Pjesa më e madhe punojnë në ndërtimtari ose kanë bizneset e tyre të vogla. Ka edhe një përqindje të vogël të maqedonasve që këtu janë të suksesshëm, që kanë shumë para, që kanë kompanitë e tyre dhe që janë të një profili të lartë“ - tha Stefani, i cili edhe pse ka ardhur në Australi që në moshë të re, ai kryesisht i ka pranuar vlerat maqedonase, sepse, siç thotë ai, ato janë vlera pozitive.

Pero Trifunoski është një elektroinxhinier nga Sidnej dhe i përket gjeneratës së mesme. Sipas tij, nga të gjithë maqedonasit që janë vendosur në Australi gjatë 10-15 viteve të fundit, pothuajse 70-80 përqind e tyre zgjedhin universitetin, sepse edhe prindërit e tyre janë me arsimim të lartë.

„Pjesa tjetër e të rinjve që qëndrojnë këtu gjejnë ndonjë punë. Një pjesë ndjekin kurse të zanateve të ndryshme, dhe që është me shumë rëndësi, asnjë nga ato nuk mbetet i papunë nëse nuk vazhdojnë arsimin e lartë. Madje edhe ata që ndjekin studimet në kohën e lirë gjejnë ndonjë punë që kështu të jenë të pavarur dhe jo të paraqesin barrë për prindërit“.

Të vjetrit – viktima të të rinjve

Në mesin e maqedonasve ka akademikë, doktorë shkencash dhe biznesmenë të njohur. Tre politikanë të komunitetit maqedonas gjatë viteve të fundit ia kanë dalë mbanë të fitojnë në garat për kryetarë të disa komunave australiane. Ka edhe shumë të rinj të suksesshëm të cilët gjenden në pozita të dyta apo të treta në kompanitë e mëdha ndërkombëtare , por që janë të njohur për një numër të vogël njerëzish. Pak kohë më parë është formuar edhe lidhja e mjekëve të maqedonasve në Australi, e cila ka arritur të mbledhë donacione dhe të blejë një aparat të kushtueshëm për një nga spitalet në Sidnej. Megjithatë, sipas Stefanit, ky numër i njerëzve të rinj të suksesshëm është i pamjaftueshëm për të promovuar komunitetin maqedonas.

„Për fat të keq nuk ka aq sa duhet që të ketë. E di që këtu ka shumë maqedonas të mençur, por mbase e kanë të vështirë të arrijnë atë që duan, ose nuk dinë se si të bëhen më të njohur. Për shembull, unë vjet fitova çmimin „Inxhinieri i ri më i mirë në industrinë e ujit në Australinë perëndimore“. Kjo është një arritje shumë e madhe , por për këtë dinin vetëm shokët e mi dhe jo rrethi më i gjerë. Ne nuk dimë si të bëjmë „bujë“.

Raste të izoluara

Por, sikur sipas një rregulli të pashkruar, lajmet e këqija shumë shpejt marrin dhenë. Lajmi se ndaj dy maqedonasve në qytetin australian Pert rrjedh procesi gjyqësor për trafikim të lëndëve narkotike me një vlerë prej afër 4 milion euro, na Maqedoni u përcoll me një vëmendje të madhe. Para një muaji në Vologong u vra Darko Jançevski dhe atë para syve të prindërve të tij. Në të njëjtën mënyrë në shtator të vitit të kaluar në shtëpinë e tij në Ilevarë u vra Sasho Ristevski. Dy ditë para Krishtlindjeve Nik Todorovski, pjesëtar i një grupi motoristësh, humbi jetën në një përleshje me armë dhe u dërgua në shtëpinë e prindërve të tij në Sidnej në një arkivol të dekoruar me ar. Bashkëbiseduesit tanë thonë se këta persona janë të njohur në mesin e komunitetit maqedonas për shkak të historive të tyre familjare. Tode Kabrovski tregon për vëmendjen me të cilën janë përcjellë këto ngjarje.

„Komuniteti maqedonas i pranoi këto lajme me shumë keqardhje dhe me shumë turp. Një javë më parë kishte një lajm për një biznesmen tonin të cilin e kishin gjetur të vetvrarë në një plazh. Duke parë numrin e maqedonasve të cilët jetojnë në këto anë, nuk ka shumë nga ato që merren me aktivitete kriminale ose me trafikim të lëndëve narkotike“.

Pero Trifunovski mendon se këto janë raste të rralla dhe të izoluara.

„Për një kohë të shkurtër ndodhën disa raste të tilla ku ishin të përfshirë maqedonas. Përfaqësuesit e komunitetit maqedonas nuk janë më të përfshirë në raste të këtilla se përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, me përjashtim të disa komuniteteve të cilat nuk dua ti përmend. Në këtë aspekt, maqedonasit janë një popull i qetë, i cili sheh punën e vet. Ato kanë ardhur këtu për një jetë më të mirë“.

Zyrtarisht në Australi jetojnë më shumë se 83.000 maqedonas, edhe pse organizatat maqedonase thonë se ky numër është shumë më i madh dhe sillet rreth 1 milion.

AddThis Social Bookmark Button