Kapelja e Koces dhe Maqedonia Lindore

Edhe një vit pas mbylljes të televizionit “A1” dhe gazetave të Velija Ramkovskit, nuk po përfundon tendenca e pushimit nga puna e gazetarëve dhe punonjësve në medie. Rasti i fundit është ai i televizionit “Kanal 5” dhe i gazetarëve të Media Print Maqedoni. Ekspertët mendojnë se ky proces do të shkaktojë shkatërrimin përfundimtar të gazetarisë cilësore. Menaxherët arsyetohen se po ulin shpenzimet. Nga ana tjetër, në llogaritë e medieve po evidentohen fitime të mëdha.

Analizë e Dushko Arsovski

Këtë Ilinden disa gazetarë dhe kameramanë nga “Kanal 5” do ta mbajnë mend për keq, sepse televizioni krejt papritur i pushoi nga puna. Atyre u është dhënë shpjegimi se televizioni nuk ka nevojë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm. Gazetarë dhe korrespodentë të gazetave ditore “Dnevnik” dhe “Utrinski Vesnik”  kanë marrë vendime për paga dukshëm më të ulëta. Edhe te Televizioni “Alfa” disa gazetarëve me përvojë u janë zvogëluar të ardhurat mujore dhe atë për disa herë.

Kryetarja e sindikatës të gazetarëve Tamara Çaushidis, e cila vitin që shkoi edhe vetë u pushua nga puna nga Televizionin “Alsat – M”, mendon se lëvizjet e këtilla i shkaktojnë një dëm të përhershëm gazetarisë në Maqedoni.

„Thjesht, kemi spastrime të profesionistëve në medie. Kemi një selekcionim negativ. Mediet largojnë gazetarinë si profesion e cila është kritike ndaj gjërave dhe po bëhen profesionistë të bindur, të heshtur dhe të frikësuar“ komenton ajo dhe jep edhe një shpjegim të vetin për gjërat:

‟Përse bëhet kjo? Sepse shumë më lehtë operohet, menazhohet me politikat e redaksisë  kur keni gazetarë të cilët punojnë sipas detyrave ose urdhërave të dhënë.“

Menaxherët e medieve nuk duan të bisedojnë për këtë temë. Drejtori i “Kanal 5” Ivan Mirçevski për Diversity Media deklaroi se pushimet nga puna bëhen për të zvogëluar shpenzimet, por jo edhe për shkak të mosdisciplinës. Pyetjen nëse media e tij ka një analizë se si do të reflektojë kjo në cilësinë e programeve dhe në punën e gazetarëve të tjerë, Mirçevski e vlerësoi si tendencioze dhe nuk komentoi gjë.

Reflektime dhe spastrime

Nga Qendra për zhvillimin e medieve në Shkup thonë se kjo që po ndodh nuk është një befasi.

„Gjatë kohë thonim se ky është një treg i cili nuk mund të përballojë një numër kaq të madh të gazetarëve. Dhe, normalisht, kjo do reflektohet edhe tek mediet më të fuqishme.  Deri më tani nga ky lloj tregu vuanin vetëm mediet lokale, të vogla, por tani pasojat do i ndjejnë edhe mediet më të mëdha. Në raste individuale mund të ketë gisht edhe politika, por përshtypja e përgjithshme është se kjo gjë është një reflektim i situatës ekonomike në vend dhe tek mediet“, mendon Gazmend Ajdini nga Qendra për zhvillimin e medieve.

Analiza të cilën pak kohë më parë e publikoi revista javore “Kapital” tregoi se dy televizionet më të mëdhej “Kanal 5” dhe “Sitel” nuk kanë probleme financiare. Përkundrazi, vitin që shkoi, gjatë krizës, kanë pasur një fitim të pastër prej 1.5 milion euro njëri, dhe televizioni tjetër më shumë se tre milion euro.

Gazetarja Tamara Gërnçarovska e cila vitin e kaluar u pushua nga puna nga „Utrinski Vesnik‟ nuk pajtohet me tezën se tregu mediatik po pastrohet.

„Mediet ende po ekzistojnë dhe ende po hapen medie të reja, por fuqia punëtore po vlerësohet gjithnjë e më pak në kuptimin e pagave dhe gazetarët shumë më lehtë pushohen nga puna, bëhet transferi i gazetarëve, zvogëlohen të ardhurat mujore. Kështu që, nëse më parë ekzistonte një siguri se një medie punon dhe funksionon mirë, tani kjo siguri nuk ekziston më“

Ajo ishte në mesin e pesë gazetarëve me të cilët filluan pushimet nga puna në Media Print Maqedoni (MPM). Në vendimin për pushim nga puna, mes të tjerash, ka qenë e shkruar se gazetarja ka refuzuar të bëjë detyrat e punës, ka shkaktuar dëm material, me çka ajo nuk pajtohet aspak. Çështja e saj tani është në duart e Gjykatës së Apelit. Ajo mendon se me këto spastrime mediet i bëjnë dëm vetes. 

