Shqiptarët civil kundër shqiptarëve politik

Disa sondazhe në Maqedoni për mbështetjen e subjekteve politike tregojnë se një numër i madh i qytetarëve s’ka besim tek partitë politike, ose një pavendosmëri se për kë do të votojë. Ky reagim lidhet edhe me disa zhvillime në nivel lokal që rrit pakënaqësinë ndaj përfaqësuesve të pushtetit. Është në rritje kundërshtimi civil shqiptar për pushtetarët shqiptar për mënyrën e qeverisjes.

Në media u fol edhe për mundësinë e një organizimi qytetar në zgjedhjet lokale, por a është e mundur një gjë e tillë?

Nazim Rashidi analizon

Turistë dhe vendas janë duke u freskuar në ujërat e lumit Drin në Struge. Por Struga në këto ditë vere nuk është ne fokus vetëm për turizmin, por edhe për një ngjarje që deri më tani po shkakton reagime vetëm në rrjetet sociale.

Asnjë autoritet nuk jep dot shpjegime të sakta se si ndodhi që xhamia e shekullit të 16, që konsiderohet një vlerë kulturore, u shemb pa asnjë pikë mëshire.

Por reagimet për këtë ngjarje janë në vazhdën e reagimeve në këtë qytet me pakënaqësitë në rritje për drejtimin e qytetit. Në media u shfaq një njoftim se pikërisht për shkak të keqmenaxhimit intelektualë të ndryshëm mund të nxisin një nismë politike e cila do të kishte burimin tek qytetarët. Kjo gjë do të ndërmerrej për shkak të mosbesimit tek subjektet politike për zgjedhjen e kuadrove të duhur, thotë Albert Hani, i apostrofuar si një prej nismëtarëve të këtij reagimi qytetar në Strugë:

“Vetë misioni i këtyre aktiviteteve do të ishte e mjaftueshme të mbaronte me ndërgjegjësimin e partive politike. Ndërgjegjësimi duhet të vijë sa më shpejt që të ketë hapësirë për kualitetet, vlerat, inteligjencën dhe kapacitetet që i kemi. Jemi peng i një gjenerate i një grupacioni të njerëzve që vendosin për ardhmërinë tonë”, thotë Hani.

Zyrtarë që “ofendojnë” shqiptarët

Reagime dhe të qeshura por mbi të gjitha siç thuhej në disa komente në rrjetet sociale edhe “ofendim” ndaj vetë qytetarëve shkaktoi edhe kjo deklaratë e Kryetarit të Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

“Po marr pjesë në këtë ngjarje për pyllëzimin e troftës në lumin Treska”.

Ndonëse prononcimi mund të kishte qenë një lapsus momental vuri në shënjestër diskutimet se cilat janë kriteret mbi të cilat subjektet politike përzgjedhin kandidatët e tyre në poste të ndryshme. Si vlerësohet, profesionalizmi, kapaciteti, dinjiteti, kredibiliteti i një zyrtari?

Sefer Tahiri, i cili ka bërë një analizë të funksionimit të sektorit civil shqiptar në Maqedoni thotë se ai mund të ndikojë pikërisht në presionin për rritjen e nivelit profesionist të përfaqësuesve politik, pavarësisht nëse janë të partive në pushtet ose opozitë:

“Një është përgatitja profesionale, niveli arsimor por dhe kompetenca për detyra të caktuara profesionale me aftësitë organizative, menaxhuese, komunikatave etj. Këto, qoftë në kampin maqedonas qoftë në atë shqiptar pak merren parasysh. Si rrjedhojë ne kemi situata ku përfaqësuesit politik përdorin retorikë të pahijshme. Dallimi nuk ekziston  ndërkohë sepse edhe pushteti edhe opozita nuk kanë sistem të kritereve në bazë të të cilave do të përzgjedhin kandidatët në poste të ndryshme”, thotë Tahiri.   

Rrënim i idealeve të vjetra

Reagime dhe zemërim në këto ditë të nxehta ka pasur edhe në Tetovë për mungesën e ujit. Problemin qyteti e ka prej disa vitesh por veç premtimeve nuk ka zgjidhje. Një grup qytetarësh përpiqen të organizojnë protesta për të kërkuar përgjegjësi.

Por a mundet këto reagime të zhvillohen dhe artikulohen në organizime politike qytetare të cilat do të sfidonin partitë politike?

Seladin Salihu, profesor në USHT shprehet skeptik se impakti mund të jetë i madh, por megjithatë ai thotë se një ndikim edhe mund ta kenë:

“Kemi rrënim të atyre që quhen ideale të vjetra dhe në një farë mënyre mungesë të zëvendësimit të këtyre idealeve. Në këtë disbalanse shoqërore mund që edhe një nismë që mund të jetë shumë minore të bëjë diçka të paimagjinueshme për shoqërinë. Kemi një reagim qytetar që të mos e lejojë politikën të fus hundët në atë sfera që duhet të jenë autonome. Sa për fillim është mirë të dalin nisma të tilla, por nuk mendoj se mund ti sfidojnë dy partitë politike, në taborin shqiptar, sepse ato kanë strukturë politike dhe fuqi financiare”, thotë Salihu.

Kur në Maqedoni po afrojnë zgjedhjet lokale që duhet të zhvillohen vitin që vjen, po rritet edhe numri i sondazheve që tregojnë se sa mbështetje kanë partitë politike tek njerëzit. Por ajo që është treguesi më i madh është se një numër i madh i qytetarëve ska besim tek partitë politike, ose ka një pavendosmëri se për kë do të votojë. Përfshi këtu edhe reagimet e ndryshme qytetare, disa protesta të ndryshme po organizohen, si ajo e të burgosurve politik, apo një tjetër për vlera evropiane, të gjitha do të duhet të jenë një alarm për subjektet politike se si bëjnë përzgjedhjen e kuadrove dhe mbi të gjitha për vendosjen e institucionit të përgjegjshmërisë, pas kritikave në rritje që vinë nga qytetarët. Mosbesimi dhe zhgënjimi ndaj tyre është evident. 

AddThis Social Bookmark Button