Buxheti si Tantali

Buxheti si Tantali by Diversity Media on Mixcloud

Pas tensioneve disaditore, protesta dhe rezistencë nga opozita, maxhoranca miratoi buxhetin për vitin që vjen. Në të janë të përfshira edhe 44 amandamente të koalicionit të drejtuar nga LSDM por nuk kaloi propozimi për kursime të 200 milion eurove për harxhime joproduktive. Ekspertët janë të ndarë nëse miratimi është bërë me shkelje të rënda të procedurave. Analistët ndërkohë vlerësojnë se hapat e qeverisë do të sjellin pasoja politike.

Dushko Arsovski analizon:

Atmosfera me tensione brenda dhe jashtë Kuvendit përfundoi me miratimin e buxhetit për vitin 2012 pa praninë e deputetëve opozitar të drejtuar nga LSDM. Pas përpjekjeve që mos të lejojë votimin, forcat speciale të policisë i larguan nga salla e kuvendit deputetët opozitarë, të cilët thanë se ishin tërhequr zvarrë dhe lënduar, pamje që mund të shiheshin edhe në rrjetet sociale. Ekspertët janë të ndarë nëse me miratimin në këtë mënyrë është shkelur procedura. Profesorja universitare e të drejtës kushtetuese Tanja Karakamisheva është e prerë se gjithçka ka qenë brenda ligjit dhe sipas saj pushteti nuk e ka tepruar, madje mund të përdorte edhe mundësinë ta miratonte atë me procedurë të përshpejtuar:

“Opozita mund të sugjerojë, mund të japë mendime por jo me çdo kusht të insistojë të pranohen amendamentet e saj. Kjo nuk ndodh në asnjë vend në botë. Nuk mundet që opozita të ulet në karrigen e pushtetit. Nëse qeveria do të gabojë për miratimin e këtij buxheti, qytetarët janë ata që mund ta ndryshojnë pushtetin nëse realisht bëhet fjalë për harxhime joproduktive”

Detyra dhe përgjegjësi  

Por kolegi i Saj Bekim Kadriu nuk pajtohet.

“Ka shkelje proceduriale sipas mendimit tim, për atë se nuk debatohen dhe shqyrtohen individualisht amendamentet në komision amë, komisionin për finesa dhe buxhet dhe komisionin ligjvënës. Kjo është obligim sipas rregullores që mendoj se mund të ndikojë që dikush duke përfshirë edhe opozitën të ngrejë iniciativë para gjykatës kushtetuese, sepse mund të kundërshtohet miratimi i buxhetit, aspekti i kushtetutshmërisë para gjykatës kushtetuese.”

Karakamisheva gjithashtu shton se pushteti nuk mund të lejonte mosmiratimin e buxhetit deri para vitit të ri sepse përgjegjësia e është e tij:

“Çdo të ndodhte nëse në periudhën që vjen, në vitin 2012 ka kolaps total të shtetit, të ekonomisë të institucioneve? Kush do të jetë përgjegjës? Buxheti nuk është thjeshtë një zgjidhje ligjore që tani të themi se ne do mendohemi ç’të bëjmë. Buxheti është thelbi i sistemit, thelbi i shtetit”

Sipas Kadriut ndërkohë mënyra se si u miratua dokumenti kyç do të sjellë pasoja:

“Vendimet në kuvend nuk sillen në atë mënyrë. Çdo formë e tillë e sjelljes e ndonjë vendimi duke përfshirë edhe buxhetin ngre dyshime, nëpërgjithësi për demokracinë, për raportin qeveri opozitë, për lirinë e shprehjes.”

Miratimi i buxhetit në Maqedoninë e pavarur kryesit ka kaluar pa ndonjë debat të madh publik. Por kësaj here duket se për here të parë po ngrihet lartë edhe nga axhenda e medieve.

Ndërgjegje 

Gazetarja Ida Protuger, kritike e ashpër e politikave ekonomike të qeverisë, kundërshton dokumentin e miratuar me dhunë.

“Buxheti u miratua në një situatë tejet të paqartë dhe mendoj se nuk do të jete legjitim, mendoj se as edhe nëpër vrimat e veshit dhe as me kuazi procedura ligjore nuk do të mund të justifikohet. Ky nuk do të jetë një buxhet i miratuar me procedurë ligjore. Ata do ta zbatojnë por pakënaqësia do të rrjedhë në rrugë”

Opozita paralajmëroi se tërhiqet nga puna e Kuvendit dhe beri thirrje për padëgjueshmëri qytetare. Por ky dhe hapat e mëparshëm të LDSM-së dhe partnerëve të saj janë një shpëlarje e ndërgjegjes sepse për sa kohë ishte në pushtet arkën e shtetit e ngrinte në të njëjtën mënyrë, vlerëson pronari i të përjavshmes “Kapital”, Lupço Zikov. Por sipas tij ky nuk është motivi kyç:

“Problemi i LSDM-së nuk është buxheti. Problemi i LSDM-së është se nuk kanë para në parti. E dyta ata bëjnë problem se janë në një pozitë inferiore para zgjedhjeve të ardhshme lokale, por pse jo edhe të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme. Nga ky pozicion nisjeje atyre ju duhet alibi dhe thonë hapur se duan që të bllokojnë procesin politik me rezultatin përfundimtar bojkotimin e zgjedhjeve”

Arka për vitin 2013 peshon 2.7 miliard euro. Pjesa më e madhe do të përdoret për rroga, rritjen e pensioneve dhe ndihmat sociale si dhe subvencione në bujqësi.


AddThis Social Bookmark Button