 

„Këtu humbet cilësia sepse e gjithë barra bie mbi një numër më të vogël gazetarësh në redaski. Këtu humbet edhe cilësia e vendosjes për temat sepse ekziston frika për atë se çfarë do shkruaj, si do ta shkruaj, a do i pëlqejë teksti im ndokujt, apo nuk do e pëlqejnë. Dhe është fakt se me këtë në humbje është vetë gazetaria“, thotë Gërnçarovska.

 

Çaushidis jep një parashikim të sajin për atë se si do përfundojë kjo çështje:

„Në afat të shkurtër shumë keq, sepse mediet do të eliminojnë gazetarinë. Megjithatë, në afat kohor më të gjatë, mendoj se një gjë e tillë është e papërballueshme. Sado që ta mbushni programin me seriale, me reklama, me këtë ose atë, publiku do fillojë të kërkojë përmbajtje të tjera, do i kërkojë ato në medie të tjera, medie sociale, etj.“

Mosinteresim i decentralizuar

Tendenca negative aktuale me sa duket do të çojë drejt një centralizimi maksimal – që për ndodhitë të informohet vetëm nga kryeqyteti. Gazeta “Vest” pak kohë më parë ndërpreu kontratat me një numër të madh të korrespodentëve të saj nëpër Maqedoni. Në mesin e tyre ishte edhe gazetari nga Koçani Iko Stefanovski, i cili mendon se kështu, në fund, në humbje do jenë lexuesit.

„Aq më bën nëse kryetari i qytetit të Shkupit ka ndarë ujë për qytetarët, ka dhënë kapele apo ku e di unë se çfarë ka bërë tjetër. Njerëzit duan të gjejnë edhe tekste ku shkruan për vendin ku ato jetojnë. Tani Shkupi na del të jetë i gjithë shteti. Reth 90% e informacioneve të cilat publikohen në mediet e shkruara dhe në ato elektronike kanë të bëjnë me Shkupin“

“Orka Holding”, pronari i ri i gazetave “Vest”, “Utrinsi Vesnik” dhe “Dnevnik” vetëm e vazhdoi atë që e filloi pronari i mëparshëm  – “VAC” i Gjermanisë, pushimin nga puna dhe uljen e pagave mujore. Një redaktor në “Dnevnik” këto ditë ka marrë vendim për uljen e pagës mujore pothuajse për pesë herë krahasuar me atë që ka marrë një muaj më parë.

Por, me sa duket Maqedonia nuk është një rast i izoluar. Edhe në rajon kishte një seri mbylljesh të medieve, si javorja kroate „Nacional‟ dhe gazeta „Vjesti‟. Gazeta malazeze  „Pobjeda‟ shpalli falimentimin, ndërsa gazetarët e televizionit serb „Avala‟ bënë grevë për shkak të pagave mujore të vonuara.

Edhe në Bullgari situata nuk është „livadh me lule‟, vlerëson gazetarja e famshme televizive Lora Krumova.

„Për momentin situata është shumë e ndërlikuar. Njëkohësisht, tregu i gazetarisë është zvogëluar. Ka zvogëlim të pagave, pushime nga puna. E gjithë kjo ka ndikuar që gazetarët ta kenë më të vështirë të ndryshojnë punë. Është mjaft e vështirë të gjendet punë me kushte më të mira në një medie tjetër“

Kriza në tregun mediatik në Maqedoni filloi me mbylljen e televizionit “A1” dhe të gazetave të Velija Ramkovskit. Që atëherë e deri më sot, sipas sindikatës së gazetarëve, të papunë kanë mbetrur rreth 500 gazetarë. Nga sindikata thonë se është e vështirë të vërtetohet se çfarë përqindje paraqet ky numër në numrin e përgjithshëm të gazetarëve. Mendohet se numri i përgjithshëm i gazetarëve është 1600, por ky nuk duhet marrë si i mirëqenë sepse, sipas Çaushidis,  një pjesë e madhe punojnë të pa evidentuar. Ka me dhjetëra gazeta dhe revista, me qindra radio dhe televizione.


Opsioni

Në marketing apo në sektorin joqeveritar

Ky proces nxorri në sipërfaqe edhe një dukuri tjetër – gazetarë me përvojë që largohen plotësisht nga profesioni i tyre për shkak të pakënaqësisë nga situatat. I tillë është shembulli me ish redaktorin kryesor të DNEVNIK Sasho Kokalanov i cili që pak kohë më parë po bën një punë plotësisht ndryshe nga ajo e para. Disa të tjera, si  German Fillkov dhe Sabina Fakiq, që kohë më parë e kuptuan se çfarë do ndodhte , prandaj edhe iu bashkëngjithën sektorit joqeveritar.


 

 

AddThis Social Bookmark Button