Sirtaki në ritmin e valles “e rënda”

Pesë ditë para zgjedhjeve parlamentare në Greqi, zgjedhje të dyta këto brenda dy muajve, në mediet botërore përsëri po shfaqen skenarë apokaliptikë për një luftë qytetare të mundshme nëse vendi del nga Eurozona. Ekspertët e sigurisë thonë se kjo nuk ka për të ndodhur, por që e gjithë kjo është një presion i jashtëm ndaj votuesve për të pasur kujdes se për kë do të votojnë. Parashikimet janë se neonazistët nuk do të mund të përsërisin suksesin e zgjedhjeve të muajit maj. Kjo situate nuk ndikon tek turistët të cilët edhe këtë vit në një numër të madh do të kalojnë pushimet në Greqi.

Analizë e Dushko Arsovskit

Sirtaki greke këtë verë do të ketë ritmin e valles “e rënda”. E para, sepse të dielën mbahen zgjedhjet parlamentare si një tentative e dytë për të formuar Qeverinë e cila do të duhej të shpëtojë vendin nga falimentimi aktual. E dyta, për shkak të qytetarëve të shumtë të Maqedonisë të cilët që tani i kanë pushtuar plazhet e detit Egje, në ndërkohë që evropianët po i anulojnë pushimet në Greqi.

Mediet dhe organizatat joqeveritare të huaja shkruajnë për trazira sociale të mundshme të reja të cilat do të shkaktonin një luftë qytetare në vendin i cili tashmë jeton nga ndihmat e huaja në vlerë prej miliarda eurosh. Si këmbim, ky vend realizon masa drastike të kursimit. Një krizë sigurie e përmasave të këtilla do të kishte efekt në të gjithë rajonin.

Analisti për çështjet e sigurisë Bllagoja Markovski thotë se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.

 „Kjo gjë mund të jetë një sinjalizim në kuptimin preventiv për tu treguar njerëzve se kriza në Greqi është serioze dhe se nga  ky këndvështrim zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen së shpejti ju duhet ti qaseni shumë seriozisht“

Anketat e fundit i japin përparësi konservatives Demokracia e Re e cila, sipas tyre, nuk do të sigurojë shumicën për të formuar Qeverinë. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e 6 majit, në të cilat i dyti doli koalicioni i të majtës radikale Siriza, ndërsa në vendin e tretë PASOK. Të tre liderët tentuan, por nuk ia dolën mbanë të formojnë Qeverinë.

Nuk duan masa antikrizë, por e duan Eurozonën

Sido që të jetë epilogu, Markovski mendon se fjalën përfundimtare do ta ketë bashkësia ndërkombëtare, sepse kjo është praktikë në Ballkan. 

„Pakënaqësia te popullata, dhe atë jo vetëm në Greqi, i sjell në pushtet strukturat radikale. Pasi të jenë zgjedhur, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, ata duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Kështu pres të ndodhë edhe në Greqi, pa dallim se kush do i fitojë zgjedhjet parlamentare, do të duhet të punojë sipas rregullave të cilat i përcakton Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare.“

Dimitris Kotaridis, gazetar i televizionit Antena në Athinë nuk beson në skenarët e errët të pas zgjedhjeve.

„Çdo gjë varet nga ajo se si do të jetë ekonomia pas zgjedhjeve. Nuk mendoj se në fund do i kthehemi dhrahmisë. Mendoj se shoqëria greke do të votojë për ardhmërinë. Nuk pres të kemi përplasje ideologjike në rrugë mes të majtës dhe të djathtës, ose mes gupeve naciste. Greqia do të mbetet në Eurozonë, por do të mbetet edhe kriza e madhe në shoqëri.”

Korrespondentja e televizionit Kanal 5 nga Athina, Sanja Ristovska mendon se situata në Greqi sot është më ndryshe se para një viti, kur kishte trazira në rrugë. Kjo tregon se grekët kanë durim, ndërsa frikën e vetme e kanë se mos dalin nga Eurozona, që do të ishte e paevitueshme nëse heqin dorë nga masat të cilat ua kanë imponuar kreditorët.

„Nuk duan masa antikrizë, nuk duan memorandume, por, gjithsesi duan të mbesin  në Eurozonë dhe ajo që i frikëson më shumë është se mos vallë rastësisht Bashkësia Evropiane vendos t’i përjashtojë. E atëherë do mund të bëhej fjalë për trazira të tilla“.

Kotaridis jep një shembull ilustrues se në çfarë gjendje janë sot grekët. 

"Ajo që ndodhi është vrasja e klasës së mesme në Greqi, e cila ishte e vetmja që paguante taksa, dhe që ndihmonte Qeverinë. Pak ditë më parë ne nuk kishte mdeikamente për të sëmurët me kancer dhe mund të shihnit si qindra pacientë të moshuar ishin duke pritur radhë për të marrë ilaçet, diçka që është e paimagjinueshme për një shtet Evropian apo çdo shteti tjetër", thotë Kotaridis.

Kriza tremb gjermanët, por jo dhe njerëzit në Maqedoni  

Kriza e përgjithshme i dha një goditje turizmit si një degë qendrore e ekonomisë që merr pjesë me 15 për qind në produktin e brendshëm bruto të Greqisë. Lajmi se Greqia mund të vërë në përdorim Dhrahminë bëri që turistët tradicionale gjerman të anulojnë qindra e mijëra rezervime për vetëm 10 ditë. 

Eleni Andreadis, e Shoqatës së Hotelierëve në Halkidiki vlerëson se një pjesë të fajit kanë mediet botërore që japin pasqyrë të shtrembëruar. 

"Për ne kjo ishte një sfidë e vërtetë për të kapërcyer këtë publicitet negativ, i cili është kryesisht i zmadhuar, për shembull, kur përmenden shqetësimet për sigurinë e turistëve, ndërkohë nuk ka pasur as edhe një incident të vetëm dhe çdo gjë funksionon si zakonisht. " 

Andreadis thotë se megjithatë turistët nga Maqedonia nuk tërhiqen dhe sipas saj numri i rezervimeve është rritur krahasuar me vitin e kaluar. 

Tragjedia modern grek arriti kulmin në vitin 2010 kur u zbulua se disa qeveri kishin "zbukuruar" statistikat për ekonominë për të përmbushur kriteret e Eurozonës. Deficiti buxhetor për vite kishte qenë nën minusin e lejuar, si dhe shumat e borxhit publik prej 130 për qind të produktit të brendshëm bruto po e çojnë vendin para falimentimit. BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar miratuan një paketë prej 260 miliardë euro për shpëtimin e Greqisë, e cila nga ana e saj duhet të zbatojnë masa të rrepta kursimi të shkurtojë vende pune dhe pagat e administratës. 

Por, siç thotë gazetari Kotaridis, ajo çfarë ndodhi i ka vetëdijesuar grekët se jeta luksoze që shumë prej tyre e kanë jetuar për vite të tëra kishte qenë e rreme dhe në llogari të tjetër kujt.

 

AddThis Social Bookmark Button