Kultura shqiptare pa mbulim maqedonas

Në Maqedoni shpesh bëhen referime se etnitë e ndryshme jetojnë në realitete paralele. Ajo që i bashkon këto realitete është përplasja në politka, dhe opinioni, sidomos ai maqedonas, shpesh është i privuar nga zhvillimet socio-kulturore të grupeve të tjera etnike, sidomos të shqiptarëve, thonë artistët dhe vëzhguesit shqiptar. Sipas tyre media nuk bën një përpjekje më të theksuar për të përçuar informacione përtej zhvillimeve politike.

Nazim Rashidi analizon këtë konstatime:

Shfaqja teatrale “Paraja” ose në origjinal “Funny Money” e dramaturgut Ray Cooney, me regji të Ilir Bokshit konsiderohet një nga më të suksesshmet të tetarit shqiptar në Shkup. Publiku me ovacione të gjata duartrokiti komedinë, premiera e të cilës ishte para disa javësh, por e cila nuk gjeti jehonë më të theksuar në mediet maqedonase.

Anita Latifi zëdhënëse e teatrit thotë se informacionet për shfaqjet janë thjesht telegrafike dhe asnjëherë me komente dhe vler[sime për impaktin ose temën që trajton shfaqja:

“Gjithçka sublimohet në një informacion se në Teatrin shqiptar do ketë një premierë. Mund të ketë dhe ndonjë deklaratë të shkurtër të regjisorit dhe aq. Shumë rrallë mund të ndodhë që një media maqedonase të bëjë një shkrim studioz për shfaqjen, është shumë e rrallë”, thotë Latifi.

Shpesh ndodh, thonë vëzhguesit, kur ngjarjet kulturore, socilale që organizohen nga shqiptarët, nuk marrin vëmendjen e opinionit të përgjithshëm në Maqedoni, por vetëm të atij shqiptar.

Mungesë informacionesh

Milingona.net, është një faqe interneti e specializuar në informacione kulturore dhe zbavitëse. Bleta Begu menaxhere marketingu që ndjek informacionet që publikohen në faqe të ndryshme online, thotë se shumë rrallë ose aspak nuk gjenden informacionet rreth aktiviteteve që zhvillohen nga shqiptarët edhe në mediet e reja:

“Gazetarët që shkruajnë për eventet kulturore maqedonase do ishte mirë të shkruanin edhe për eventet kulturore shqiptare. Nëse mua më intereson se çfarë parti ka në një vend maqedonas, nëse e themi kështu, do më interesonte edhe çfarë koncerti ka tek shqiptarër, si ai i Arian Kërliut dhe shumë këngëtarë të njohur shqiptar”, thotë Begu.

Ky është grupi Teleks.  Ribashkimi i i tyre nuk u gjet fare në mediet maqedonase. Edhe ky informacion është  shembull kur nuk publikohen aktivitete shqitare. Grupi Telex i Shkupit ndërkohë konsiderohet një grup kulti i  viteteve ‘80 që kishin një ndikim në zhvillimin muzikor modern shqiptar përtej Maqedonisë. I tillë është rasti edhe me grupin tjetër të Tetovës Elita 5, që kanë qenë paragrup në koncertet e Scorpions, ata thuajsje nuk i njeh asnjë maqedonas.

Apo informacione për koncertin e madh të Arian Kërliut, edhe ky një këngëtar kariere, që u zhvillua të premten në Hanin Kurshumli në Shkup.

Në mediet maqedonase mungojnë informacione dhe për një varg ekspozitash, promovimesh, debate që mbesin vetëm në vëmendjen e shoqërisë shqiptare.

Kohë më parë teatrit iu rikthye Suleman Rushiti, ish deputet dhe ish ministër në Qeverinë e Maqedonisë me profesion regjisor. Ai vuri në skenë tekstin e Augusto Boal “Me grusht tehut të thikës” në teatrin e Tetovës. Rushiti thotë se ka marrë më shumë vëmendje si politikan se sa si artist, për çka përgjegjësinë e shikon edhe tek vetë shqiptarët:

“Formulimi se kemi punë më të rëndësishme se kultura, ka buruar për fat të keq nga vetë politika shqiptare në Maqedoni. Kjo bën pastaj që të na shohin vetëm si qenie partiake”, thotë Rushiti, i cili shton edhe faktin se për këtë ndikon edhe mendësia e medias maqedonase për mos të shkuar përtej çështjeve të politikës së ditës.

Por, pse ndodh kjo?

Nëse i shikoni mediet ata në programet dhe në faqet e tyre kanë përplot hapësirë për infomacione nga kultura, show bizz-i, temat sociale. 

Retorika e politikës “shkel” realitetin

Një revistë që i kushton vëmendje të theksuar kultrës është “Gragjanski” (Qytetare), një nga redaktorët e saj është Katerina Bllazhevska, ajo thotë se ky realitet ka ndikime të fuqishme nga reorika e politikës, por edhe mungesa e aftësisë së medias që të jetë një avangardë në shoqëri:

“Edhe medieve u duhet periudhë pjekjeje që të kuptojnë se çfarë duhet të ketë rëndësi, ti trajtojnë artistët si të tyre pavarësisht se në çfarë gjuhe shkruhet, si një fuqi avangarde që çliron gjuhën nga politika dhe urrejtja dhe flet me gjuhën e artit dhe kulturës. Por, ashtu si politika edhe gazetaria duhet të piqet dhe ky proces nuk do të zgjasë pak”, thotë Bllazhevska.

Artistët dhe vëzhguesit shqiptar thonë se opinioni dhe sidomos media duhet të kushtojë një vëmendje më te madhe, madje të bëjë edhe përpjekje shtesë për të pasqyruar të gjitha aktivitetet solcio-kulturore pavarsisht se në ç’gjuhë dhe nga kush zhvillohen. Pasi ato përbëjnë pjesë të realitetit, por edhe krijimtarisë të kësaj hapësire. Por, gjithashtu shprehin edhe një zë kritik ose japin vizione për zhvillimet në shoqëri.

Për shembull, ajo që po ngjall diskutim përtej muzikës së fundmi është kënga e re e Tunës “I asaj”, në fakt video e kësaj kënge, ku Tuna duke kënduar vargjet “Ej baby ça i bone vetes, nuk je duke e pa, tash tjetër kush e ka”, tregon me dorë organin e saj intim.

Ose ajo që pritet me interes në qarqet kulturoe shqiptare është shfaqja e re e tetarit Shqiptar, “Opera e Lypsarëve” sipas tektit të Vasllav Havel me regji të Dino Mustafiç, e cila paralajmërohet të jetë një shikim kritik i realiteteve shoqërore dhe politike. Premiera e shfaqjes do luhet në festivalin Vera e Ohrit.

AddThis Social Bookmark Button