Nëse vazhdojnë migrimet, deri në vitin 2025 do kemi mungesë të forcës punëtore?

Nëse vazhdojnë migrimet, deri në vitin 2025 do kemi mungesë të forcës punëtore? by DiversityMedia

Kriza në Itali ashpërsoi kriteret për pranimin e punëtorëve sezonalë nga Maqedonia. Sipas punëtorëve sezonalë nga Maqedonia Lindore të cilët këto ditë po largohen nga vendi, punë mund të fitohet vetëm me pasaportë bullgare. Por, edhe krahas kritereve të ashpra, fshatrat dhe qytetet e Maqedonisë lindore vazhdojnë të jenë të zbrazur.

Video klipi në internet i bërë me telefon celular në të cilin një punëtor i talentuar nga Maqedonia gjatë pushimit në punë bën muzikën e tij në një arkë druri. Nën diellin e nxehtë në veri të Italisë në një nga shumë plantacionet e rrushit kjo gjë është diçka e përditshme për mijëra qytetar të Maqedonisë. Për pesë euro në orë këta punëtorë sezonalë bëjnë çfarë do lloj punësh bujqësore. Në fakt, një pjesë e tyre bëjnë punën që kanë lënë në vendlindje.

Në Bllatec të Vinicës, në selinë e komunës së dikurshme mund të shihni vreshta dhe ara të braktisura, pronë e emigrantëve modern. Një djalë i ri, që ka kaluar tre muaj në Itali, thotë se në vendlindje duke bërë po atë punë bujqësore mund të fitohet madje edhe dyfishi i parave. Por, gjithsesi, ai është jashtë vendlindjes, edhe pse Italia është në prag të falimentimit, me një borxh  shtatë herë më të madh se Greqia e rrënuar financiarisht.

I gjithë fshati Bllatec në Itali

Në Bllatec, nuk ka njeri që nuk di për qytetet italiane si Kaneli dhe Alba. Atje shkojnë pothuajse të gjithë ata që nisen për në “çizmen e vjetër”. Numri i banorëve të fshatit Bllatec tani është përgjysmuar. Dikur ka pasur 3.000 banorë.
Prifti Orce Peshov, të cilin e gjetëm në kishën 161 vjet të vjetër, thotë se dhjetë vitet e fundit fshati është braktisur.

“Viteve të fundit, ka rreth 13-14 pagëzime në vit, dhe nga këta fëmijë ndodh që vetëm pesë apo gjashtë mbesin këtu për të shkuar në shkollë. Më parë në shkollë ka pasur dy ose tre klasa. Në Bllatec pothuajse nuk ka shtëpi që nuk ka dikë në Itali. Kur të shëtisni nëpër fshat, shihni 20 shtëpi, por vetëm në tre apo katër prej tyre do të gjeni njerëz”, shpjegon Peshov.

Të dy fëmijët e Bosillka Ampovas janë në Itali. Ajo me burrin e saj mbikëqyrin shtëpinë e sapondërtuar të të bijës.

“Isha atje gjatë verës vetëm për të parë se si është. Ne nuk mendojmë të jetojmë atje. E kemi mjaft të vështirë kështu të ndarë. Përndryshe, mirë është, por janë larg ... Në qoftë se ndonjë prej nesh sëmuret nuk ka se kush të kujdeset. Bisedojmë çdo të dytën ditë. Më duket sikur jemi parë. Kështu, kur bisedojmë, më kalon pak mërzia”, tregon Bosillka.

Në katin përdhes të një shtëpie trekatëshe të bukur, por të pabanuar, ndodhet një nga tre dyqanet e fshatit. Dikur kanë qenë dhjetë, ndërsa ka pasur edhe restorante dhe kafene. Pronari Aco Trenčovski thotë se disa janë kthyer nga kurbeti. Pyeta nëse kriza ekonomike globale i ka bërë të kthehen në shtëpi?

“Të gjithë kanë frikë. Ka dy-tre familje që u kthyen vitin e kaluar, por ky është një numër i vogël në krahasim me ata që janë larguar. Njerëzit që janë kthyer kanë fituar para dhe planifikojnë të fillojnë të punojnë këtu”, thotë Trenčovski.

