Standarde “të dyfishta” me decentralizimin

Standarde “të dyfishta” me decentralizimin by DiversityMedia

Kryetarët e komunave që janë nga parti opozitare thonë se qeveria qendrore është duke akorduar fonde kryesisht drejt komunave që vinë nga partitë qeveritare. Ministri i Pushtetit Lokal mohon një gjë të tillë dhe bën thirrje që të gjendet fajtori nëse qytetarët kanë dëme.
Të gjithë pajtohen megjithatë se janë qytetarët në votime që vlerësojnë këtë raporte.

Nëpër rrugën me kalldrëm e ndërtuar shekullin e kaluar po transportohen me tone perime dhe fruta të cilat i sjellin shtetit më shume se 150 milion euro në vit. Rruga është duke u rindërtuar dhe këtë e bën qeveria. Por paratë e qeverisë përfundojnë sa fillon bulevardi i qytetit të Strumicës thotë njeriu i parë i këtij qyteti, Zoran Zaev. Ai është përfaqësues i LSDM-së në opozitë dhe thotë që qeveria jo që nuk i akordon para por edhe pengon projektet e komunës, siç është rasti me rrjetin e gazit:  

“Na duhej një mendim, një dokument, një copë letre nga Ministria e financave mbi bazën e kritereve të caktuara që të mund të marrim një kredi të përshtatshme nga Banka Botërore, që të ndërtonim gazsjellës në Strumicë. Nuk morëm as një gjë njëmbëdhjetë muaj e gjysmë. Humbëm një vit dhe në fund vendosëm të veprojmë vetë dhe gjetëm fonde. Tani po ndërtojmë rrjet gazsjellës për qytetin”, thotë Zaev.

Partizimi

Në pjesën tjetër të Maqedonisë, qytetin e Gostivarit e drejton Rufi Osmani kryetari i komunës që jo vetëm që është nga opozita por i cili në zgjedhjet lokale mundi rivalin e tij, që Ministrin aktual të Pushtetit lokal z. Nevzat Bejta. Osmani thotë se qeveria qendrore përjashton komunat që drejtohen nga kryetarë komunalë nga opozita:

“Kjo tendencë është evidente, ajo mund të argumentohet në të gjitha drejtimet. Prej kur jam unë kryetar komune qeveria nuk investon në arsim, në kulturë. Qeveria vazhdon me diskriminim e komunës së Gostivarit në infrastrukturë, ajo nuk realizon as projektet që i ka filluar”.

Rufi Osmani i cili thotë se qeveria qendrore gjithmonë është sjellë në këtë mënyrë, por partizim i tillë nuk mbahet mend:  

“Nuk duet të harrojmë se të gjitha vendimet menaxheriale për investimet kapitale i marrin institucionet kryesore qeveritare, Ministritë e finesave, ekologjisë. transportit dhe lidhje dhe këto institucione rëndom favorizojnë komunat që i takojnë nga të njëjtat parti si ato të qeverisë. Qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë diskriminim që i bëhet komunës por që në instancë të fundit u adresohet qytetarëve pa varësisht nga përkatësia e tyre etnike ose kulturore”, thotë kryetar i komunës së Gostivarit.

Zoran Zaev duke dhënë shifra tenton të argumentojë qëndrimin e tij për komuna të favorizuara dhe të nënvlerësuara. Manastiri thotë ai, merr 220 milion denarë në vit nga shteti, Prilepi 190, kurse 450 milion denarë merr komuna Qendër. Qyteti i Shkupit  merr 1.8 miliardë denarë, kurse Strumica 1 milion denarë.

“Filozofia është e thjeshtë – kur keni para do të jeni të suksesshëm dhe qytetarët do të jenë të kënaqur nga puna juaj. Nëse nuk keni para, kush e di sa të jeni të mençur, s’ka vepra, s’ka realizime, s’ka zgjidhje problemesh, mbetet pakënaqësia e qytetarëve. Pastaj nëse janë të kënaqur ose ta pakënaqur, këtë e reflektojnë në zgjedhje”, thotë Zaev.    

Personifikim

Por Ministri i pushtetit lokal Nevzat Bejta, kundërshton këto deklarata dhe thotë se dikasteri i tij i trajton në mënyrë të barabartë të gjithë kryetarët e komunave dhe u bën thirrje për dialog:

“Duhet të ndajmë përgjegjësitë. Përgjegjësia që u takon kryetarëve të komunave në nivel lokal dhe përgjegjësia që u takon qeveritarëve në nivel nacional. Duhet të dihet se kush e ka fajin nëse punët nuk shkojnë përpara. Nëse një komunë nuk përparon e fajin e ka kryetari komunës kjo duhet thëne hapur, nëse një komunë nuk ec përpara dhe pengesë është qeveria duhet thënë se bëjnë pengesë kjo ministri ose ajo ministri”, thotë Bejta.

Për kundërthënie në raportet pushtet qendror dhe lokal me vite evidentojnë raportet e Këshillit të Evropës, ku Maqedonia është anëtare.

Profesorja e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanoska është nënkryetare e komisionit të ekspertëve të pavarur të Kongresit të pushtetit rajonal dhe lokal pranë Këshillit të Evropës. Përgjegjësinë ajo e shikon tek komunat:

“Në procesin e vendimmarrjes, komunat duhet ta dinë se pa varësisht përkatësisë partiake së bashku janë partner më i fuqishëm në raport më qeverinë. Ata duhet të jenë një baraspeshë e pushtetit qendror dhe jo dora e zgjatur e tij. Në një rast të tillë ata nuk do ti shërbejnë qytetarëve por partive”, sqaron Siljanovska.   

Por çfarë mendojnë qytetarët? Disa prej tyre në Gostivar vlerësojnë se çdo të thotë qyteti të drejtohet nga kryetar komune nga opozita:   

“Ndihemi se po na bëhet padrejtësi, sepse nuk vijnë para sa duhet për projekte që duhet të mbështeten nga qeveria”

“Ideja është të bllokohet puna e kryetarit të komunës, sepse vjen nga opozita, por në mënyrë indirekte vuajnë qytetarët”

“Do doja që mosmarrëveshjet e tilla në të ardhmen të tejkalohen, sepse kjo është për të mirën e të gjithë qytetarëve”

Organizata joqeveritare ADI, Iniciativa Demokratike Shqiptare me vite ndjek procesin e decentralizimit në Maqedoni. Lulzim Haziri i kësaj organizate mendon se qytetarët e disa komunave ndihen të diskriminuar:   

 “Qytetarët të edukuar politikisht duhet të jenë të vetëdijshëm për hapat që merren dhe ato ti dënojnë ose ti shpërblejë. Duhet të vendosen mekanizma të tjerë për ndarjen e buxhetit pranë qeverisë qendrore. Buxheti të jetë më real dhe decentralizimi të ndihet në mënyrë të barabartë në gjithë shtetin”, analizon Haziri.  

Komisioni evropian në raportin e fundit të progresit të Maqedonisë vlerëson se decentralizimit i duhet dhënë një nxitje më e fuqishme, kurse korniza financiare për shërbimet lokale të jetë më transparente dhe më e barabartë.  

AddThis Social Bookmark Button