Po kthehet Amon Ra

Ditën e shtunë Egjipti do dalë në referendum për kushtetutën e re. Këtë projekt të presidentit Mohamed Morsi, forcat liberale e shohin si kufizim të proceseve demokratike të cilat filluan pas rrëzimit nga pushteti të “dorës së fortë” Hosni Mubarakut.  Demonstratat e qeta të opozitës po kalojnë në demonstrata të përgjakshme. Veprimet e gabuara të presidentit të parë demokratik hodhën kripë në plagën e hapur të shoqërisë së ndarë, të rënduar nga varfëria dhe papunësia e madhe.

Analizë e Dushko Arsovski

Deri para dy vitesh Deti i kuq ishte karrem për vizitorët e huaj. Egjipti fitonte miliarda dollarë të ardhura nga turizmi. Ofronte pushime verore të lira, por luksoze. Pas pranverës arabe, shteti nuk mund të dalë nga kriza politike, kështu që për festat e fundvitit janë anuluar të gjitha udhëtimet.

Pas ardhjes në pushtet të Mohamed Morsit nga partia Vëllazëria myslimane, në Egjipt sundon pasiguria, ndërsa qytetarët janë përballur me një befasi të pakëndshme.  Në mesin e  këtyre qytetarëve është edhe Karim Anvar, një biznesmen i ri nga Aleksandria. Ai, për Diverziti Media sqaron:

„Nuk prisnim që kjo diktaturë të rritej kaq shpejt, vetëm për disa muaj. Kandidatin e  Vëllazërisë myslimane, Mohamed Morsi, e konsideronim një islamit të matur, e jo radikal. Ai tani po tregon një fytyrë shumë radikale dhe të dhunshme dhe kjo ishte një befasi e madhe për mua, por edhe për të gjithë.“

Radikalizimi

Anvar u angazhua në politikë me qëllim, siç thotë, që të ketë sukses koncepti qytetar i shtetit.  Tani ai është zëvendës i sekretarit të përgjithshëm të Partisë liberale për liri që është në opozitë e cila ka një deputet në Kuvendin e Egjiptit i cili numëron 508 deputetë. Këto ditë ai është vazhdimisht në protesta kundër vendimit të presidentit Morsi për referendum për kushtetutë të re, gjë të cilën pjesa më e madhe e popullatës në vend e konsiderojnë si një hap jodemokratik dhe të përshpejtuar. Mes të tjerash, shkurtohen edhe të drejtat e grave.

„Radikalëve islamik iu dërgua mesazhi se nuk mund ta ndryshojnë shtetin civil në Egjipt. Nuk mund ta kthejnë vendin kah Irani, kah Afganistani.  Ne do kishim dashur të jemi më afër mënyrës në të cilën Turqia vepron në skenën ndërkombëtare“, thaAnvar.  

Protestat edhe më shumë i ndezi Dekreti i presidentit të Egjiptit me të cilin ai fitoi të drejta të pakufizuara deri në ardhjen në fuqi të kushtetutës së re.


Vëllazëria myslimane, e formuar në vitin 1923 ishte partia e vetme e organizuar gjatë kohës që në pushtet ishte Hosni Mubaraku, krahas Partisë Demokratike kombëtare të tij e cila u shpërbë pas revolucionit.


Demonstruesit e rrethuan pallatin presidencial, kishte edhe pesë viktima, por as kjo gjë nuk e detyroi çalën e pakënaqur që të tërhiqet.

„Nuk do mund të flasim – nuk do dëgjohet zëri ynë. Morsi e bëri veten të pa prekshëm dhe thotë se kjo është vetëm përkohësisht. Nuk do e besojmë këtë.“

„Do jemi këtu deri sa ai të largohet, sepse nuk do që të tërheqë dekretin. Morsi nuk flet me ne, por vetëm me klanin e tij dhe Vëllazërinë myslimane, e ne nuk jemi pjesë e tyre.“

Mohamed Morsi këtë fundjavë u tërhoq nga Dekreti, por jo edhe nga referendumi për Kushtetutën e re të caktuar për ditën e shtunë. Ai e autorizoi ushtrinë, që në rast nevoje, të bëjë edhe arrestime. Më parë, në fjalimin e tij drejtuat kombit, fjalim të cilin shumica e vlerësuan si kopje të Mubarakut, ai ishte i vendosur.

