Inovacionet nga Maqedonia u sjellin para të huajve

Një e treta e të rinjve të cilët largohen nga Maqedonia janë kuadro me arsim sipëror. Në mesin e tyre ka edhe persona kreativ të cilët pas angazhimit nga ana e kompanive të huaja krijojnë inovacione që sjellin mjaft fitime. Por, sa janë të gatshme këta mendje që të kthehen në Maqedoni dhe me inovacionet e tyre të ngjallin ekonominë e shtetit?

Analizë e Vesna Kollovska

Qeveria Maqedonase me një video i inkurajon mendjet kreative që të ofrojnë idetë e tyre. Nëse gjykojmë sipas këtij mesazhi reklamues, rruga për elektro-inxhinierin Vanço Çamushev tashmë është e hapur. Pas shumë vitesh të kaluara jashtë vendit, Çamushev është kthyer në shtëpi dhe ka ofruar një projekt për ndërtimin e një garazhi në disa nivele plotësisht të robotizuar, i cili do të funksiononte duke shfrytëzuar energjinë e erës dhe diellit.

„Bëhet fjalë për një garazh në formë rrethore i cili kushton 700.000 euro. Zë një sipërfaqe prej 180 metra katrorë, dhe në të mund të parkohen 96 makina. Për qytetet tona, që janë qytete të vjetra, si dhe për qytetet në Evropë, kjo gjë nënkupton kursim të hapësirës dhe të parave“.

Se sa do të kursehej, gjë të cilën e thekson Çamushev – tregon krahasimi me garazhin e automatizuar të cilin e ndërton Ndërmarrja publike për mjedise banimi dhe biznesi pranë sheshit në Shkup ku do të mund të parkohen 280 makina. Ky garazh do mbulojë një sipërfaqe prej  8.220 metra katrorë, ndërsa ndërtimi do të kushtojë 5,8 milion euro.  Ky garazh do mund të pranojë tre herë më shumë makina se ai i Çamushev, por do jetë për 45 herë më i kushtueshëm, dhe do mbulojë një sipërfaqe 8 herë më të madhe.

Çamushev idenë e tij fillimisht ia ka ofruar Qytetit të Shkupit, por ato e kanë refuzuar menjëherë.  

„Kam dashur shumë që garazhi i parë në nivele i këtij lloji të ndërtohej në Maqedoni dhe nga ai të përfitonte Maqedonia. Megjithatë, këtu me sa duket nuk ka sens për gjëra të tilla. Thënë shkurt, duket sikur nuk duan të kursejnë para dhe hapësirë. Duket sikur Maqedonia ka me bollëk nga ty dyja këto gjëra. Dhe ai (garazhi), për fat të keq do funksionojë në Gjermani dhe nga i njëjti do përfitojë Gjermania”.

Në shtator të këtij viti në Myni do fillojë të funksionojë garazhi sipas projektimeve të Çamushev. Nga kabineti i kryetarit të qytetit të Shkupit Koce Trajanovski nuk dhanë përgjigje në pyetjen e Diversity Media se përse kjo ide është e papranueshme për autoritetet e kryeqytetit.

Mungesë informacioni apo mosinteresim?

Garazhet me kate u treguan si një biznes fitimprurës me një „peshë“ prej 70 milion euro. Disa ditë më parë u shitën edhe dy hapësira për garazhe dhe atë për 125 000 euro.

Pas disa javësh do fillojë të hapet rruga Demir Kapi-Smokvicë, që është pjesë e Korridorit 10 që lidh Evropën qendrore me Ballkanin. Makineria me të cilën do të hapen disa nga tunelet në gjatësi prej më shumë se 5 kilometra është gjithashtu shpikje e Vanço Çamushev. Ai do të mbikëqyrë punën e makinerisë gjigante e cila për shkak të madhësisë në Maqedoni do të sillet pjesë, pjesë.

