“Për shqiptarët dielli lind në perëndim”

Euforia e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë po krijon një dinamikë e cila po vë në fokus shqiptarët në rajon.
Por si e shohin të ardhmen shqiptarët dhe cilat janë mesazhet që jepen për rajonin nga liderët shqiptarë në manifestimet e shumta?

Nazim Rashidi analizon

Mijëra shqiptarë ishin në sallën “Boris Trajkovki” në Shkup në një atmosferë të theksuar festive.

100 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka krijuar një dinamikë tek shqiptarët në të gjithë rajonin. Arsyeja sipas historianëve shqiptar është se më shumë se 100 vjet më parë shqiptarët nga gjithë trevat e Ballkanit ishin të  përfshirë në lëvizjet kombëtare shqiptare që rezultuan me pavarësinë.

Nën kontekstet e atëhershme historike figurat historike përfshinë të gjithë trevat shqiptare pinjollët e të cilëve janë ende dëshmitar të aktiviteteve të tyre.

Kjo i bën edhe më të forta ndjeshmërinë dhe lidhjet kulturore mes shqiptarëve edhe pse ata janë të shtrirë në më shumë shtete ballkanike.

Por cilat janë vizionet e shqiptarëve për të ardhmen.

Liderët shqiptarë përmendin siç thonë padrejtësitë historike që iu janë bërë shqiptarëve por të ardhmen e shohin tek vlerat evropiane duke qenë pjesë e saj.

Bashkëpunim shekullor me fqinjët

Retorika e tyre ndonëse populiste për shkak të euforisë së datës simbolike, tregon edhe kujdes për fqinjët e shqiptarëve.
Nga manifestimi që u zhvillua në Shkup, para mijëra shqiptarëve me ikonografi dhe brohoritje patriotike, mesazhe të tilla dhanë edhe Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha edhe Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

“Shqiptarët janë të gatshme për një bashkëpunim miqësor, afatgjatë, shekullor. Shqiptarët e lirë do të jenë forcë kryesore zhvillimi për veten e tyre dhe rajonit", tha Kryeministri Berisha.

“E kaluara e hidhur është për të dy palët, sepse pushtuesit dhe hallet i kishim të njëjta. Ne duam që këtu në këtë vend të vendoset, të instalohet mirëbesimi i mirëfilltë, ne duam respekt të ndërsjellë”, tha lideri i BDI-së, Ahmeti.

Tani fokusi nga vetvetja

Por përtej euforisë së festimeve, 100 vjetori i pavarësisë, ka sjellë kritika dhe ide ku përgjegjës dhe në fokus të përparimit dhe zhvillimit të shqiptarëve i vë vetë ata.

Murat Jashari, është pasardhës i familjes së Adem Jasharit, familja e ngushtë e të cilit me mbi 20 anëtarë u shua nga forcat serbe para fillimit të konfliktit në Kosovë.

Ai tashmë përgjegjësinë për të ardhmen e shqiptarëve e shikon tek vetë ata:

 “Sot ka ardhur koha që mos ti fajësojmë të tjerët. Deri më sot kemi fajësuar fuqitë e mëdha, armiqtë që kanë kaluar në tokat tona, që pan[ë pasur prioritet sundimin e tokave tona. Sot nuk i kemi më ata. Sot duhet ti kthehemi vetvetes, të mobilizohemi ta bashkojmë mendjen dhe të shërbejë kz 100 vjetor për ide të reja për të ardhmen e kombit tonë”.

Sipas tij, por edhe të shumë ekspertëve, analistëve dhe figurave publike, fokusi dhe strategjia për përparim është vetëm tek arsimi:

 “Politikanët janë për të ekzekutuar plane, jo për ti bërë. Planet duhet ti bëjnë akademikët kokat e mençme të fushave të ndryshme”, thotë Murat Jashari,

Forca intelektuale e 100 viteve më parë dëshironte që shqiptarët ti shihte pjesë të Evropës. Më së miri këtë frymë e artikulon thënia e asaj kohe se “për shqiptarët dielli lind në perëndim”, kjo është dhe një nga thëniet ,më të cituara sot. 

AddThis Social Bookmark Button