Gazetaria “klinikisht e vdekur”

Maqedonia sipas raporti të organizatës Reportere pa Kufi ka pësuar një rënie prej 22 vendesh për një vit sa i përket lirisë së medies. Ndonëse një situatë e përfolur, gjendja ngre alarmin jo thjesht për gazetarinë por për demokracinë dhe lirinë si një prej vlerave themelore të shoqërive të zhvilluara.

Nazim Rashidi analizon.

Seria televizive  amerikane “Newsroom”  trajton çështje të gazetarisë moderne. Ndër të tjera një personazh në këtë serial thotë se gazetarisë i duhet donkishotizëm. Problemet e etikës gazetareske janë të mëdha në rrafsh global, por megjithatë ato në Maqedoni janë alarmante.
Para katër vjetësh liria e medies sipas Reporterëve pa kufi ishte në vendin e 34, në raportin e vitit 2013, gjendet në vendin 116. E fundit në rajon.

Por cilat janë komentet për këtë gjendje.

 “Gazetaria si profesion i cili jep kritikë për situatat në shoqëri është e vdekur ose klinikisht e vdekur. Mendoj se duhet të artikulohet rezistencë së bashku. E di që është e vështirë dhe është vështirë të kërkosh nga njerëzit që të jenë në një situatë të humbin edhe vendin e punës, por ne fund të ditës duhet pasur një reagim të përbashkët”

Tamara Çausidis e Sindikatës së Gazetarëve

Gazetaria esenca e demokracisë

Arsyet e përfolura për këtë gjendje janë ndikimet politike, lidhjet e pronarëve të medies me politikën, ndikimi në treg me reklama qeveritare, presionet, normat ligjore...
Por a kemi të bëjmë edhe me një periudhë ku shoqëria duhet ti rikthehet debateve elementare të demokracisë, ku liria e shprehjes është esenciale?

“Për fat të keq kjo qeveri gazetarinë e kupton në atë mënyrë që të mund ta kontrollojë siç i intereson asaj”

Biljana Petkovska e Institutit të Medias

Por cila do të ishte zgjidhja?

Në mënyre retorike të gjithë angazhohen për një liri më të madhe të medies.
Qeveria madje u përfshi në negociata me shoqatën e gazetarëve për këtë synim. Një ide është përforcimi i Televizionit publik i cili pastaj do të diktonte standarde.

Por a është kjo e mundur?

Harun Ibrahimi është zëvendës drejtor i këtij institucioni:

 “Nëse merret si barometër ajo që politikanët gjithmonë tentojnë të kenë dorë në serviset publike atëherë edhe radio televizioni i Maqedonisë nuk mund ti shmanget kësaj dukurie. Por gjithsesi nëse vjen në shprehje profesionalizmi presionet politike mund të anashkalohen”

Në Maqedoni vitet e fundit ka një ekspansion të medieve të reja ndërkohë. Faqe interneti ku mund të gjenden raportime profesionale, por ndikimi i tyre nuk është si ai i medieve tradicionale.

Nga ana tjetër ndonëse me më pak të ardhura nga kulaçi i reklamave mediet shqiptare kanë rritur nivelin e kritikës dhe po bëjnë një informim me më pak presione.

Por pamja e përgjithshme le shumë për të dëshiruar, dhe kjo ngre shqetësime jo thjesht për gazetarinë, por edhe për konceptin bazik të demokracisë dhe lirisë.

AddThis Social Bookmark Button