Deputetë të mençur dhe lista të hapura

Sistemet zgjedhore, për interes të qytetarëve apo partive politike, Struga by Diversity Media on Mixcloud

Struganët ishin mikpritësit e diskutimit të parë publik të shoqatës Diverstity Media e titulluar “Sistemet zgjedhore, për interes të qytetarëve apo partive politike”. 

Përfundimi na diskutimi ishte se qytetarët duan përfaqësim më dinjitoz në parlament dhe një sistem i cili do t’ju mundësojë më shumë zgjidhje direkte qytetarëve.

Ky diskutim publik është pjesë e projektit “Diskutime Glokale” që realizohet në bashkëpunim me Alsat M dhe mbështetur nga programi Civica Mobilitas, e implementuar nga MCMS dhe organizata daneze NIRAS.

Nazim Rashidi sjell më shumë.

Sistemt zgjedhorë janë të rëndësishme sepse përcaktojnë dinamikën e jetës politike. Por kur ata po diskutohen a duhet të kenë parasysh interesin partiak apo të njerëzve?

Një nga pjesëmarrësit në diskutimin që u organizua në Strugë, politologu Bashkim Bakiu u shpreh se angazhohet për një sistem zgjedhor ku Maqedonia do të ishte një njësi zgjedhore, përjashtoi mundësinë e zgjedhjes së deputetëve nga diaspora

“Në vendet ku deputeti është zgjedhur me sistemin e shumicës ai direkt është i lidhur dhe komunikon me qytetarët. Në sistemin aktual është partia ajo që vendos deputetin, ndoshta ka ndonjë filtri se si imponohen kuadrot, megjithatë në sistemi aktual deputeti më shumë kontrollohet nga partia se sa nga qytetarët. Në këtë formë ai më shumë dëgjon zërin e partisë, liderit partiak se sa interesin e qytetarit që ndonjëherë nuk përputhet me interesin e partisë. Fatkeqësisht kohëve të fundit parlamenti nuk është shndërruar në një arenë debati por më së shumti makineri votuese pa asnjë diskutimi duke shmangur interesin e grupeve të caktuara, qytetarëve. Ajo që mungon për momentin është sistemi i vlerave mungon në institucione dhe tek partitë politike, sepse shumë lehtë mund të bëhesh deputet pa arsimin e duhur vetëm nëse ke përkrahjen e partisë ose liderit”, thotë Bakiu

Ardian Demiri, jurist nga Struga, gjithashtu panelist në diskutim bëri një prerje të të gjitha sistemeve zgjedhore me të cilat janë zhvilluar zgjedhjet në Maqedoni.

“Maqedonia këto 25 vite ka realizuar disa cikle zgjedhore. Deri në vitin 1998, përdorte sistemin mazhoritar. Ku i gjithë territori i Maqedonisë ishte ndarë në 120 zona dhe të gjitha zgjidhnin nga një deputet. Pas vitit 1998, u aplikua sistemi i kombinuar, respektivisht 85 deputetë zgjidheshin direkt nga zonat zgjedhore kurse 35 nga sistemi proporcional. Në mendimin tim sistemi mazhoritar nëse aplikohet mund të jetë më efikas se sa sistemin aktual proporcional që filloi në vitin 2002, sepse deputetët do garojnë direkt para qytetarëve. Sot me këtë sistem ne jemi këtu ku jemi, me parti të fuqishme duke anashkaluar interesin e qytetarit madje duke pasur edhe sulltan nëpër parti”, tha Demiri.

Në diskutim mendimin e tyre e dhanë dhe qytetarët. Ja si e shohin ata çështjen e sistemeve zgjedhore në raport me interesin qytetar:

“Të gjithë ne flasim për sistemin e vlerave që s’po funksionon. Mendoj se listat e hapura do jetë në funksion të sistemit të vlerave. Gjithashtu një njësi zgjedhore, me këtë model për shqiptarët sipas analizave shqiptarët mund të humbin një ose dy deputet, por kjo s’është e rëndësishme sa është cilësia e tyre.”

“Problemi im nuk është institucional por politik e cila buron nga poshtë, njerëzit. Kemi përshtypjen dhe idenë të përqendrohemi vetëm në qendër dhe harrojmë se pushteti nuk është statik por ka dinamikë dhe njerëzit prandaj duhet të bëjnë presion për interesat e tyre”.

“Ne kemi probleme bazike demokratike me kredibilitetin e institucioneve, me legjitimitetin e zgjedhësve që janë edhe pjesë e debatit me ndërmjetësim ndërkombëtar. Nëse arrihet që pesha e votës të jetë e njëjtë si parim elementar i së drejtës dhe mosdiskriminimit në nivel të gjithë republikës do të jetë një përparim. Ku cenohet pesha e votës? Listat e votuesve që janë të ngarkuara me njerëz që nuk ekzistojnë dhe devijojnë vullnetin qytetar dhe votimi i diasporës.”

Ajo që mund të përmblidhet nga diskutimi publik është se qytetarët duan përfaqësim më dinjitoz në parlament dhe një sistem i cili do t’ju mudësojë më shumë zgjidhje direkte qytetarëve.

Ky ishte diskutimi i parë publik, nga 12 që do ti organizojë Diversity Media bashkë me Alsat-M në kuadër të projektit Diskutime Glokale_mk, mbështetur nga programi Civica Mobilitas, e implementuar nga MCMS dhe organizata daneze NIRAS.

Për çështjen e njëjtë do të diskutohet dhe në Strumicë. Ideja është që më pas të bëhet një prerje e opinionit për një temë në dy qytete të ndryshme.

AddThis Social Bookmark Button