Ndotja, motiv për veprim qytetar dhe institucional

Ndotja e ajrit në Tetovë gjatë viteve të fundit kaloi dhjetëfishin e kufijve të normales dhe u përcoll me polemika dhe protestime nga banorët dhe sektori civil. Nga Komuna e Tetovës, në debatin e organizuar në kuadër të projektit diskutime glokale, thonë se tashmë janë ndërmarrë shumë masa që kanë qenë të nevojshme për reduktimin e ndotjes. Sipas Teuta Xhaferit, sekretare në Komunën e Tetovës, nuk duhet të harrohet fakti se ndotja është një problem i vjetër në Tetovë.

Teuta Xhaferi: “Çështja e problemit të ajrit nuk ka ndodh sot për nesër. Ajo problemet e saja i ka në decenien e fundit me vetë faktin që urbanizmi ka marrë tatëpjetën e vet, do të thotë, është bë keqpërdorimi në aspektin e ndërtimeve, në atë formë që kanë penguar vijat natyrale të ajrosjes së qytetit. Problem tjetër kemi aspektin gjeografik të qytetit të Tetovës meqë gjendet në një fushëgropë dhe posaçërisht në kohën e dimrit njihet inversioni i cili nënkupton çështjen e mjegullave që bien poshtë dhe ajrin e ftohtë e mban jashtë dhe në atë pjesën e ndotur të ajrit të ngrohtë nuk ka se si të marrësh frymë.”

Ndër masat që ka ndërmarrë ky institucion, Xhaferri përmendi ndalesat e mjeteve të transportit publik dhe të mallrave që destinacion të fundit nuk e kanë Tetovën për të mos kaluar brenda qytetit gjatë ditës, përpjekje që të vihen në funksion rrugët njëkahëshe, formimin e ndërmarrjes së transportit publik dhe ajo e parkingut të qytetit, rritjen e numrit të inspektorëve dhe spërkatjen e rrugëve me magnesium-kalcium acetate.

Ndërkohë nga sektori civil thonë se këto masa nuk janë të mjaftueshme dhe përderisa nuk aplikohen ashtu si duhet, nuk po sjellin rezultate. Kështu mendon Arianit Xhaferri i organizatës “Eco Guerila”.

Arianit Xhaferri: “Mendoj se shumica e masave, do t’i përmend unë me radhë, por shumica janë masa në letër, të cilat nuk japin shumë efekt në publik. Për shembull ndalesa e mjeteve të rënda të transportit është shumë masë e mirë të cilën ne nuk e kemi propozuar si lëvizje tek komuna por që komuna e gjetur si zgjidhje vetë. Mirëpo sa zbatohet në praktikë, kjo është çështja sepse më ndodh, se unë jetoj këtu në rrugën industriale në hyrje të qytetit dhe më ndodh dhe më ndodh që aty të shoh edhe mjete të rënda të transportit rrugor, maune të mëdha me mall, sepse ka depo mallrash të shumta aty, dhe ata futen edhe në mes të drekës.”

Nga komuna thonë se kur këto raste raportohen, inspektorët dalin në terren me policinë dhe ka pasur edhe raste gjobitje. Në sallë nuk kishte përfaqësues të policisë por sipas Xhaferrit, deri diku, për mospasjen e rendit në trafik, është edhe moskryearja e detyrës së plotë nga ana e policisë.

Mes tjerash u përmend edhe vetëdija e ulët e qytetarëve për rrezikun nga mosrespektimi i masave kundër ndotjes për të cilën Xhaferri përsëri drejtoi gishtin te mosfunksionimi i shtetit ligjor.

Arianit Xhaferri soli në skenë problemin e kamotshëm që ka Tetova me deponinë, në të cilën, sipas tij, përveç që digjen plehrat, digjen edhe elemente kimike shumë më të dëmshme.

Arianit Xhaferri: “Deponia është fare në hyrje të qytetit dhe ndodhet pas një mulliri ose një fabrike që prodhon bukë dhe që furnizon gjithë qytetin me bukë. Është një kohë më të gjatë aty dhe pjesa më e çuditshme është se ka qenë ai moment kur zonja kryetare e komunës, e cila sot fatkeqësisht nuk ndodhet mes nesh, ka bërë fushatë pikërisht në atë vend kur ishte kandidate për këtë vend dhe tha se ky është vendi ku kryetari I komunës, i atëhershmi zoti Sadi Bexheti ka fshehur mbeturinat dhe e shfrytëzon këtë vend si deponi të egër. Që të jemi të qartë, në faqen zyrtare të kryetares në fejsbuk është e shënuar “deponia e egër”, ndërkohë që sot ajo deponi e egër quhet “pikë ngarkim-shkarkimi”. D.m.th. është riemëruar por nuk është zgjidhur problem. Riemërimi i një deponie në një pikë ngarkim-shkarkimi, ose po deshe quaje edhe pasarelë mode, nuk e ndryshon faktin që ai është një vend ku grumbullohen dhe digjen mbeturinat.”

Komuna ka sqarimin e vet për këtë problem.

Teuta Xhaferi: “Deponinë, nuk është se kemi shkuar ta riemërojmë në stacion për ngarkim-shkarkim, por deponi për mbeturina komunale është ajo që është në Rusino dhe komuna, ndërmarrja konkretisht, ka për detyrë të gjejë vend më të përshtatshëm dhe në këtë drejtim komuna përgatit, është në procedurë të dokumentacionit planor lokal urbanistik për vendin e stacionit të ngarkim-shkarkimit për mbeturinat komunale dhe njëkohësisht vend për deponinë e mbeturinave inerte.”

Viktor Stojanoski, është udhëheqës i sektorit për inspektim në komunën e Tetovës. Ai u zotua se ekipi i tij e bën punën me përgjegjshmëri të plotë, por apeloi te qytetarët që të bëjnë pjesën e tyre.

Viktor Stojanoski: “Mund të ju them që duke u përgatitur për këtë debat, i pash vetëm të dhënat e fundit dhe kemi 16 gjoba vetëm gjatë dy javëve të fundit. Besoni që nuk është e thjeshtë se në qytet njihemi me të gjithë dhe nuk është e lehtë as të veprohet. Për atë unë apeloj që sa më shumë edhe vetë qytetarët dhe transportuesit ta respektojnë vendimin. Në këtë debat, në mënyrë absolute dhe me përgjegjësi them që në rrugët për të cilët vlen vendimi, 95% respektohet vendimi.”

Përveç problemeve që u përmendën dhe që shqetësojnë të lartpërmendurit, duket se qytetarët i shqetëson edhe një gjë tjetër, mungesa e hapësirave të gjelbra në këtë qytet që po betonizohet dita ditës.

Qytetar: “Konsideroj se mungesa e sistemit të drejtësisë i sjellë këto sepse kur nuk jepet përgjegjësi, atëherë faji gjithmonë hidhet lart-poshtë. Gjatë gjithë diskutimit mendoj se nuk ju dha hapësirë çështjes së hapësirave të gjelbra në Tetovë. Kjo është një problem kryesor sepse edhe ata hapësira të gjelbra që i ka pas komuna e Tetovës, janë uzurpuar nga kriminelë urbanistik të cilët në mënyra korruptive i kanë uzurpuar ato dhe të gjitha janë betonuar.”

Institucioni drejt të cilin drejtohet gishti, premtoi se gjatë vitit të ardhshëm qytetarët e komunës së Tetovës do të mund të kenë transport publik dhe një sistem më të rregullt parkimi, forma këto që lehtësojnë komunikacionin dhe ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit.

AddThis Social Bookmark Button