Çfarë pas Hagës?!

CFARE PAS HAGES by DiversityMedia

Maqedonia, në mos tjetër doli fituese morale në Gjykatën e drejtësisë në Hagë ndaj Greqisë, në çështjen e saj për emrit.

Por përtej “lumturisë” të çastit çfarë do të ndodhë tani?

Jeta e disa fëmijëve që luajnë në një park në këto ditë dhjetori në Shkup

mund të ishte me më shumë perspektivë nëse Maqedonia do të ishte anëtarësuar në NATO, thonë shumë vëzhgues, sepse mund të demonstrohej një qëndrueshmëri më e madhe e brendshme çka do të reflektohej si në aspekt social ashtu edhe ekonomik.

 

Por Maqedonia nuk është anëtare as e NATO-s dhe as e BE-së, pjesërisht për shkak të problemit rreth emrit me Greqinë. Për këtë ajo ngriti një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Dhe teksa gjykatësi shpaloste vendimin që ishte në favor të Maqedonisë kënaqësia  nuk fshihej.…dhe po Maqedonia doli fituese, të paktën morale, në këtë “betejë”.

Ngurtësi ose kompromis

Por, a do të shohim tani një qëndrim edhe më të ngurtë nga Shkupi zyrtar? Apo vendimi do të jetë një shtysë që kompromis të arrihet më lehtë, meqë e mori vesh bota mbarë se kush ka të drejtë?

Ismet Ramadani, nga Këshilli i Aleancës Veri Atlantike shprehet skeptik.

“Ky vendim nuk e besoj se mund të sjellë frymë kompromisi, për faktin se vetë kryeministri dhe kjo qeveri, sidomos VMRO DPMNE ka shkuar shumë larg sa i përket qëndrimeve për kompromis. Por duke marr parasysh edhe qëndrimet greke nuk mendoj se do ketë ndonjë kompromis”, thotë Ismet Ramadani.

Menjëherë pas vendimit në Hagë nuk vonuan edhe reagimet nga NATO dhe BE. Dy organizatat thanë se megjithatë do të duhet një zgjidhje për emrin.

Marko Troshanovski, i Instiutit për Demokraci thotë se Maqedonia aktualisht vetëm ka verifikuar se pozicioni i saj ka qenë i drejtë, por kjo nuk rezulton me anëtarësim:

“Nga aspekti ligjor Maqedonia sërish nuk ka mekanizma që do të garantonin integrimet euroatlantike, por, sa i përket simbolikës politike doli fituese në këtë proces. Por nga ana tjetër deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Rasmusmen ishte e qartë se mbase vendimi në Hagë është një impuls i ri në negociatat, por sërish gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët është kusht për anëtarësim në NATO”, thotë Troshanovski.

Veto do të merrej gjithsesi?

Ndërkohë Lidija Dimova e Qendrës për Edukim Evropian bën thirrje për hapa të kujdesshëm, sepse sipas saj konsensusi është fryma që të çon në BE dhe jo përplasjet:

“Që vendimi do të thotë një përmirësim i pozicionit të Maqedonisë është fakt, por realisht nga aspekti politik nuk do të thotë asnjë gjë. Nëse donim të tregojmë se Greqia luan në mënyrë “të pisët”, e arritëm këtë. Por nëse donim të ndalojmë Greqinë të na vërë veto drejt anëtarësimit në BE, atëherë nuk kemi arritur qëllimin. Edhe sikur gjykata të sillte vendim se Greqia nuk duhet të vërë veto, e madhe është mundësia që këtë ta bënte Qipro ose ndonjë shtet tjetër mik i Greqisë”, thotë Dimova.

Vendimi i Gjykatës të drejtësisë në Hagë i përkiste nenit 11 të marrëveshjes së përkohshme mes Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas gjykatës Maqedonia ka pasur të drejtë ndaj Greqisë se ajo “i ka shkelur detyrimet e saj” me çka vendi nuk u pranua në NATO.

Por që e ardhmja e këtyre fëmijëve të ndryshojë realisht duhen marrë hapa të tjerë të guximshëm.

Vendimi i Gjykatës në Hagë i dha kënaqësi Maqedonisë por nuk ndryshon dot statusin e saj, sepse për të mbërritur  në strukturat euroatlantike rruga megjithatë do të duhet të kalojë nëpër Athinë, por pa diskutim që tani me kokë të ngritur edhe më lartë.

AddThis Social Bookmark Button