Kutërbon në mbeturina, por bie era para

Edhe krahas ligjeve dhe dënimeve të rrepta Maqedonia ende mbetet e mbuluar nga mbeturinat. Deponi ka pothuajse në çdo lagje dhe në këtë mot të nxehtë ato paraqesin vatra të infeksioneve. Autoritetet bëjnë thirrje për një ndërgjegjshmëri më të madhe nga të gjithë, organizatat joqeveritare mendojnë se institucionet po reagojnë me vonesë, ndërsa komunat se nuk kanë mjete financiare për tu përballur me këtë problem.

Analizë e Dushko Arsovski

Jemi duke udhëtuar nëpër rrugën e vjetër nga Shkupi drejt Kumanovës. Pasi kalojmë Haraçinën në një distancë prej vetëm disa kilometrash, në të dy anët e rrugës ndodhen deponi të paligjshme. Në njërën nga ato dominojnë mbeturinat ndërtimore, ndërsa në tjetrën shumë gjësende, por më shumë dominon aroma e keqe. Edhe në këto temperatura të larta vëmë re njerëz të cilët rrëmojnë nëpër mbeturinat, që mbledhin shishe plasmasi, si dhe qen të cilët i hanë ushqimet e hedhura.

Në komunën e Haraçinës thonë se po punojnë vazhdimisht në këtë çështje dhe se këto  deponi pastrohen kokë pas kohe. Sipas Isen Ramadani-t nga Sektori për punë komunale në këtë komunë, kjo është e gjitha që mund të bëjnë ata.

„Ato mbushen sërish sepse nuk ka një vend të përshtatshëm për deponinë. Më parë kishim një projekt. Por, nuk gjetëm një zgjidhje të përbashkët sepse kishim obstruksione nga peticionet e qytetarëve.“

 DMP: Ju po thoni që Haraçina  nuk ka deponinë e vet?

 „Kemi vend për mbeturinat, ndodhet në dalje të fshatit, e patë edhe ju, por ai vend nuk është shumë i përshtatshëm. Nuk kemi se ku t’i çojmë mbeturinat, prandaj i hedhim atje. Pastaj atje bllokohet rruga. Atje mbeturina nuk hedhin vetëm qytetarët dhe ndërmarrja komunale, por kush të mbërrijë, sepse kjo është një rrugë rajonale“, thotë Ramadani.

DMP: A nuk ka komuna fuqi të dënojë, të sanksionojë?

„Kemi dhënë disa dënime. Për shembull, nëse hasim ndokënd duke hedhur mbeturina, ne e dënojmë. Kemi një inspektor për mjedisin jetësor dhe për të gjitha punët komunale, sepse në Komunë ka pesë të punësuar.“


Numri më i madh i dënimeve ka „rënë” në Shkup

Shoqata e inspektorëve komunalë që nga fillimi i këtij viti ka dhënë rreth 3000 dënime. Dy të tretat e këtyre dënimeve janë dhënë në Shkup. Në disa komuna, si në Kumanovë. Kërçovë dhe në Gostivar nuk jepen fare dënime, sepse kështu është politika e kryetarëve të komunave, thonë nga kjo Shoqatë. Dënimi më i ulët për hedhjen e papërgjegjshme të mbeturinave është rreth 3700 denarë, ose rreth 60 euro.


Ping-Pong

Ramadani thotë se kanë kërkuar disa herë ndihmë nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, por pa sukses. Nga Ministria thonë se përgjegjësia për menaxhimin me mbeturinat u përket komunave.

„Ministria nuk ka buxhet, por nuk ka as subvencione që ne të mund t’i ndihmojmë komunat, gjegjësisht ndërmarrjet e tyre komunale publike që janë përgjegjëse për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave komunale“ thotë Ana Karanfillova Maznevska nga Sektori për mbeturinat pranë Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.

Por, kjo ministri mund t’i marrë përgjegjësitë komunës sa i përket menaxhimit të mbeturinave nëse konstaton se pushteti lokal nuk menaxhon problemin në mënyrën e duhur. Sipas Maznevska, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më sot.

Organizatat joqeveritare të cilat deri më disa vite më parë ishin mjaft të zëshme, tani po përballen me mungesë të fondeve. Nga Qendra e gjelbër e Maqedonisë, një nga eko-organizatat më aktive thonë se po organizojnë fushata për ngritjen e ndërgjegjes.

Kryetari i kësaj organizate Metodija Sazdov problemin me deponitë e paligjshme e sheh te disa faktorë.