„Bëhet fjalë për një makinë të quajtur „miu“ të dizajnuar për shpimin e tuneleve. Një makinë e tillë është përdorur për tunelin me një gjatësi prej 6,1 kilometra te Platamona në Greqi. Makina të tilla janë përdorur për shpimin e metrosë në Athinë dhe po ato makina po punojnë për shpimin e tuneleve të metrosë në Selanik“.

Kjo makinë është shpikje e Çamushev, por është pronë e korporatës ndërkombëtare „Tereks“, e cila tashmë ka shitur disa të tilla në Rusi, Australi, Amerikë dhe në Evropë. Çamushev merr një përqindje të caktuar nga shitjet. Shtrohet pyetja nëse shoqëria në Maqedoni mund të absorbojë shpikje të këtilla dhe sa idetë kreative mund t’i japin një impuls të ri ekonomisë në krizë?

Kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Menderes Kuçi u përgjigj nëse do kishte financuar një ide inovative.

„Natyrisht që mbështetësi i parë si biznesmen do kisha qenë unë. Por, përveç kësaj, si  kryetar i kësaj shoqate do e kisha ndihmuar me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Një gjë e tillë ka një karakter domethënës për ekonominë tonë. Megjithatë, në vendin tonë për njerëz të tillë ka pak informacion, edhe pse ka të tillë.“

Gjithnjë e më shumë emigrantë të arsimuar

Informacione të tilla do të ketë në „Studimin për transferimin e teknologjisë” të cilin e ka paralajmëruar Bratisllav Stankoviq, këshilltar i presidentit Gjorgje Ivanov. Stankoviq i cili është doktor shkencash i biologjisë molekulare, inovator dhe specialist për të drejtën e pronësisë intelektuale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se ekonomia në Maqedoni nuk është e bazuar në njohuri dhe për këtë arsye ai jep propozimet e tij:

„Të formohen bërthama teknologjike ku do të krijohet bashkëpunim mes universiteteve, bizneseve private dhe institucioneve shtetërore. Do të krijohet i ashtuquajturi „versioni i spirales së trefishtë“. Këto janë parakushtet që Maqedonia të mund të arrijë diçka më shumë sa i përket inovacioneve“.

Stankoviq ndjen frikë  për të ardhmen e Maqedonisë e cila „krijon individë të arsimuar të cilët zhvillojnë idetë e tyre jashtë saj”. Këtë e mbështet me faktin se gjatë 10 viteve të fundit në mënyrë drastike është rritur numri i emigrantëve me arsim të lartë - nga 13% në 28% dhe ky numër, siç thotë ai, po vazhdon të rritet edhe më tej.

Atëherë, çfarë bën Maqedonia që t’i mbajë njerëzit me ide? Ministri i ekonomisë Valon Saraçini paralajmëron për një mbështetje nga shteti.

„Planifikohet që secila kompani e re e cila qaset me një ide të re ose inovacion për hapjen e një biznesi të ri i cili nuk ekziston në Maqedoni të fitojë mbështetjen tonë përmes një inkubatori ose fondi të investimeve. Ende jemi në bisedime me disa kompani të cilat do të donin të investonin në atë fond dhe presim që deri nga fundi i këtij viti të përfundojmë këtë ide që nga 1 janari i vitit 2013 të mund edhe ta promovojmë“. 

Në ndërkohë inovatorët si Çamushev po përballen me vështirësi praktike.

„Mua për çdo ditë më pyesin: „Kur erdhe? Kur do largohesh?“ Është e çuditshme, por në Maqedoni çajnë rrugën vetëm mediokret. Cilësia nuk shikohet asnjëherë. Unë jam maqedonas dhe dua ta shikoj Maqedoninë të përparojë, dhe maqedonasit të buzëqeshur dhe krenarë për atë që kanë“.


Në vendin tonë ka rreth 40.000 inovatorë të cilët thonë se mund ta lëvizin ekonominë, nëse u jepet mundësia nga sistemi.


 

 

AddThis Social Bookmark Button