Shfaqje "kundër" Gruevskit

Premiera e shfaqjes “Opera e Lypsarëve” e Tetarit Shqiptar të Shkupit, që u shfaq në festivalin “Vera e Ohrit” ngjalli reagime për kriticizmin që kishte sa i përket zhvillimeve politike në vend. Shfaqja kishte mesazhe direkte për qeverinë, sidomos duke parodizuar Kryeministrin dhe politikat e partisë së tij. Në disa raste me referime konkrete të ngjarjeve të viteve të fundit që kanë dominuar vëmendjen e opinionit, shfaqja, e cila ishte e bërë sipas tekstit të Vaclav Havel dhe regji të Dino Mustafiq, shtron edhe dilemën se sa mund të përdoret arti si formë proteste?

Nazim Rashidi analizon

Shfaqja që u luajt të mërkurën u prit me interes nga publiku i festivalit Vera e Ohrit.  Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar ajo jep një këndvështrim dhe kritikë të realiteteve aktuale, por sërish me një mesazh universal që ka të bëjë me dilemat e vazhdueshme të lidhjeve të dyshimta që mund të ketë mes politikës dhe krimit.

Shfaqja kishte referime nga ngjarje konkrete apo politika konkrete, sidomos kritika dhe parodi për projektin „Shkupi 2014”, apo momente kur satirizohej kryeministri Nikolla Gruevski. Të gjitha këto e sillnin në kohë tekstin e Havelit, të shkruar në vitet ’70.

Por shfaqja shtron edhe çështjen tjetër se sa mundet arti të përdoret si formë proteste, ose formë shprehjeje që do kishte ndikim në opinion, në kohën kur Maqedonia po kritikohet për mungesë të lirisë së fjalës së lirë:

Pa afat kohor

Adem Karaga, është drejtor dhe aktor në shfaqen „Opera e Lypsarëve”

“Ne nuk marrim vendime se çfarë do ndodhi por ne shtrojmë çështjet për problemet ekzistuese në shoqërinë tonë. Shfaqja që sapo ka lindur me një mund të jashtëzakonshëm do të pritet me interes nga të gjitha shtete për rreth në tranzicion.

Diversity Media Production: A duhet të përjetohet si formë proteste?

„Publiku do ta vendos këtë”. 

Por sa ndikim ka arti tek njerëzit?

Dihet se në media nuk i kushtohet vëmendje e madhe veprave që mund të sjellin pikëpamje të caktuara, kjo jo vetëm për shfaqjet por edhe për format e tjera artistike.
Nga ana tjetër as numri i spektatorëve apo i lexuesve ose konsumuesve të arteve të tjera nuk është i lartë.

Por artistët thonë se megjithatë arti ka rëndësi sepse janë vepra që mbesin dhe që reflektojnë kohën në të cilën jetojmë.

Këtë e vërteton pikërisht edhe teksti i Vaclav Havel i shkruar para rreth gjysmë shekulli, por që është aktual edhe sot thotë regjisori boshnjak Dinë Mustafiç:

„Në fund të shfaqes, para skenës së fundit ne lexojmë një letër të Vaclav Havel të shkruar në vitin 1975, që ishte një protestë intelektuale, një qëndrim publik për atë se çfarë priste ai nga partia komuniste e çekisë”, thotë Mustafiç.

Vende të ndryshme, kallapi i njëjtë

Edhe publiku që e pa shfaqjen e përjetoi atë si një protestë për zhvillimet aktuale. Regjisori Mustafiç thotë se nuk e kishte të vështirë ti japë shfaqjes „erëza” lokale, sepse problemet janë të ngjashme në të gjitha vendet që kalojnë tranzicionin:

„Në Bosnjë vetëm ndryshoni emrat e partive ose politikanëve dhe do shihni ngjashmërinë e sjelljes së tyre. Nuk ka asnjë rëndësi nëse këtë shfaqje e luanit në Maqedoni, Serbi, Bonjë Hercegovinë, Kosovë, Rumani Bullgari...”, thotë regjisori Mustafiç.

Në historinë e artit dihet ekzistenca e asaj që quhet art i angazhuar, ose art që ka si qëllim të nxisë, përkrahë ose kritikojë një fenomen shoqëror. Në kohën e sotme arti duhet parë më shumë si një formë e perceptimit të realitetit nga një shtresë e caktuar e shoqërisë, sidomos kur trajtohen tema që lidhen me realitetin aktual.

Por vëzhguesit thonë se ndonëse arti ka rëndësinë e tij, sepse është shpirti i një shoqërie, sërish që ndikimi i tij të ishte më i madh do të duhej të ndiqej më shumë nga njerëzit.

Shfaqja „Opera e Lypsarëve” në shtator do të ketë premierën në Shkup, e cila është edhe me përkthim maqedonisht, ndërkohë që pritet të shfaqet edhe jashtë Maqedoninë, ndër të cilat edhe në Pragë. 

AddThis Social Bookmark Button