Qytetarë apatik, politikë boshe

Rreth 60 përqind e elektoratit shqiptar në Maqedoni shprehet si i pa përcaktuar se kë nga partitë politike do të përkrahë. Vëzhguesit thonë se kjo vjen për shkak të mungesës së ofertave origjinale politike. Por, a krijon kjo një mundësi për shfaqjen e nismave të tjera politike, apo është vetëm një alarm për përfaqësuesit e partive ekzistuese politike shqiptare.

Nazim Rashidi analizon

Instituti për kërkimin e politikave dhe qeverisje të mirë, sipas një sondazhi të bërë ka nxjerrë na pah shifra të cilat konsiderohen shqetësuese për apatinë e qytetarëve në politikë.
Sipas këtij sondazhi rreth 60 përqind e elektoratit shqiptar është i papërcaktuar ose i painteresuar për politikat e subjekteve politike. Vetëm rreth 40 përqind e njerëzve kanë preferenca të qarta në subjekteve politike.

Bashkim Bakiu i këtij instituti kështu i interpreton këto shifra:

“Çdo mosdalje  e tepërt tregon se ka probleme me demokracinë në vend, respektivisht me grupe të caktuara. Në rastin e Maqedonisë, kjo tregon se rreth 60 përqind e shqiptarëve nuk duan të dalin në zgjedhje sepse mendojnë se politika nuk ka treguar se mund t’i zgjedhë problemet e përditshme”.

Sharm i rrem politik

Arsim Zekolli, ish diplomat dhe opinionist  thotë se e gjitha vjen për shkak të mungesës së ofertës politike.

 “Nga prizmi i thjeshtë njerëzor ku ju duhet të luftoni për kafshatën e gojës nuk ju mbetet besim për sharmet mashtruese partiake. Kjo epokë 20 vjeçare e çështjeve madhore po përfundon. Tani njerëzit kërkojnë  punë, siguri, arsim cilësor, jetë dinjitoze, diçka që partitë ekzistuese shqiptare nuk e ofrojnë”, thotë Zekolli.

Por a do të thotë se kjo situatë dhe apati e shqiptarëve në fakt krijon terren për lëvizje të reja politike?
Në opinion janë shfaqur disa iniciativa të tilla. Bakiu dhe Zekolli janë të ndarë në këtë drejtim:

“Nëse me pyesni mua nëse ka nevojë për një opsion të tretë politik, përgjigjja ime është jo. Sepse në këtë mënyrë zvogëlohet forca e politikës shqiptare në përgjithësi. Por është një sinjal, një alarm për partitë ekzistuese që të ndryshojnë veprimin e tyre”.

“Brenda partitë ekzistuese nuk shoh asnjë mundësi për ndryshime, sepse të gjitha janë sulltan parti. Ajo lëvizje që do fillojë të artikulojë dëshirën e vërtetë të qytetarit të rëndomtë ajo do ta ketë ardhmërinë dhe shpresoj se së shpejti do të shfaqet”

Drejt ku po shkojmë?

Por, çdo të thotë kjo situatë për gjithë skenën politike në Maqedoni?

Gazetari Aleksandar Çomovski mendon se sjellja e elektoratit shqiptar, duke marrë parasysh anketimin e fundit, në fakt nuk është më e ndryshme se sjelljet e elektoratit maqedonas. E gjitha ka të bëjë me një prirje që vërehet edhe në rajon dhe që lidhet me paqartësinë se në ç’drejtim po shkon vendi sidomos në kontekst të integrimeve.

“Sipas mendimit tim në dy elektoratet etnike ka mungesë të ideve të mëdha dhe personaliteteve të mëdha dhe transformime reale dhe reforma që do të përmbushnin interesat sociale, ekonomike dhe kulturore edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve. Abstenimi është evidente dhe është rezultat i përgjithshëm i pakënaqësisë të qytetarëve”, thotë Çomovski.

Maqedonia vitin që vjen do të përfshihet në proces elektoral. Do të zhvillohen zgjedhjet lokale. Veprimet e subjekteve politike lënë të kuptohet hapur me hapat që ndërmarrin se janë duke punuar për zgjedhjet. Aktivitetet në terren dhe deklaratat e partive politike se do të mundin njëra tjetrën edhe pse zgjedhjet janë pas disa muajsh, të krijon përshtypjen e një periudhe para elektorale. Por, këtë ndjesi nuk ta japin qytetarët që me sa duket janë të painteresuar dhe të pakënaqur, si me retorikën ashtu edhe me veprimet e partive. 

AddThis Social Bookmark Button