„Sigurimi i dekreteve dhe ligjeve presidenciale nuk mund të nënkuptojë edhe arsyetim që gjyqësia të mos i kryejë detyrimet e veta. Nuk mund të jetë arsyetim që qytetarët të sfidojnë vendimet ose ligjet. Dekreti i presidentit nuk mund të përdoret për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetit shtetit“, tha Morsi.

(Mos)tolerancë

Ofelija Gaxhovska Sadek tashmë 18 vjet jetën në Egjipt.  Ajo është e martuar me një të krishterë nga Egjipti. Ajo është e shqetësuar se po kalon koha kur në vend ka ekzistuar tolerancë etnike dhe fetare.

„Egjipti është një nga shtetet e rralla në botë ku të huajt vlerësohen dhe ku mund të gjesh punë shumë lehtë. Të huajt paguhen shumë më mirë se egjiptasit.  Duket e palogjikshme, por kështu është. Ne, si të huaj që jemi, na falen të gjitha gabimet e bëra. Megjithatë, këto dy tre muajt e fundit ndjehet islamizmi në rritje, njerëzit në rrugë nuk i shohin më të huajt me pozitivizëm si më parë.“, thotë Sadek.

Edhe egjiptasit e tjerë si Karim Anvar nuk e dinë se çfarë i pret në të ardhmen nën pushtetin e Vëllazërisë myslimane.

„Kemi frikë se mos edhe në skenën politike të Egjiptit vijnë në pushtet forcat islamiste.  Por, ne kemi besim te njerëzit tanë, në forcën e qytetarëve. Populli do ngrihet sërish dhe do ia dalë mbanë të kundërvihet.“, thotë Аnvar.

Gaxhovska është edhe më e drejtpërdrejtë sa i përket asaj se çfarë rëndësie do ketë Kushtetuta e re për Egjiptin.

„Al Hasar dëshiron fitojë pushtet të mund t’i interpretojë amendamentet si të dojë, dhe kjo gjë e frikëson më së shumti opozitën. Asgjë nuk është e sigurt, sa amendamente do ndryshojnë, sa në të vërtetë islamizmi do penetrojë në segmentet e jetës së përditshme.”, mendon ajo.

Ndarje

Sipas disa analistëve kjo është vetëm njëra anë e problemit në Egjipt. Aram Nerguzijan nga Qendra për studime strategjike dhe ndërkombëtare nga Uashingtoni sqaron:

„Ajo që kemi është realiteti se shteti egjiptian është i ndarë mes sektorëve – forcat e sigurisë, gjyqësisë dhe elementeve të tjera të Qeverisë. Ato, në shumë mënyra, luftojnë mes veti; kush do ketë ndikim më të madh te Kushtetuta, pasuaria dhe strukturat e kujt do imponohen, cilat vende pune do sigurohen.“

Në një shtet me 34% papunësi, ekzistencë të sigurt ka për punonjësit e shërbimeve publike.

„Pagat nuk tejkalojnë 180 dollarë, e për këtë arsye çdo njeri bën edhe një punë të dytë që të mund të mbijetojë“, thotë Gaxhovska Sadek„Ndjehet që asgjë nuk po funksionon. Janë mbyllur pesëmbëdhjetë mijë fabrika të vogla, nuk ka punë, pagat nuk janë rritur. Pritet radhë për karburant, gazi është shtrenjtuar, gjë që më së shumti përdoret nga egjiptasit dhe prandaj ato ndjehen të gënjyer.“

Egjipti gjatë muajve të kaluar fitoi 10 miliard dollarë ndihma të huaja për tu përballur me krizën, por i humbi shpejt për shkak të rënies së bursës. Sukses i vetëm i Morsit mund të konsiderohet fakti që me ndërmjetësimin e tij erdhi deri në armëpushim mes palestinasve dhe izraelitëve. Por, nga kjo gjë kanë pak dobi punonjësit turistik. Meka për vizitorët e huaj në kohën e Mubarakut tani ngadalë po mundohet të kthehet në gjendjen e mëparshme. Por, pushteti islamist paralajmëron ndalesë për veshjen e rrobave provokative të banjos dhe konsumimin e alkoolit në plazhe. Nëse realizohet, kjo gjë do jetë goditja e fundit për turizmin, vlerësojnë ekspertët.


 

BPN 255 miliard dollarë. Turizmi merr pjesë me 11% dhe punëson 15% të popullatës.


 

 

 

AddThis Social Bookmark Button