Në Evropë me pasaportë bullgare

Por, këto gjeneratat e reja që largohen sot, deri sa të fitojnë para dhe të kthehen, do të kalojnë vite. Një pjesë e tyre, sipas punëtorit të falimentuar Mitko Mlladenov, largohen me pasaportë bullgare. Një kushëri i afërt i tij kohë pas kohe punon në Itali.

“Shko dhe puno si punëtor sezonal për dy, tre muaj, kryesisht dy herë në vit. Me pasaportë bullgare. Me pasaportat tona nuk mund të kalojmë as kufirin, të tilla janë procedurat, por është edhe më e vështirë për të gjetur punë”, thotë Mlladenov.

Të rinjtë të cilët e kanë kuptuar se nuk ka punë me liberalizimin vizave, thonë se njerëzit në radhë të gjata presin për të aplikuar për pasaportë bullgare në Sofje. Vetëm në një ditë të vetme ka pasur mbi 600 qytetarë, tregojnë njerëzit. Dhe pastaj, dihet radhiten në një nga autobusët e rregullt që shkojnë për Kaneli. Disa herë në javë furgonët dhe autobusët nisen në një rrugë të gjatë 22 orëshe nga Dellçeva, përmes Makedonska Kamenicës dhe Vinicës. Bileta kthyese kushton 2500 denarë, dhe udhëtarë të shpeshtë janë prindërit të cilët shkojnë të vizitojnë fëmijët e tyre.

Të shtunën e kaluar në autobusin që nisej në mbrëmje pjesa më e  madhe e udhëtarëve ishin djem të rinj, të cilët punojnë si punëtorë sezonalë në Itali. Na pritën armiqësisht dhe u përpoqën të mbrojnë udhëtarët nga mikrofoni.

Vinica është komuna me numrin më të madh të të punësuarve për banor. Në fund të vitit 2012 , kompania austriake “Teksport" do të transferojë biznesin e saj në Vinicë. Por shpërngulja ende vazhdon.

Varfëri, por dhe tendencë

Kryetari i komunës së Vinicës Emill Donçev thotë se shkaku është varfëria, por në Itali shkohet edhe për shkak të tendencës.

“Atje nuk shkojnë të punojnë vetëm ata më të varfrit, shkojnë të punojnë edhe ata që e kanë një vend pune, që marrin pushim pa pagesë dhe shkojnë atje që të rrisin buxhetin e tyre familjar. Nuk largohen përgjithmonë, por kjo është një punë e përkohshme. Kjo është një gjë e mirë për komunën, sepse ata sjellin para”, komentoi ai.

Shifrat jozyrtare në pjesën e fundit të Maqedonisë lindore tregojnë se më shumë se gjysma e popullatës së re është larguar jashtë vendit, kryesisht në Itali. Profesori i Fakultetit Ekonomik në Shkup, Sllave Risteski tha se tashmë  këto migrime të përhershme do ta lënë Maqedoninë pa forcë punëtore.

“Po përballemi me një proces të depopullimit. Kjo do të thotë se kemi mortalitet më të lartë nga lindjet, ose shtim natyror negativ. Republika e Maqedonisë po hyn në një fazë tranzicioni të thellë. Deri nga viti 2020-2025 do të ndeshemi me faktin që nuk do të kemi kontingjente puntorësh edhe pse tani kemi një shkallë të lartë të papunësisë me mbi 30 për qind. Megjithatë, për shkak të natalitetit të ulët këto kontingjente do të shterojnë dhe mund të mos kemi të ashtuquajturit kontingjente shkollore dhe kontingjente të aftë për punë”, thekson Ristevski.  

Ambasada e Maqedonisë në Itali vlerëson se atje jetojnë rreth 50,000 maqedonas. Në Kaneli jo shumë kohë më parë u formua edhe shoqata maqedonase. Atje janë shpërngulur edhe dy priftërinj që kanë për detyrë të bëjnë pagëzimet dhe kurorëzimet. Biletat, me përjashtime të rralla, ende blihen në një drejtim . 

AddThis Social Bookmark Button