Zgjidhje për papunësinë

Maqedonia zë vendin e parë në Evropë për kah numri i të rinjve të papunë. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve 57,7% janë të rinj deri në 29 vjet. Megjithatë, puna përmes internetit mund të jetë një zgjidhje dhe mundësi për të qëndruar dhe për të ndërtuar një të ardhme në këtë vend. Sa mund të fitohet, por edhe sa janë të gatshëm kuadrot tona IT të dalin në tregun elektronik botëror?

Analizë e Ljupka Trajçova nga Radio Ejnxhells nga Shtipi

Sllobodani, 22 vjeç, është absolvent i informatikës nga Shtipi, i cili kohën e tij në internet nuk e kalon nëpër rrjetet shoqërore, por për të fituar. Ai ka faqen e tij të internetit në të cilën publikon të reja nga Apple. Ai fiton nga reklamat e publikuara. Siç thotë Sllobodani, kjo jo vetëm që ia paguan studimet, por për të paraqet edhe një përcaktim profesional në jetë.

“Në faqen time të internetit jam aktiv tashmë rreth tetë muaj. Në fillim nuk e mora seriozisht, por tani e punoj profesionalisht. Fitimet varen nga numri i vizitorëve të faqes dhe zakonisht arrin mbi 500 euro në muaj”.

Sllobodani është një ndër të rrallët në mesin e të rinjve të cilët fitojnë me ndihmën e internetit. Bizneset on-line premtojnë fitime solide, e në ndërkohë kërkojnë investime minimale – një kompjuter dhe lidhje me internetin. Megjithatë, shumë nga moshatarët e tij e injorojnë këtë mundësi.

Këtë e thekson edhe Zllatko Bllazhevski, koordinator i Klubit të E-biznesit pranë Fakultetit të ekonomisë në Universitetin “Goce Dellçev”.

“Pjesa më e madhe e studentëve sot presin të përfundojnë me studimet e pastaj dikush t’ju ofrojë ndonjë punë dhe rrogë dhe kështu të rregullojnë jetën e tyre. Pjesa më e madhe e studentëve janë të pa interesuar, të pamotivuar, pasiv, për të filluar ta ndërtojnë të ardhmen e tyre”.

Pasiguri

Shteti, përmes Agjencisë për punësim për të rinjtë deri në 27 vjet ofroi para për fillimin e bizneseve on-line. Në Shtip këtë program e kanë shfrytëzuar vetëm 3 të rinj.

Profesori i informatikës në Fakultetin e informatikës në Shtip, Zoran Zdravev, problemin e sheh tek pasiguria e programerëve të rinj. Prandaj, siç thotë ai, shumë rrallë vendosin të dalin në tregun elektronik botëror.

“Ekzistojnë faqe interneti të cilat ofrojnë punë jashtë shtetit dhe detyra pune të cilat me ndihmën e internetit mund të kryhen nga vendi aktual i banimit. Studentët tanë që studiojnë në Universitetin “Goce Dellçev” janë të përgatitur t’u përgjigjen këtyre sfidave, por ju mungon një siguri më e madhe. Pra, ata kanë nevojë që një periudhë të shkurtër ta kalojnë duke bërë punë praktike një ndonjë ndërmarrje për IT, që të mund të shohin se për çfarë në fakt bëhet fjalë. E pastaj, në mënyrë të pavarur të fitojnë para përmes internetit”.

Megjithatë, faji për interesin e dobët për fitim përmes internetit dhe pasiguria për fillimin e një E-biznesi nuk qëndron vetëm tek të rinjtë, por edhe tek hulumtimi i Forumit arsimor rinor.

Sandra Atanasovska nga FAR thotë se programet joadekuate arsimore, gjithashtu, kanë një ndikim negativ në zhvillimin e këtij sektori.

“Institucionet arsimore nuk ofrojnë arsimim adekuat. Programet arsimore zakonisht janë të mbyllura dhe nuk u përgjigjen kërkesave ekonomike. Nëse merret parasysh fakti se 60% e të rinjve nuk e shfrytëzojnë kohën e lirë në mënyrë efikase dhe aktive (dalin nëpër kafene, rrinë në shtëpi), atëherë kemi një tendencë të vërtetuar të shpenzimit joproduktiv të kohës nga ana e të rinjve. Prandaj, institucionet arsimore duhet të gjejnë mënyra për të përsosur aftësitë e të rinjve. Interneti është një nga mënyrat përmes të cilit të rinjtë mund të kalojnë kohën e tyre duke bërë diçka të dobishme, dhe njëkohësisht edhe të fitojnë para.”

Internet tregtarë

Por, një shembull pozitiv për atë se si duhet të drejtohen të rinjtë është trajnimi gjashtëmujor falas për hapjen e shitoreve elektronike. Trajnimin, me mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës, e realizon kompania “Ekskvizit” nga Shkupi.

Pronarja Biljana Radonjanin, e cila ka themeluar E-shitoren e parë në Maqedoni, mendon se kjo është një mundësi e mirë për të fituar.

“Ne filluam me një projekt i cili stimulon sipërmarrjen dhe që duhet të zvogëlojë numrin e të papunëve dhe t’i motivojë tregtarët e ardhshëm përmes internetit që të fitojnë para. Pra, në trajnimet për hapjen e shitoreve elektronike të drejtë pjesëmarrjeje kishin vetëm studentët dhe personat e papunë. Këto trajnime, për dallim nga të tjerat, u ofrojnë mënyra më konkrete për fitim”.

Trajnimet e këtilla, si dhe trajnimet e tjera të ngjashme me këto, mund të ndihmojnë të rinjtë të shkurtojnë periudhën e gjatë të pritjes së fitimeve, që mesatarisht sillet nga shtatë deri në nëntë vjet. Kjo do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e valës së largimit të personave të arsimuar, që nga burime jozyrtare gjatë pesë viteve të fundit ka larguar rreth 20.000 kaudro të rinj të arsimuar.

AddThis Social Bookmark Button