Të rinjtë më shumë vrapojnë pas politikës se sa pas topit

Partiski podmladoci- alb by DiversityMedia

Të rinjtë në Maqedoni kanë humbur ndjesinë e avangardës dhe bëhen anëtarë të partive vetëm për të fituar një vend pune, vlerësojnë disa nga udhëheqësit e mëparshëm të forumeve rinore partiake. Por, valëvitjet që u shfaqën kohët e fundit te socialdemokratët e rinj tregojnë për të kundërtën, se disa të rinj partiakë kërkojnë reforma për shkak se zëri i tyre nuk arrin deri tek më të moshuarit e partisë.


Një grup të rinjsh luan futboll në një park në lagjen Novo Lisiçe të Shkupit. Kur i pyet nëse janë anëtarë të ndonjë partie të gjithë thonë se politika nuk u intereson aspak. Por, ka edhe nga ata që e shohin politikën si një mundësi për sukses dhe karrierë përmes anëtarësimit në forumet rinore partiake. Në Maqedoni pothuajse të gjitha partitë e mëdha kanë forume rinore.

"Atje funksionon sistemi i rrathëve të mbyllur. Nëse nuk keni një lidhje të mirë për tu futur në atë rreth ju absolutisht jeni një lojtar jashtë loje dhe që nga ai çast nuk mund të veproni në asnjë mënyrë."

Ky reagim i pak kohëve më parë i një aktivisti të forumit rinor të LSDM-së opozitare hapi dilemën nëse dhe sa të rinjtë realisht kanë duar të lira për të vepruar. Presidenti aktual i Rinisë Socialdemokrate, Darko Davitkovski për këtë rast thotë se është një problem i shkaktuar nga tre njerëz të cilët janë margjinalizuar për shkak të pasivitetit të tyre në parti. Ai thotë se LSDM-ja ofron hapësirë për juniorët që ata të shprehin qëndrimin e tyre.

"Ata ndërtojnë karakterin e tyre si individë, si politikanë, në një forum rinor përmes të cilit ne organizojmë trajnime, debate, mundësi për të marrë pjesë në organet e partisë. Të gjitha këto kontribuojnë që në një ditë ata të bëhen politikanë siç i shohim në televizion. Por, për tu bërë një politikan i mirë duhet përvojë. "

Por, pikërisht një politikan me përvojë në rininë e LSDM-së u largua nga partia në vitin 2001, siç thotë, për shkak të mungesës së konsensusit për reformat brenda partiake. Llazar Elenovski pas disa vitesh dhe pas ndryshimit edhe të një partie tjetër, formoi partinë e tij.

"Ku ndodhen forumet rinore partiake varet shumë se deri ku ka arritur demokracia e brendshme në parti. Nëse kjo është më e madhe atëherë mendoj se ata do bien në sy,  nëse nuk keni atëherë ata do jenë vetëm një dorë e zgjatur”, mendon Elenovski dhe vlerëson se ndërkohë asgjë nuk ka ndryshuar.

Forumet rinore partiake për vite me radhë nga opinioni shihen si pjesë shoqëruese e më të moshuarve ose si ngjitës të pllakateve gjatë fushatave parazgjedhore. Me këtë nuk pajtohet Dime Spasov, udhëheqësi i Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së.

Ai thotë se kanë program vjetor të aktiviteteve dhe se, sipas tij, janë gjeneratorë të kuadrove për funksione të larta.

"Është i qartë kualiteti tek ata që vijnë nga Unioni i Forcave të Reja, në fakt ata janë ndër ministrat më aktiv dhe më të mirë në këtë qeveri, deputetët më aktiv dhe më të mirë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. "

Pikërisht në këtë pjesë, Elenovski sheh një revolucion të cilin e ka bërë partia në pushtet, sepse ajo ofron vende pune dhe vende funksionarësh për anëtarët e rinj të partisë, diçka që, sipas tij, nuk e kanë bërë qeveritë e LSDM-së.

Unioni i Forcave të Reja forumi më i madh politik i të rinjve në Ballkan!

Hulumtimi i  Koalicionit joqeveritar të Organizatave Rinore "SEGA" i realizuar vitin e kaluar tregoi se një e treta e të rinjve besojnë se anëtarësimi në parti do ua rrisë shanset për të gjetur punë. Drejtori ekzekutiv i "SEGA", Zoran Ilieski analizon:


"Të rinjtë partinë politike nuk e shohin aspak si një ideologji përmes të cilës ata duan të japin kontributin e tyre, të bëjnë ndryshime në shoqëri, ose të përfaqësojnë një ideologji të veçantë. Interesi i parë që ata shohin te një parti politike është të zgjidhin çështjen e punësimit".

Për këtë arsye, apo për diçka tjetër, Unioni i Forcave të Reja për 6 muaj ka pranuar 9000 anëtarë të rinj dhe është forumi më i madh rinor partiak në Ballkan, thotë presidenti i tij.

Pavarësisht nga shumë interesa të përbashkëta deri më sot nuk ka ndodhur që kundërshtarët politikë të dy partive dominuese në Maqedoni të bashkohen rreth një çështjeje. Duket sikur një mundësi e tillë e humbur ishte protesta kundër brutalitetit të policisë pas vrasjes së Martin Neshkovskit kur u shfaqën dy taborë.

Që nga fillimi i pluralizmit në Maqedoni nuk dihet për ndonjë rast kur forumi rinor të ketë pasur qëndrim të kundërt me atë të seniorëve, aq më shumë kur partia është në pushtet.

Çfarë rëndësie kanë forumet rinore në demokracitë perëndimore mund të shihet nga shembulli i Norvegjisë 17 vjet më parë në referendumin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. 

"Qëndrimi zyrtar i partisë që ishte në pushtet në Norvegji në atë kohë ishte 'pro', ndërsa qëndrimi zyrtar i forumit rinor ishte" kundër ". Imagjinoni që për një çështje kaq të rëndësishme të keni dy opsione të ndryshme, gjë që për ne ishte e habitshme dhe një shok demokratik", kujton Llazar Elenovski.

Sipas hulumtimeve më të fundit, por të para do kohëve, 15 për qind e të rinjve në Maqedoni janë politikisht aktiv. Për të bërë një krahasim, në Bosnjë dhe Hercegovinë kjo përqindje është 8, në Itali, 4, ndërsa në Britaninë e Madhe vetëm 2 për qind e të rinjve janë anëtarë të partive politike.
Me siguri kanë interesa të tjera si grupi i futbollistëve amator nga fillimi i kësaj kronike.

AddThis Social Bookmark Button