Liria e shprehjes, “flluskë” për politikën

Liria e shprehjes, “flluskë” për politikën by Diversity Media on Mixcloud

Në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit një nga shqetësimet e apostrofuara për Maqedoninë ishte liria e shprehjes dhe e medieve. Në vitet e fundit Maqedonia vazhdon të shënojë rënie në këtë fushë, por pse një gjë e tillë nuk shkakton reagim më serioz nga shoqëria?

Nazim Rashidi analizon

Raporti i Departamentit të Shtetit SHBA-ve ishte i fundit që ngre shqetësim serioze për lirinë e shprehjes, por sado që reagimet e tilla vinë nga institucione relevante ndërkombëtare, reagime në Maqedoni mbetet në kuadër të opinionit profesionit qoftë akademik ose mediatik.

A do të thotë kjo se shoqëria jonë nuk i ka përqafuar siç duhet vlerat e demokracisë, ku liria e shprehjes është themeli i saj?
Artan Sadiku është filozof dhe thotë se problemi është diku tjetër:

“Duke pasur parasysh se ne ende jemi shtet shumë i varfur dhe shumica e njerëzve janë të varur nga vendi i punës dhe vendi i punës varet nga politika zyrtare besoj se vlerat dhe prioritetet janë të vendosura mbrapsht. Prandaj njerëzit vlerësojnë heshtjen dhe fitimin e të ardhurave se sa ngritja e zërit me çka direkt do t’u rrezikohej ardhmëria e tyre ekonomike”, thotë Sadiku.

Filozofi Francez Volter, në vitet 1700 do të thoshte shprehjen e tij të njohur,  “nuk pajtohem me atë që e thua por do e mbroj deri në vdekje të drejtën për ta thënë” mbrapa të cilës qëndron vlera evropiane e lirisë së mendimit dhe shprehjes.

Por disa shekuj më vonë në Maqedoni duket se këto vlera ende nuk përqafohen dot. 

Biljana Petkovska e Institutit të Medies thotë se një pjesë e arsyes është tek demokracia e re rreth 20 vjeçare por edhe tek klasa politike:

“Në Maqeodni sfera publike drejtohet nga përfaqësues të partive politike, për të cilët aspektet e lirisë së shprehjes, principet e demokracisë që janë themel i shoqërive të zhvilluara me sa duket nuk janë postulate të cilat ata i afirmojnë. Përkundrazi, në vitet e fundit jemi dëshmitarë të degradimit të këtyre standardeve, edhe pse ato përmenden në formë nominative bëhen në formë flluskash”, thotë Petkoska.

Oksigjeni i demokracisë

Por kur Maqedonia tenton të jetë pjesë e familjes evropiane dhe euroatlantike, në thelbin e të cilës është liria e shprehjes si vlerë e pa kompromis, sa shqetësuese duhet të jenë konstatime si ato si ato të raportit të Departamenti të Shtetit ku thuhet se “vetëm zëri i një numër të vogël të organeve mediatike ishin aktive në shprehjen e pikëpamjeve të ndryshme...”.

Sefer Tahiri, profesor universitar thotë se situata duhet të zgjojë shqetësim:

“Mugesa e medieve të lira dhe të pavarura dhe kritike flet se Maqedonia përballet me një diktature mediatike, me një lloj njëmendësie politike e cila reflektohet në të gjitha sferat e shoqërisë e në veçanti në atë mediatik”, thotë Tahiri.

Në disa forume të kohëve të fundit punonjës mediatik shprehin hapur konstatimin se nuk kanë bërë sa duhet në shpjegimin se pse liria e shprehjes është e rëndësishme për të gjithë shoqërinë. Por gjithashtu sipas bashkëbiseduesve të Diversity Media për këtë vlerë demokratike duhet të kujdesen të gjithë, sidomos njerëzit me pushtet në hierarkinë më të lartë të shtetit, sepse edhe pse në dukje të parë mungesa e lirisë së shprehjes prek vetëm mediet, në fakt ajo është oksigjeni i një shoqërie të lirë, ku bëjnë pjesë të gjithë pa përjashtim.

AddThis Social Bookmark Button