Para mbylljes!

Para mbylljes! by Diversity Media on Mixcloud

1 qershori këtë vit është ditë e cila mund të jetë “Ditë e zezë” për shumë televizione lokale. Nga kjo ditë të gjitha televizionet do duhet të punojnë me sinjal digjital, i cili do transmetohet përmes operatorit me multipleks digjital. Për transmetimin e programit përmes multipleksit televizionet lokale do duhet të paguajnë së paku 20.000 euro, para këto që vështirë se mund t’i sigurojnë.

Analizë e Ilija Stefanovskit nga Radio Koçani

Valën e parë të digjitalizimit do mund ta përballojnë vetëm të mëdhenjtë. Pronarët e televizioneve të vogla lokale vështirë se do mund t’i sigurojnë 20 mijë eurot e nevojshme që të mund të funksionojnë në nivel rajonal. Nëse gjatë vitit të kaluar vetëm 5 nga televizionet nacionale kanë realizuar fitime, duket qartë se televizionet lokale janë viktimat e para të barrës që sjellin shpenzimet për digjitalizim.

Stole Naumov, anëtar i këshillit për radiodifuzion thotë se çmimet për transmetim nga ana e operatorit të përzgjedhur parmes multipleksit, parimisht janë të caktuara.

„ Televizionet nacionale gjatë një viti do duhet të ndajnë 150 mijë euro, ndërsa ato lokale rreth 20 mijë euro. Shpenzimet shtesë që deri më tani ishin të paqarta ngadalë po qartësohen dhe ato gjithashtu do ndikojnë në interesin që kanë televizionet lokale për të kaluar në nivel rajonal. Për momentin ekziston një farë konfuzioni, i cili në një afat të shkurtër kohor besoj se do qartësohet.”

Shpenzime të mëdha

Nuk ka shtyrje të afatit të digjitalizimit, ndërsa afatit kohore ngadalë po i vijnë fundi. Televizionet lokale kanë vetëm edhe pesë muaj kohë për tu përshtatur me sinjalin digjital.

Ilço Llazarovski, pronari i një medie lokale mendon se televizionet nuk janë të informuara aq sa duhet, e as që janë të vetëdijshme se çfarë i pret.

 „Televizionet lokale nuk janë mjaft të përgatitura për digjitalizimin. Kemi shkuar nëpër takime, kemi biseduar. Por, nuk ke se kë të pyesësh, e as nuk ka se kush të të japë një përgjigje të saktë. Përmenden vetëm ato 20 mijë eurot, të cilat për televizionet e mëdha nuk janë asgjë, por për ato lokale janë shuma shumë të mëdha. Do kisha bërë apel te ato që e njohin Ligjin dhe mënyrën në të cilën ai do zbatohet, që gjatë këtyre muajve të dalin dhe t’u sqarojnë edhe qytetarëve edhe pronarëve të televizioneve se çfarë po ndodh”, thotë Llazarevski, sipas të cilit, kështu të papërgatitur ose do kërkojnë shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit, ose një pjesë e madhe e tyre do dorëzohen.

Llazo Dimitrov, pronar i një televizioni lokal, thotë se televizionet lokale nuk do mund t’i përballojnë shpenzimet për  digjitalizim. Sipas tij, një zgjidhje do kishte qenë  subvencionimi ose ndonjë shtyrje e re e afateve.

„Digjitalizimi po bëhet në një kohë të papërshtatshme për televizionet lokale. Në një kohë kur në përgatitje e sipër është edhe rajonalizimi.  Këto dy veprime kërkojnë sasi të mëdha të mjeteve financiare, që mendoj që televizionet lokale nuk do mund t’i përballojnë si duhet. Prandaj, në takimet e fundit me Agjencinë e komunikimeve elektronike në Këshillin për radiodifuzion u kërkuan disa zgjidhje-subvencione ose shtyrje, për të rregulluar gjendjen.”

Dimitrov është i sigurt se nëse Ligji për komunikimet elektronike zbatohet me përpikshmëri, numri më i madh i televizioneve lokale do shuhen.

„Realisht, ekziston një frikë dhe pasiguri tek pronarët e medieve sepse askush nuk mund të parashikojë se si do të realizohet e gjithë kjo në praktikë dhe sa me përpikshmëri do të realizohen normat ligjore. Sepse, në kushtet tona, nëse çdo gjë bëhet sipas ligjit, ka shumë mundësi që një numër i madh i medieve të shuhen për shkak të presionit nga shpenzimet shumë të mëdha, tregut gjithnjë e më të vogël dhe burimeve gjithnjë e më të kufizuara”, shprehet kategorik Dimitrov.

Spastrim?

Me digjitalizimin televizioni duhet të funksionojë në nivel rajonal sepse ky është një biznes tepër i kushtueshëm për të mbijetuar në nivel lokal. Kjo, sipas komunikologes Snezhana Tërpevska, është theksuar në Strategjinë e parë për zhvillimin e veprimtarisë radiodifuzive, dhe që atje buron edhe si qëllim.

„Tregu ynë edhe deri më tani ishte i tejngopur me një numër të madhe mediesh. Mediet lokale nuk kanë mjete të mjaftueshme nga reklamat para së gjithash sepse paratë shkonin në arkat e medieve në nivel nacional. Prandaj them se është bërë një politikë e gabuar dhe se duhet të ketë një numër adekuat të medieve në tregun në Maqedoni të cilat do i plotësojnë të gjitha nevojat e qytetarëve, përfshirë këtu edhe nevojat për informacion në nivel lokal“.

Stole Naumov nuk beson se televizionet lokale do shuhen plotësisht.

„Nëse ka më shumë, AKE do duhet të shpallë tender për operatorin i cili do ju shërbejë , sepse ligji nuk lejon që një transmetues në të njëjtën kohë të jetë edhe operator i multipleksit“.

Për Agjencinë për komunikime elektronike qershori mbetet afati për fillimin e epokës së digjitalizimit, që, thjesht, do të thotë zhdukje e numrit më të madh të televizioneve lokale, që në Maqedoni tani janë gjithsej 49. Me digjitalizimin qytetarët do fitojnë një cilësi më të lartë, por qytetet në brendi të Maqedonisë mund të mbesin pa informacione të rëndësishme për to.

 

AddThis Social Bookmark Button