„Legjislacioni po vononte. Përveç deponisë Drislla, deponitë rajonale ende nuk po bëhen realitet në Maqedoni. Deponitë e paligjshme zakonisht pastrohen në kuadër të ndonjë projekti të shoqatave të qytetarëve ose iniciativave të pushtetit lokal. Kjo nuk paraqet një procedurë të rregull, dhe zakonisht bëhet para zgjedhjeve. Sa i përket personave të cilët i hedhin mbeturinat, janë të paktë shembujt ku inspektorët kanë kapur në flagrancë hedhësit e ju kanë marrë traktorët, kamionët...“

Sipas regjistrit të Ministrisë së ekologjisë, në Maqedoni ka rreth 1000 deponi të paligjshme dhe 55 deponi të rregullta, nga të cilat standardet i plotëson vetëm Drislla në Shkup. Sipas planit, depozitë rajonale do të duhet t’i mbyllnin këto vrima të zeza. Por,Maznevska thotë se faza fillestare ka kaluar.

„Kuptohet që deponitë rajonale nuk mund të bëhen brenda natës, për këtë gjë duhet kohë. Deponitë rajonale nuk do e zgjidhin problemin me vonesën e mënjanimit të mbeturinave nga vendet e palejuara dhe problemin e krijimit të deponive të paligjshme, nëse qytetarët vazhdojnë të sillen ashtu siç po sillen tani.“

Rrezik!

Nga resori vlerësojnë se shkaku kryesor i krijimit të deponive është se, në këtë mënyrë, qytetarët evitojnë pagesën për mënjanimin e mbeturinave. Por, Sazdov, problemin e shikon nga një këndvështrim tjetër.

„Kjo mbase ndodh për shkak të interesave personale dhe mosbashkëpunimit mes ndërmarrjeve komunale në nivel rajonal. Këtu zakonisht ndërhynë interesa politike, sepse në këto deponi mund të ketë shumë fitime, nëse mbeturinat riciklohen, nëse shfrytëzohet metani, etj“

Gjendja e deponive të paligjshme rrit rrezikun ndaj shëndetit të njerëzve. Por, ka edhe mbeturina të cilat janë si bomba të kurdisura e që paraqesin rrezik për mirëqenien e qytetarëve:

„Hedhja e mbeturinave mjekësore. Hedhja e mbeturinave në Drislla është relativisht e kushtueshme, kështu që një pjesë e madhe e njerëzve vendosin që mbeturinat mjekësore t’i hedhin në ndonjë deponi të paligjshme. Kërma të infektuara e të rrezikshme të cilat janë burim i infeksioneve. Rreziku është ende më i madh nëse kafshët shtëpiake vijnë në kontakt me këto mbeturina në deponitë e paligjshme“ paralajmëron Sazdov.

Shumë shpesh mbeturinat në këto vende digjen, gjë që paraqet një rrezik shtesë, mendon Xhavid Fejzulli, specialist i higjienës dhe i mjedisit jetësor nga Tetova, qytet i cili vite me radhë nuk arrin të zgjidhë problemin me depozitë e paligjshme.

„Tymi përmban materie shumë të dëmshme dhe të rrezikshme të cilat përkeqësojnë shëndetin, sidomos të personave të cilët vuajnë nga sëmundje të mushkërive, astma, bronkiti. Por, ndikon edhe te personat e shëndetshëm, sidomos te të rinjtë.“

Në Institutin e shëndetit publik nuk kanë të dhëna për rrezikun që paraqesin deponitë e paligjshme, edhe pse kjo është një nga detyrat e tyre. Vlladimir Kendrovski na udhëzon që përgjigjen ta kërkojmë në ndonjë vend tjetër.

„Ne si Institut i shëndetit publik nuk mund të kemi të dhëna për çdo deponi që ndodhet në vendin tonë. Sipas ligjit kjo gjë është përgjegjësi e Qendrave të shëndetit publik“

Në raportin e fundit të këtij institucioni të publikuar në vitin 2009, depozitë e paligjshme përmenden në një vend. Atje theksohet se Instituti ka përgatitur Udhëzues profesionalo – metodologjik dhe ka realizuar trajnime për menaxhimin me mbeturinat mjekësore në deponi.

Kështu, mbetet që secili, sa herë që hedh mbeturina organike në deponi të paligjshme, të bëjë edhe një llogari se sa i rrezikon shëndetin një veprim i tillë. Meqë dënimet nuk kanë efekt!

AddThis Social Bookmark Button