Ballkan via Hagë

Tribunali i Hagës i liroi të akuzuarit e paradokohshëm për krime kundër njerëzimit në rajon. Sipas një interpretimi të mundshëm vendimi i gjykatës ktheu Ballkanin në fillimet e pajtimit të brishtë, dhe vendet e rajonit i vuri përballë tundimeve të reja. Sipas një interpretimi tjetër, popujt e Ballkanit janë lodhur nga luftërat. Madje edhe nga ëndrra për Shqipëri të madhe, për Serbi të madhe...Pyetëm se sa kthimi në shtëpi i Ante Gotovinës dhe Ramush Haradinajt do i zgjojë nacionalistët në Ballkanin perëndimor të trazuar?

Analizë  e Vesna Kollovska

Në sheshin në Zagreb, populli e priti ish gjeneralin Ante Gotovina.

Disa ditë më pas në Prishtinë u festua kthimi i ish komandantit të UÇK-së, Ramush Hardinaj.

Të dy evenimenteve u paraprinin vendime për lirim nga Gjykata për krime lufte në Hagë. Gjykata ndërkombëtare nuk arriti të vërtetojë fajin për krime lufte tek ish komandantët, luftë gjatë të cilës humbën jetën ose u zhdukën me mijëra njerëz.

Çfarë mund të presim tani?

Sipas profesorit në Fakultetin juridik në Sarajevë Zdravko Grebo, vendimet shkaktuan turbulenca të vogla në, siç e quan ai rajonin, “copën e tokës së lumtur”. Disa i kaploi euforia, ndërsa të tjerë zemërimi.

„Ato vendime përsëri i riaktualizuan të gjitha çështjet e dhimbshme-atë që na ndodhi nga viti 1990 deri më sot, se a është kërcënuar sërish paqja, që dukej se ekzistonte për një kohë. Me sa duket pasojat do i ndjejmë edhe në Maqedoni. Për shkak të Haradinajt dhe Kosovës situata në Maqedoni mund të politizohet sërish, sidomos në Maqedoninë perëndimore. Këtu askush nuk e ka të lehtë“.

Pasojat

Sipas profesorit Grebo, ne do i ndjejmë për gjatë kohë pasojat e dy vendimeve të Gjykatës së Hagës.

„Mirë, festa është festë, flamujt janë flamuj dhe gjithë kjo është në rregull. Por, ajo që pashë në festimin e 100 vjetorit  nuk do kalojë aq lehtë. Ideja për Shqipëri të madhe nuk ka vdekur dhe do jetë aktuale. Kjo do të thotë që brenda në Maqedoni do të ketë nevojë për  shumë tolerancë dhe durim që këto marrëdhënie të mbahen nën kontroll. Në të kundërtën, gjithnjë mund të përshkallëzohen në përleshje. Nuk dua të jem lajmëtar i lajmeve të këqija, por kam frikë se ju presin kohëra të vështira“.

Megjithatë, sipas profesoreshës Biljana Vankovska, koha e luftërave ka kaluar, ndërsa qytetarët e rajonit janë ngopur me dhunë. Sipas saj, nacionalizmi romantik nuk vlen në një kohë kur politikanët rajonal trokasin dhe lusin para dyerve të Bashkimit Evropian.

„Nëse ne BE-në e shohim si mënyrë integrimi në më shumë nivele dhe atë, fillimisht si integrim të njerëzve, e pastaj edhe të shteteve dhe popujve, atëherë BE-në e shohim si mënyrë për realizimin e ëndrrave tona të mëdha. Kjo është absurde. Kjo do të thotë që ne nuk e kemi kuptuar qëllimin e evropizimit dhe nuk e  kemi kuptuar mesazhin se përse u pajtuan francezët dhe gjermanët, dhe çfarë domethënie kishte kjo për paqen në kontinent. Në këtë aspekt, ne ende jemi ballkanas“.

Edhe ish gjenerali kroat Ante Gotovina edhe ish komandanti i UÇK-së Ramush Haradinaj paralajmërojnë karrierën e tyre politike.

Profesori Nazmi Maliqi që ka ndjekur karrierën e tyre thotë se ato, si politikanë, nuk do luajnë me kartën  nacionalizmit.

„Mendoj që ato nuk do i futen politikës së nacionalizmit dhe radikalizmit, sepse duke parë se si është zhvilluar karriera e tyre, ato mbase do duan ta vërtetojnë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, pra, që ai vendim është i drejtë. Unë pres që qëndrimi i tyre të jetë shumë më tolerant, shumë më pozitiv nga ai i disa politikanëve në skenën politike në Kosovë dhe në Kroaci“.

Sipas Maliqit, pas kaq shumë luftërash dhe mosmarrëveshjes duhet ndjekur shembulli i Francës dhe Gjermanisë për ndërtimin e bashkëpunimit mes popujve në hapësirat Ballkanike. Ai mendon se po vjen koha e pajtimit.

Pajtimi

Luftëtarja për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq, thotë se pas gjithë kësaj, duhet folur për viktimat dhe për pajtimin.

„Nuk ka alternativë tjetër për pajtimin. Ekzistojnë gjenerata të ardhshme. Bota, Ballkani, Evropa po ecin përpara. Për shkak të krimeve për të cilat janë përgjegjës edhe pushtetet aktuale gjithandej, për shkak se nuk ndërmarrin asgjë për ta tejkaluar atë trashëgimi të rëndë, nuk mund të themi se nuk do komunikojmë më me fqinjët tanë. Sa i përket planit të pajtimit, bashkëpunimi është i domosdoshëm.”

A është i mundur pajtimi në Ballkanin në të cilin, sipas disa analistëve “jetojnë popuj të prirur për dhunë, e ku për vite me radhë nuk ka ndryshuar asnjë gjë, përveç teknologjisë ushtarake”? Sipas të tjerëve, është i padrejtë perceptimi për Ballkanin, i cili tashmë ka pasur më shumë konflikte të importuara se sa konflikte të cilat i kanë shkaktuar vetë popujt e tij.

Pjesëmarrësi në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni dhe ish deputet Abedin Zymberi mendon se nuk duhet folur për të kaluarën e afërt, por për pajtim.

„Nëse unë që kam humbur në atë konflikt dhjetë anëtarë të familjes jam gati të zgjas dorën e pajtimit, më thoni një njeri që do e ndalonte atë dorë e nuk do e zgjaste të tijën“. 

Artistë, intelektualë, profesorë, politikanë dhe njerëz të zakonshëm nga rajoni mbështetën idenë për krijimin e një komisioni që do merret me viktimat dhe me pajtimin. Ose, siç thotë një nga nismëtarët, intelektuali kroat Zharko Puhovski në fjalimin e tij drejtuar politikanëve – “Nëse nuk ju shkon me të gjallët, provojeni me të vdekurit.

AddThis Social Bookmark Button