Komunikim i njëkahshëm

Komunikim i njëkahshëm by Diversity Media on Mixcloud

Nuk ka informacione të mjaftueshme për vendimmarrjen të pushtetit lokal nga qytetarët, ndonëse ka përpjekje edhe nga pushteti edhe nga OJQ-të, sërish informacioni që mbërrin tek qytetarët është i pakët, ishte konstatimi nga debati i OJQ Diversity Media organizuar në qytetin e Gostivarit. Tema e debatit ishte “A miratohen politikat lokale me konsultime edhe të qytetarëve”. Ky ishte debate i 12 dhe i fundit i projektit “Debati bën ndryshim”, si dhe i katërti që organizohej në qytete jashtë Shkupit.

Nazim Rashidi sjell më shumë

Në qytetin e Gostivarit ka nisma të cilat tentojnë që ndihmojnë qytetarët të informohen për vendimet që merren në emër të tyre. Një prej tyre që ndihmon në këtë drejtim është organizata ADI.

Lulzim Haziri i kësaj organizate sqaron këtë proces:

“Edhe pse kornizë ligjore që mundëson pjesëmarrjen e qytetarëve, si referendumi apo debatet, ato janë pak të njohura nga njerëzit. Qytetarët nuk e dinë se si ndikohet në vendimmarrje”

Konstatimi është se qytetarët nuk kanë informacione sa do të dëshironin. Këtë e vërtetojnë edhe dy studentë, të cilët thonë se do të kishin dashur më shumë informacion.

“Nuk jam i informuar. Unë jam nga komuna e Vrapçishtës, komunë e vogël dhe nuk informohem për gjëra elementare a ku më për të tjera”

“Nuk jam i informuar. Ndonjëherë ka informacione në rrjetet sociale por ato nuk janë të mjaftueshme”.

Photo by Mite Kuzevski

Në Gostivar ka disa medie lokale. Por mënyra se si raportojnë atë gjithmonë është e shpejtë dhe pa shumë detaje për vendimet që ndërmerren nga pushteti lokal, thotë Marina Stojanova, gazetare e radio Kometa:

“Mendoj sa ka më shumë mundësi për informim, dhe kjo mund të bëhet nga të dy palët, anëtarët e këshillave të japin më shumë informacione për vendimet që marrin, kurse qytetarët ose vetë ose nëpërmjet shoqatave të jenë më të angazhuar”, thotë Stojanova.

Zgjedhjet – i vetmi zë i qytetarëve

Por pse ndodh një gjë e tillë? Pse është kjo kulturë e mungesës së informacionit? Këtyre pyetjeve u përgjigjet Bashkim Bakiu i Institutit për qeverisje të mirë, i magjistruar pikërisht për çështjet e pushtetit lokal.

“Për fat të keq vetëm organizatat joqeveritare janë një lidhje nëpërmjet të cilave qytetarët mund të dërgojnë zërin e tyre në nivel lokal. Të vetmin mekanizëm që ata e përdorin janë zgjedhjet”

Komunikimet mes pushtetit dhe njerëzve, kanë të bëjnë edhe me kulturën për debatin. Sa ajo është e zhvilluar. Një kulturë e cila lidhet edhe me mënyrat e qeverisjeve por edhe vetë mendësisë për të kërkuar më shumë llogari nga vetë qytetarët, thotë Mite Kuzevski i Organizatës IDEA Evropa Juglindore:

“Procesi i kultivimit të debatit nuk është i thjeshtë dhe nuk mund të arrihet që me një trajnim apo diskutim, qytetarëve tu shtrohet interesi për debat para vendimmarrjeve. Problemi është se edhe ata që duhet të nxisin një kulturë të tillë nuk e bëjnë këtë”

Kur pyeten pushtetarët lokal por edhe ato qendror për këto çështje ata thonë se gjithmonë përpiqen t’i informojnë qytetarët për vendimmarrjet e tyre. Por bashkëbiseduesit e Diversity Media në fund të debatit thanë se ka më shumë nevojë për transparencë.

  

  

AddThis Social Bookmark Button