Edhe shqip në Mak fest?

Në festivalin e këngës zbavitëse “Mak fest” këtë vit kishte intepretime në gjuhë të tjera, kryesisht në serbisht veç maqedonishtes. Ky fakt shkaktoi reagime në rrjetet sociale duke nxjerrë në pah edhe një herë debatet se pse nuk mund të këndohet në shqip në festivalet e Maqedonisë. Organizatorët e festivalit thonë se nga ky vit një gjë e tillë ishte e mundur nëse këmgëtarët kanë preferuar një gjë të tillë. Por megjithëse një aktivitet kulturor, debatet marrin nuanca politike rreth asaj se perceptohet kultura në Maqedoni.

Nazim Rashidi analizon

Ndërkohë që zhvillohej nata finale e festivalit “Mak Fest”, në televizionin Alsat në Maqedoni transmetohej programi X Factor Albania. Në jurinë e këtij show-u që është në kërkim të talentëve muzikor, ndër të tjerë është edhe këngëtarja nga Maqedonia Tuna. Ndër konkurrentët kishte edhe shqiptar të Maqedonisë, disa prej tyre sidomos Kanita, një vajzë 11 vjeçare ngriti në këmbë publikun. Por ndërkohë që publiku shqiptar ndiqte X Factor Albania, në festivalin “Mak Fest” kishte interpretime në gjuhë të tjera për veç maqedonishtes, por jo edhe në gjuhën shqipe ose gjuhën që përdoren në Maqedoni. Kryesisht ishin në serbisht.

Pse vetëm serbisht?

Rreth këtij fakti në rrjetet sociale në internet pati reagime ndër ta ishte edhe Jellmaz Dervishi redaktor i programeve zbavitëse pranë Alsat M.

“Mendoj se kur i jepet e drejtë disa artistëve të këndojnë në gjuhën e tyre pse kjo mos vlejë edhe për shtetasit e Maqedonisë. Koncepti duhet të vlejë për të gjithë dhe jo vetëm për disa”, thotë Dervishi.

Festivali “Mak Fest” organizohet prej vitesh. Në të është kënduar në gjuhë të tjera veç Maqedonishtes, në mbrëmje të veçanta, por është hera e parë këtë vit që këngëtarëve iu mundësua të zgjedhin gjuhën e interpretimit edhe në konkurrim.  Marina Stojanovska përgjegjësja për komunikimin me publikun pranë festivalit thotë se kjo është bërë për ta modernizuar atë:

“Ideja ishte që festivali të ngjajë si evrovizioni ose festivale të tjera botërore, ku çdo këngëtar mund të zgjedhë se në çfarë gjuhe mund ta interpretojë këngën”.

Por këngëtarët shqiptar thonë se nuk dinin për një gjë të tillë, ata shtojnë se zakonisht nga organizatorët e festivalit ka rezistencë për përdorimin e  gjuhëve që fliten në Maqedoni, sidomos shqipes. I tillë është rasti edhe me festivalin e Shkupit, nga i cili përzgjidhet edhe kënga që përfaqëson Maqedoninë në Evrovizion. Ata thonë se në këtë mënyrë shqipja nuk pranohet si gjuhë e cila krijon kulturë dhe art të Maqedonisë.

 

Agim Poshka, është këngëtar dhe përfaqësues i Shoqatës së Artistëve Shqiptarë të Maqedonisë:

“Është vazhdimi i një sërë problemesh që krijon zemërngushtësia artistike në Maqedoni nuk duhet të jetë prezente në mesin e artistëve. Duhet të jemi të ndershëm, se nuk e dimë nëse (në “Mak Fest”) kanë konkurruar shqiptarë, mirëpo kjo nuk është bërë publike në asnjë vend se shqiptarët mund të këndojnë edhe shqip. Bëhet fjalë për një absurditet që ndodh në Maqedoni si në shumë sfera të tjera të jetës, midis tyre edhe në muzikë”, thotë Poshka.

Festivale multietnike siç është Maqedonia

“Mak Fest” zhvillohet në Shtip dhe është aktivitet i komunës e cila ia akordon organizimin subjekteve të ndryshëm. Këtë vit atë e organizoi “Nova Iks Idea”. Zëdhënësja e festivalit thotë nëse do ta organizojnë edhe vitin tjetër atëhere gjuha si këtë vit nuk do të jetë problem: 

“Të gjithë ata që nuk e dinin se këtë vit në festival këngët mund të interpretoheshin edhe në gjuhë të tjera, vitin tjetër mund të konkurrojnë me regjistrim demo dhe nëse përzgjidhen nga juria profesionale do të mund të interpretojnë në edicionin e ardhshëm të “Mak Fest”-it”, thotë Marina Stojanovska.

Por Jellmaz Dervishi thotë se përpjekjet duhet të jenë më të mëdha që aktivitetet artistike të reflektojnë Maqedoninë ashtu siç është. Ai thotë se vetëm serbishtja është më e pranueshme nga organizatorët dhe kjo lidhet me të kaluarën dhe lidhjet gjatë ish Jugosllavisë. Por sipas tij është e papranueshme që Mediet, publiku maqedonas mos të njohë krijimet e të tjerëve, sidomos shqiptarëve që po lënë gjurmë në rajon.

“Mendoj se është një diskriminim sa i përket artistëve shqiptarë, turq rom.  Muzika është muzikë dhe nuk duhet të ketë barriera gjuhësore”, thotë Jellmaz Dervishi.

Ndonëse aktivitet kulturor, sërish debati nxjerr në sipërfaqe dilema që kanë të bëjnë edhe me politikën. Me konceptet nëse kultura që krijohet në Maqedoni, mund të pranohet si barabartë, pavarësisht se kush e krijon atë.

AddThis Social Bookmark Button