Maqedonia jeton në mohim

Rasti i Sllupçanit risolli debatet nëse është i mundur pajtimi në Maqedoni mes dy komuniteteve. Idetë që përmenden janë që nga ndërtimi i përmendoreve të përbashkëta e deri tek pranimi i realiteteve të ndara. Por edhe pas 11 vjetësh të Marrëveshjes së Ohrit, e cila erdhi si rezultat i konfliktit të vitit 2001, a jeton Maqedonia në mohim të realiteteve të reja?

Nazim Rashidi analizon

Sllupçani – akti i vendosjes së luleve nga ushtria e ARM-së, para përmendores së UÇK-së po ndan shoqërinë në Maqedoni mes atyre që mendojnë se veprimi ishte akt pajtimi ose përçarës. Por asnjë nuk po e shikon ngjarjen si një alarm se në fakt në Maqedoni jetohet në mohim. Ajo që mohohet është kushtetuta, ligjet struktura e gjithë shtetit, të cilat si rrjedhojë e kompromisit që solli Marrëveshja e Ohrit tani janë pjesë e rendit ligjor në Maqedoni. Së këndejmi pyetja që duhet shtruar është se pse ende nuk ka gatishmëri të pranohet Maqedonia e re e nxitur nga zhvillimet e vitit 2001, për të cilat ndikuan edhe njëra edhe pala tjetër, për të cilën Maqedoni e cila jetohet sot pati viktima edhe nga njëra edhe nga pala tjetër, pa çka se viktimat ranë nga pozicione të përballura, por me dëshirë për të parë këtë vend më të mirë?

Kultura e tolerancës

Vladimir Misev, i Institutit për Demokraci thotë se si për shumë çka mungon kulturë politike dhe prandaj disa proceseve i duhen dhënë kohë:

Vullneti politik solli ligjet, ligjet duhej të sillte një kulturë të re tolerance ndaj bashkësive etnike. Për ne është e vështirë të adoptohemi të jetojmë në këtë sistem të ri, është e vështirë të krijohet një kulturë e tillë tolerante edhe përkundër përpjekjeve të fuqishme nga shteti. Mendoj se kultura dhe simbolika të lihet jashtë politikës dhe ajo të krijohet në mënyrë autoktone në mënyrë të sinqertë, dhe jo të bëhet nën presionin e partive politike, liderëve apo elitave me qëllim që të përdoren për pikë politike”, thotë Misev.

Qeverisja aktuale ka shumë sfida, disa prej të cilave nuk po i kalon me aq lehtësi, opozita dhe kritikët do të thonë se ajo duhet të largohet nga pushteti pikërisht për këto arsye. Por ende “mrekullon” fakti që në qeveritë e Maqedonisë ndodhin kriza të thella, dhe të tilla ka pasur edhe me qeveritë e kaluara me përbërje të tjera partiake, kur çështjet etnike dalin në sipërfaqe.

A do të thotë kjo se klasa aktuale nuk ka kapacitete të ofrojë vizione të përbashkëta, të bazuara pikërisht mbi jetët e atyre që ranë me idealin për të krijuar në vend më të mirë për të jetuar?

Petrir Saraçini është aktivist i shoqërisë civile i cili përpiqet në ndërtimin e vlerave të përbashkëta, ai thotë se në asnjë moment nuk duhet harruar se marrëdhëniet ndër etnike janë shtylla e ekzistencës së Maqedonisë:

“Elitat politike vazhdimisht janë duke punuar nën drejtimin e degradimit gradual dhe afatgjatë të shtetit në të gjitha kontekstet. Deri sa nuk e ndërrojnë qasjen e tyre, sidomos ndaj shtyllës që e mban këtë shtet, ne do kemi këtë ecje-jakje nëpër tranzicion, marrëdhënie të tensionuar ndër etnike, nëpër një kontekst politik që nuk ofron asnjë zgjidhje për problemet ekonomiko-shoqërore që i kemi. Do të mbesim një kënetë e cila asnjëherë nuk do të shpërbëhet por as nuk do të shndërrohet në një ambient të shëndosh por të jetuar dhe vepruar”, thotë Saraçini.

Përballje me realitetin

Turbulencat politike janë pjesë e “normales”, por çështja është se sa ato sjellin ndryshime që kontribuojnë në arritjen e zgjidhjeve, çuarjen e shoqërisë përpara? Ajo që ka ndodhur deri më tani në situata të ngjashme të shkaktuara nga turbulenca me etiketë etnike, gjërat kanë mbetur në statusin vend numëro.

Sipas Sefer Tahirit, analist, kjo ka të bëjë me mendësinë e strukturave politike:

“Kjo vjen si pasojë e mosgatishmërisë dhe mos pasjes së vullnetit jo vetëm politik por edhe intelektual, shoqëror dhe publik për tu ballafaquar me një realitet që ekziston dhe ai është se shqiptarët nuk e kanë më statusin e para vitit 2001, i cili është determinuar me kushtetutë dhe me marrëveshjen e Ohrit. Pala maqedonase sikur dëshiron vazhdimisht të rikthehet në pozicionet që ka pasur pala shqiptare para vitit 2001”, thotë Tahiri.

Ajo që vlerësohet nga bashkëbiseduesit e Diversity Media është se përtej konstatimeve se Sllupçani është një koordinim për të zbehur njoftimet për valën e shtrenjtimeve, apo garën për mbështetje nga elektorati nga partnerët e qeverisë, përtej debateve se sa pajtuese apo përçarëse ishte rasti, Sllupçani duhet ti zgjojë ata që jetojnë në mohim për realitetet e Maqedonisë. E ai është se sot e 11 vjet të gjithë jetojnë në Maqedoninë e krijuar si rrjedhojë e jetëve të humbura që çuan në kompromisin që sot është realitet. 

AddThis Social Bookmark Button