Komunë partiake ose komunë e qytetarëve

Komunë partiake ose komunë e qytetarëve by Diversity Media on Mixcloud

  

Politizimi ose partizimi janë pengesat kryesore në Republikën e Maqedonisë për mosfunksionimin e institucioneve publike në favor të qytetarëve. Një nga sferat që ky fenomen nuk e len pa e prekur është edhe qeverisja lokale. Si qeveriset në komunat e vendit? Si kuptohet qeverisja lokale? Si bëhesh pjesë e administratës publike? Për këto dhe në shumë pyetje të tjera lidhur me qeverisjen në nivel lokal në Republikën e Maqedonisë, u debatua në debatin e katërt me radhë që Diversiti Media e realizoi në kuadër të projektit Debate_mk në komunën e Çairit.

Në temën “Komunë partiake ose komunë e qytetarëve” debatuan, kryetari i Partisë Liberale Ivon Veliçkovski, kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti dhe politikologu Jove Kekenovski.

Sipas Kekenovskit, duhet të jemi të kënaqur me procesin e decentralizimit në përgjithësi në Maqedoni por sa i takon asaj që sot është temë e këtij takimi, ai mendon që nuk mund të jemi të kënaqur sepse, jo vetëm komunat, por, i gjithë shteti ka “rënë nga provimi”  sa i takon politizimit ose partizimit.

“Unë do t’jua kujtoj atë që para disa ditësh kryetari i parlamentit të Këshillit të Evropës tha që politizimi, gjegjësisht partizimi, janë fajtorët më të mëdhenj për thyerjen e rregullave të sistemit në institucionet e Republikës së Maqedonisë. Andaj nga ky problem ne nuk mund ta çkyçim as vetëqeverisjen lokale, d.m.th. partizimi i administratës publike është një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohemi.” – tha Kekenovski.

Për Veliçkovskin, i ashtuquajturi “partizimi i vetëqeverisjes lokale” mund të jetë fajtor për atë që ndodh këto ditë në Shkup dhe qytetarët gabimisht ta kuptojnë demokracinë lokale.

“Tani e paguajmë çmimin e mosorganizimit të bashkimit joracional të territorit dhe kompetencave të dhëna formalisht. Më lejoni të them që në komunën Qendër ka gabime të mundshme të ndikimeve të trefishta në një hapësirë. Kjo do të thotë që shteti mund të bëj përmendore, komuna mund të ndërtojë një plan tjetër urbanistik dhe e gjithë kjo mbi një shesh qyteti që tashmë ekziston. Kjo tregon funksionim jostabil të qeverisje lokale dhe shprehjen e pakënaqësisë së dikujt për çfarëdo arsye. Kjo tregon që te ne vetëqeverisja lokale nuk ekziston për qytetarët por është prodhim politik dhe prodhim i destinuar për politikën. Për këtë shkak më lejoni t’ju habis me disa politika liberale të cilat duhet t’i shpërndajë sepse mendoj që ka ardhur koha kur pas 10,11,12 vitesh pas Marrëveshjes së Ohërit ne patjetër të kuptojmë që jemi duke hyrë në një fazë të re. Në fazën kur duhet t’i vlerësojmë efektet, t’i korrigjojmë dobësitë, t’i shfrytëzojmë përparësitë e sistemit të ri të vetëqeverisjes lokale pikërisht në bazë të asaj marrëveshje. Vlerësoj që vetëqeverisja lokale duhet të nxirret nga duart e manipulimit politik. Ne nuk kemi nevojë vetëm për forma të shkallës së dytë të organizmit të komunave por edhe të organizimit të komunave sipas llojit të tyre. Do t’ju kujtoj që qyteti i Shkupit ka mbi dyzet fshatra në përbërjen e tij. Kjo nuk është e mundur për një metropol urban. Nëse duam të bëjmë ndryshim atëherë duhet të ketë komuna urbane dhe rurale sepse ato duhet të kenë qasje në fonde të ndryshme me të cilët do t’i realizojnë nevojat e qytetarëve.” – shtoi Veliçlovski.

Kryetari i Komunës së Çairit foli më shumë për problemet reale më të cilat ballafaqohen komunat e vendit në këtë aspekt.

“Decentralizimi është një proces më i thellë se deri të komuna ose administrata e komunës. Fatkeqësisht, edhe një fëmijë 5-6 vjeçar në Çair, më lehtë do t’ju flasë për përbërjen e partive politike se sa të ndonjë klubi futbollistik dhe ky është realiteti, se në këtë shoqëri gjithçka është e politizuar. Problemi esencial mendoj që është decentralizmi fiskal. Mund të ketë politika të mira, mund te ketë vullnet të mirë por meqë jam në mandatin tim të tretë dhe gjatë këtyre viteve ka pasur qeveri të ndryshme në Republikën e Maqedonisë, të gjitha ato kanë bërë thirrjen për decentralizim të obligimeve, decentralizim të kompetencave por jo edhe të financave. Dhe kur barten kompetencat pa mbështetje financiare atëherë komunat ballafaqohen me pamundësi për t’i realizuar këto kompetenca.”

Veliçkovski flet hapur për regjionalizimin ose ndarjen e pushtetit në tre nivele dhe sipas tij, këto janë çështje që po të diskutoheshin më kohë dhe të gjendej një zgjidhje, në Maqedoni nuk do të ndodhte konflikti i vitit 2001 dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend nuk do të ishin në këtë nivel përkeqësimi.

“Nëse ne do të ishim mjaftueshëm të guximshëm të hapim pyetje që kanë qenë të nevojshme, që ngjallin frikë te maqedonasit, te shqiptarët, te turqit, të boshnjakët dhe te gjithë ata që jetojnë në Maqedoni, ne praktikisht nuk do të kishim 2001-shin por do të kishim trajtim të pyetjeve adekuate në kohën dhe sfidat në të cilat gjendeshim. E vendos theksin te regjionalizimi që ta hapim jofunksionalitetin tonë momental. Nëse diçka prej sot nuk funksionon ekonomikisht, nesër nuk do të funksionojë as në aspekt politik. Merreni shembull organizimin bilateral në të cilën në emër të përqindjes së shqiptarëve, të përqindjes së popullsisë nëpërgjithësi, erdhëm deri te një numër i vogël i komunave të cilat kanë vlera të mëdha por borxhe edhe më të mëdha.  Për këtë shkak kur e hap këtë çështjen e regjionalizimit e hap çështjen për mbështetjen tonë sistemore dhe funksionale. Ne nuk mund të jemi të vetëdijshëm për këtë, ne nuk mund të zgjedhim fqinjët, por ne mund të zgjedhim raportin.”

Veliçovski e përmbylli me konkluzionin se jofunksionimi ekonomik, kur i kërcënohet Maqedonisë, kur u kërcënohet edhe komunave , do t’ju kërcënohet edhe marrëdhënieve ndëretnike.


Debati është pjesë e projektit Debate_mk që Diversiti Media i organizon në korniza të projektit të mbështetur nga Civica Mobilitas të Qendrës për Zhvillim Instatucional (CIRa). Projekti është tentativë që të inkurajojë qytetarët si dhe opinionin intelektual, akademik dhe të ekspertëve që në mënyrë aktive të inkuadrohen në zhvillimin e dialogut publik.

  

AddThis Social Bookmark Button