Politika kundër “Sallatës të Maqedonisë”

A mund të pranohet Maqedonia si një shtet i barabartë i të gjithëve që jetojnë aty? Kjo pyetje rishfaqet ne debate herë pas here, por pyetja nuk gjen përgjigje të prerë. Për një numër maqedonasish Maqedonia është e tyrja dhe pastaj e të tjerëve kurse grupet e tjera etnike, sidomos shqiptarët, kërkojnë barazi thonë vëzhguesit. Politika më shumë luan me këtë sentimet se sa tregohet e guximshme për ti dhënë fund kësaj çështje.

Nazim Rashidi analizon

Në një intervistë për televizionin Alsat para disa ditësh shprehi mirëkuptim dhe deri diku keqardhje për një sërë ngjarjesh që kane ndodhur me shqiptarët në 20 vitet e fundit Lideri i opozitës, kryetari i LSDM-së Branko Cërvenkovski. Ai gjithashtu tha se dëshiron që ti ndjejë probleme te shqiptarëve si të tijat dhe madje të japë dhe zgjidhje.

Por si interpretohen këto deklarata?

Ato vinë pak të befasishme dhe në prag të zgjedhjeve lokale dhe kur opozita maqedonase ka filluar një seri protestash.

Debat i tejkaluar

Por për Albert Musliun, i organizatës Iniciativa Demokratike Shqiptare, ky duhej të ishte një debat i së kaluarës.

“Debati e kujt është Maqedonia është si pasojë i mentalitetit komunist, ku kishim teori që një popull nuk mund të ketë më shumë shtete. Shteti duhej tl kishte prpnsi etnike dhe jo qytetare. Në diskursin politik insistohet se shteti është pronësi e një grupi etnike, diçka që në Evropë dhe demokracitë e zhvilluara filloi të tejkalohet me krijimin e BE-së”, thotë Albert Musliu

Por Zhidas Daskallovski, i Qendrës për Zhvillim dhe Krijimin e Politikave thotë se ky debat do të jetë i vazhdueshëm.

“Debati se çfarë shteti është Maqedonia se cilat janë të drejtat, detyrimet, marrëdhëniet mes bashkësive etnike do të zhvillohet vazhdimisht. Ky debat nuk do të përfundojë sepse gjithmonë do të ketë çështje që do të shfaqen por kjo s’është asgjë e tmerrshme dhe të gjithë duhet ta kuptojnë se një gjë e tillë është normale për demokraci me më shumë etni”, thotë Daskallovski.  

Maqedonia ende nuk i ka dhënë përgjigje të prerë pyetjes se e kujt është në fakt Maqedonia.
Nga ana kushtetuese ajo në fillim konsiderohej si e qytetarëve, që pastaj të theksohej një etni dhe pastaj me ndryshime kushtuese pas Marrëveshjes së Ohrit të përmenden edhe grupet etnike. Por në praktikë sentimet i përgjithshëm është se maqedonasit e konsiderojnë Maqedoninë një herë të tyren dhe pastaj të të tjerëve. Diçka që nuk pranohet nga grupet e tjara etnike, sidomos nga shqiptarët që kërkojnë barazi.

Debat që s’do përfundojë

Por kur rishfaqen debate të tilla sa në fakt ato mund të qartësojnë këto çështje?

Sërish Albert Musliu.

“Mendoj se është legjitime që opozita të përfitojë pikë politike në ato fusha ku qeveria bën gabime. Por mendoj se për kryeministrin duhet të jetë një shtytje se disa veprime të cilat prej shqiptarëve janë identifikuar si provokuese në këto gjashtë vitet të fundit, ti përmisojë”.

Një sërë projektesh të qeverisë aktuale si “Shkupi 2014” u përjetuan si monoetnike dhe që evidentojnë vetëm njërin grup etnike.

Çështja është se sa në fakt ka vetëdije tek politika që kur merre vendime të caktuara të ketë parasysh në mënyrë të natyrshme përfaqësimin e barabartë?

Ose siç thonë disa vëzhgues retorika e tanishme e Branko Cërvenkovskit në fakt do të duhet të jetë e Nikolla Gruevskit, që të dërgohet mesazhi në shoqëri se leksioni i të kaluarës është mësuar, por Zhidas Daskallovski thotë se s’ka zgjidhje të prera:

“Nuk ka marrëveshje përfundimtare, zgjidhje përfundimtare dhe nuk mundet as Branko Cërvenkoski dhe as Nikolla Gruevski të garantojnë se do të dinë të merren me nevojat e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni. Ajo që do të jetë e rëndësishme është nëse Maqedonia do të mundet që të përfshijë interesat e të gjithëve në debat të qetë me kalibër demokratik”, Zhidas Daskallovski. 

“Sallata e Maqedonisë” është e njohur për faktin se ka përplot fruta të përziera në një pjatë të cilat kur i ha sëbashku sjell një shije të veçantë. Por kjo sallatë është më shumë e pëlqyer nga të huajt. Në Maqedoni politika kundërshton këtë pamje duke theksuar vetëm një element pa dashur të pranojë realitetin i cili gjithë sesi është miks.

 

AddThis Social Bookmark Button