Kohë (jo) e duhur për emrin

Kohë (jo) e duhur për emrin by Diversity Media on Mixcloud

Dalja e sërishme në sipërfaqe e diskutimeve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë me greqinë, ka hapur diskutimet nëse një gjë e tillë është e mundur. Për një kohë kjo çështje dukej se u la anash, por prej disa ditësh është sërish në fokus si të përfaqësuesve të huaj ashtu edhe ata vendor.

Nazim Rashidi analizon

E vënë në fokus nga një artikull i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, por e përsëritur edhe nga përfaqësues të lartë evropian në Shkup si Catherine Ashton, përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme u sugjerua se ka ardhur koha që çështje e emrit të zgjidhet sa më parë.
Por përfaqësues të koalicionit qeverisës në Maqedoni, BDI dhe VMRO DPMNE kanë qëndrime të ndryshme se sa shpejtë duhet të zgjidhet çështja e emrit.
Ali Ahmeti thotë se nuk bëhet fjalë për presion por për nevojë:

“Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO prodhon stabilitet, anëtarësimi në NATO hap rrugën edhe në anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

VMRO DPMNE me anë të një komunikate duke iu përgjigjur Ali Ahmetit por indirekt edhe zyrtarëve të huaj që bënë thirrje të ngjashme për zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit tha se prioritare mbeten çështjet identitare, për të cilat siç thuhet s’ka asnjë çmim.

Qëndrim të cilin, ndonëse ne formë më të zbutur e artikuloje dhe kryeministri Nikolla Gruevski:

“Që të gjendet zgjidhje për emrin duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, e pranueshme edhe për Maqedoninë, qytetarët e Maqedonisë dhe popullit maqedonas”, tha Kryeministri Gruevski.

Sinjale mikse

Po çdo të thotë kjo vëmendje e menjëhershme për një çështjen që prej një kohe dukej se nuk ishte në fokus?

Analisti Albert Musliu thotë se sinjalet mund të lexohen si pozitive:

“Reagimi i disa krijuesve të opinionit ose medieve të afërta me partinë maqedonase në pushtet më bëjnë të mendoj se zgjidhja e çështjes së emrit është një opsion real. Edhe pse nuk do të më habiste të ndodhte e kundërta sepse tek ne çështjet ndryshojnë për një natë, por besoj se zgjidhja e çështjes është duke shkuar në drejtimin e duhur”, thotë Alebert Musliu.

Por këtë mendim nuk ndan gazetarja Katerina Bllazhevska e portalit Javnost.mk.

“Në plan të brendshëm nuk është arritur asnjë konsensus ose atmosfere për ndonjë referendum për të cilin insiston kryeministri Nikolla Gruevski, si dhe fakti që disa çështje VMRO i vendos lartë në piedestal siç është identiteti, kurse të tjerat kanë rëndësi dytësore”, thotë Bllazhevska.

Burime greke për Diversity media ndërkohë thonë se koha është e papërshtatshme për ndonjë zgjidhje edhe për Greqinë, ku nacionalistët janë në rritje dhe çdo zgjidhje që mund të interpretohej si lëshim peri ndaj Maqedonisë mund të sjellë reagime të mëdha. Megjithëse siç thuhet dhe në Greqi edhe në Maqedoni, mund të ndodhin edhe zhvillime të befasishme.

Por pavarësisht qëndrimeve që kanë, bashkëbiseduesit e Diversity Media thonë kjo çështje është mirë të zgjidhet sa më parë, që mos të shërbejë si argument për politikën sa i përket reformave, por dhe për të ç’bllokuar proceset integrative një herë dhe përgjithmonë të Maqedonisë.

AddThis Social Bookmark Button