Lidhje për në sportele, por edhe për tu futur në përfaqësuese

Në përfaqësuesen e futbollit të Maqedonisë mund të futesh duke tundur para, këto akuza pak kohë më parë i bëri një anëtar i mëparshëm i përfaqësueses. Ata që ndjekin sportin në Maqedoni thonë se dyshimet ekzistojnë, por mungojnë provat. Federata e futbollit  ka filluar të hetojë në lidhje me këto akuza, ndërsa selektori aktual dhe ndihmësi i tij paralajmërojnë për padi private. Ndodhitë e fundit i vënë në plan të dytë rezultatet e dobëta të përfaqësueses e cila tani gjendet në vendin e 98 në botë.

Analizë e Dushko Arsovskit

Euforia e tifozerisë të cilën e shkaktuan lojtarët e hendbollit dhe basketbollit, kurrsesi të kaplojë edhe futbollistët më të mirë. Rezultateve të dobëta në kualifikimet e fundit iu shtuan edhe akuzat se për tu bërë pjesë e ekipit më të mirë duhet paguar para. Gazetari i sportit Dragan Nikollovski thotë se kjo nuk është diçka e re.

 „Që nga orët e shtrenjta e deri te veshjet luksoze si shenjë falënderimi për vendin në ekipin kombëtar, pastaj tarifë e caktuar për pjesëmarrje në lojë, madje edhe përqindje për ndonjë transferim të realizuar. Këto janë kryesisht variantet e mundshme të cilat qarkullojnë. Kuptohet që asnjëherë dhe askush nuk mund ta vërtetojë këtë sepse askush asnjëherë nuk flet hapur nëse ka qenë i përfshirë në një gjë të tillë.“

Përfaqësuesi i mëparshëm Pançe Qumbev i cili 7 vjet ka luajtur në ligën e Polonisë vendosi që të flasë hapur për përvojën e tij.

„Kur isha në Poloni më kërkoi një person i drejtorisë së atëhershme, nuk më kërkoi haptazi para, por më kërkoi dhurata në formë të orës, kostumeve e gjëra të tilla. Megjithatë, unë refuzova kategorikisht dhe thashë se përderisa te përfaqësuesja jonë ekziston një situatë e tillë unë asnjëherë nuk do bëhem pjesë e saj. Sot nuk më duket e vendit të përmend emra sepse mendoj që ai person nuk është më pjesë e Federatës.“

FFM kanoset me dënim disiplinor  

Ndërkombëtari i Maqedonisë i cili tani luan në Romani Bazhe Ilijoski pak kohë më parë u bëri thirrje publike kryetarëve aktual të përfaqësueses Xhon Toshakut dhe Boban Babunskit duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën në të cilën është bërë përzgjedhja e lojtarëve të përfaqësueses.

„Cilët janë kriteret për ne të cilët luajmë futboll, dhe atë në kampionate shumë më cilësore? Përveç një kriteri të cilin e di mirë, që duhet të paguaj para që të luaj, e që nuk ka për të ndodhur, kritere të tjera nuk di. Kjo që po bëni ju është një mosrespektim dhe poshtërim i plotë i mundit tonë si futbollistë“, shkroi Ilijoski në profilin e tij në Facebook.

Në Federatën e futbollit të Maqedonisë thonë se deri më tani asnjë nga futbollistët, apo prindërit e fëmijëve futbollistë nuk ka bërë ankesë për një rast të këtillë, por që akuzat e fundit i marrin me shumë seriozitet. Zëdhënësi Zoran Nikollovski për Dajverziti Media thotë se ka filluar një proces hetimor.

„Ato do të duhet edhe t’i vërtetojnë deklaratat e tyre edhe me prova, sepse në të kundërtën do i dorëzohen komisionit disiplinor i cili do ndërmarrë masat përkatëse. Gjithashtu kam  informatë se selektorët  Xhon Toshak dhe Boban Babunski në mënyrë të pavarur po mbledhin prova dhe do të zbatojnë procese hetimi private për të mos lejuar imponimin e mendimeve të pavërtetuara dhe humbjen e kredibilitetit të tyre si selektorë të FFM-së dhe të futbollit në Maqedoni.“

Përzgjedhjen e futbollistëve e bën selektori bashkë me ndihmësin e tij, por rezultatet e dobëta nxisim dyshime. Gazetari Nikollovski thotë:

„Supozimet në të shumtën e rasteve bazohen në disa përzgjedhje të çuditshme të lojtarëve, kryesisht të lojtarëve të cilët janë të angazhuar jashtë vendit e që publiku jonë nuk i njeh, ose nuk është mjaft e bindur për cilësitë e tyre. Dhe kur kësaj t’i shtohet edhe rregulli i pashkruar  i cili respektohet si diçka e shenjtë që me dresin e përfaqësueses doemos të ketë të veshur edhe futbollistë të përkatësisë etnike shqiptare, e gjithë kjo histori duket edhe më e turbullt.“

Qumbev e ka një shpjegim.

 „Më duket sikur përfaqësuesja jonë e futbollit më shumë i ngjason një agjencie menaxherësh. Mbase mentaliteti jonë është paksa i tillë, por është fakt se për përfaqësuesen kanë luajtur shumë lojtarë të cilët nuk e kanë merituar një gjë të tillë. Tani, se përmes çfarë kanali janë futur, këtë duhet ta hetojnë institucionet kompetente. Megjithatë, fakt është se në rastin e fundit, unë nuk njoh gjysmën e lojtarëve të përfaqësueses.“

Për selektorin e mëparshëm Gjore Jovanovski këto janë vetëm thashetheme.

„Përderisa unë nuk kam parë diçka reale, ose ta kem ndjerë këtë, puna ime nuk ka qenë të merrem me spekulime. Vendimi i selektorit duhet respektuar. Përzgjedhja, detyrimet dhe përgjegjësitë janë të tijat.“

Lufta për pushtet në FFM

Akuzat për një ryshfet të mundshëm në përfaqësuesen e futbollit bëhen në një periudhë kur një pjesë e lidhjeve rajonale të futbollit kërkojnë zëvendësimin e kryetarit të Federatës Harallampie Haxhiristeski. Anëtari i Këshillit drejtues të FFM-së Ivan Anastasovski sheh një lidhje mes këtyre dy gjërave.

„Gjithmonë ka njerëz të cilët janë oponentë të kryesive aktuale dhe të organeve të cilat udhëheqin me përfaqësuesen dhe mbase e shfrytëzojnë këtë gjë si një mjet për të imponuar një energji negative. 

Gazetari Nikollovski nuk pajtohet me këtë.

 „Kam përshtypjen se e gjithë kjo nuk buron që andej, sepse tentativat e grupacionit i cili tenton të rrëzojë legjitimitetin e kryetarit Haxhiristeski, deri më tani janë realizuar në mënyrën më të pastër, më të drejtë dhe më adekuate.“

E pyetëm Jovanovskin nëse futbolli në Maqedoni ka një gabim sistemor, dhe nëse kjo që po ndodh me përfaqësuesen është si rezultat i këtij gabimi?

„Unë mendoj se futbolli në Maqedoni ka marrë të tatëpjetën Problemi i parë qëndron te klubet. Ata nuk kanë strategji për atë që duan të arrijnë. Përderisa luhet në stadiume të këtillë, përderisa nuk ekziston infrastrukturë, ne nuk kemi për të pasur sukses. Nuk është gjithçka te paratë, por edhe te kokat.“

Për vetëm dy vite kohë përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll kaloi nga një ekstrem në tjetrin. Në vitin 2010 ishte në vendin e 46 në ranglistën e FIFA-s, që deri më tani ka qenë pozita më e mirë. Kah fundi i vitit 2011 ra shumë poshtë dhe zbriti deri në vendin e 103. Sipas listës së fundit ajo ndodhet në vendin e 98 dhe është më e dobët se të gjitha vendet e rajonit. Dy ndeshjet miqësore të fundit me Portugalinë dhe Angolën të cilat përfunduan me barazim, me sa duket për një nuancë përmirësojnë gjendjen e rëndë.

AddThis Social Bookmark Button