Avokat Populli për brezat e ardhshëm. Ç’është kjo?

Avokat Populli për brezat e ardhshëm. Ç’është kjo by DiversityMedia

“Krijimi i institucionit të ri nuk do të thotë se do të ketë sukses nëse nuk punohet profesionalisht. Ne edhe tani kemi mundësi tët tilla”, komenton Sonja Lepitkova, sekretare shtetërore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përderisa qytetarët në Shkup “mbyten” nga ajri i ndotur, ata në Veles protestonin kundër rifillimit të uzinës për shkrirjen e metaleve, bota ndërkohë paralajmëroi një institucion të ri : “Avokat Populli për brezat e ardhshëm”. Në Maqedoni thuajse asnjë nuk di për atë që në botë duket se është detyrim për shkak se qeveritë më shumë kanë kujdes për paratë se sa për mjedisin. Disa nga ekspertët e vendit thonë se në vend ka institucione dhe mekanizma por ato nuk punojnë siç duhet.

Shiu që ra ditë më parë pastroi ajrin në Shkup dhe i bëri nder institucioneve të cilat u gjetën nën presion për shkak të ndotjes të madhe që u regjistrua në muajin dhjetor, disa herë edhe nëntë herë mbi kufirin e lejuar.

Pamja ekologjike nuk është rozë edhe në shumë vende të botës, prandaj Kombet e Bashkuara në një konferencë që do të zhvillohet vitin që vjen në Brazil, do të shqyrtojnë idenë për krijim e institucionit të Avokatit të popullit i cili do të kujdeset për të drejtat e brezave të ardhshëm. Rrjeti i organizatave qytetare Social Watch kohë më parë publikoi një studim në të cilin me detaje shqyrtohet kjo nismë.

Sipas redaktorit të studimit Roberto Bisio, pa një reagim të duhur brezat e ardhshëm do të kenë barrën e zhdukjes së pyjeve, ndotjes, ndryshimeve klimatike.

“Bëhet fjalë për natyrën por edhe për nipërit tanë, për dinjitetin tonë dhe për pritshmërinë e 99 për qind të shtatë miliard burrave dhe grave, vajzave dhe djemve të cilëve para dy vjetësh iu premtua qëndrueshmëri. Por në vend të kësaj, shpresa u shndërrua në pulla të kazinosë financiare botërore që nuk kontrollohet dot” thotë Bisio.

Ixhet Memeti: Vetëm institucionet e forta mund të mbrojnë si duhet

Sipas studimit në botë ka mungesë mekanizmash për matjen e qëndrueshmërisë dhe zbatimin e politikave. “Avokati i Popullit për brezat e ardhshëm” do të përgjigjej para qytetarëve, do të ishte një institucion i pavarur i zgjedhur nga Parlamenti me akses të plotë tek informacionet e rëndësishme. Do të ishte urë mes qytetarëve dhe qeverisë.  

Kushtetuta e Maqedonisë parashikon një Avokat Populli. Në krye të këtij funksioni është Ixhet Memeti. Për Diversity Media ai e komenton idenë e “Avokatit të popullit për brezat e ardhshëm”:

“Nuk do të kishte asgjë kundërthënëse në krijimin e institucioneve në nivel lokal, rajonal, etj. Por vetëm instrumente kombëtare të forta të bazuara në kushtetutë dhe që kanë mbështetjen e parlamentit munden me efikasitet të parandalojnë dhe mbrojnë”, thotë Avokati i Popullit, i cili mund të mbrojë qytetarët edhe për çështje ekologjike. Por ai thotë se qytetarët rrallë kërkojnë ndihmë për probleme të kësaj natyre:

“Ka një mendësi që tregon se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për diçka të rëndësishme për ta dhe se duhet të bëjnë ankesa. Kurse ne si institucion punojmë mbi fenomenet e përgjithshme që shfaqen nga ndotësit e mëdhenj”, thotë Ixhet Memeti.

Në fillim të dhjetorit me një nga protestat më të mëdha ekologjike në vend , qytetarët e Velesit reaguan ndaj mundësisë për rifillimin me punë të uzinës për shkrirjen e metaleve. Për shkak të ndotjes në vitin 2001, Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi Velesin si një vend të rrezikshëm për të jetuar.

Lideri lokal ekologjik Nenad Kociq thotë se kërkuan ndihmë nga gjithë institucionet ndër të cilat edhe Avokatin e Popullit:  

“Nga Avokati i Popullit na thanë se çështja do të shqyrtohet por më vonë morëm njoftim se një gjë e tillë nuk hyn në kompetencat e institucionit. Por nëse nuk ka kompetenca për ne, ç’mbeti për brezat e ardhshëm”, pyet Kociq dhe vlerëson se një Avokat Populli me kompetenca ekologjike do të ndihmonte shumë.

Maqedonia si edhe shumë vende të tjera, ka një Ministri për Mjedisin. Sekretarja shtetërore Sonja Lepitkova thotë në Maqedoni nuk ka iniciativë për krijimin e institucionit “Avokat Populli për brezat e ardhshëm” dhe propozon që Avokati aktual i Popullit të ketë një sektor të posaçëm për ekologjinë:

“Është një çështje dijesh dhe funksionimi. Nëse krijohet një institucion i ri nuk do të thotë se ai do të punojë siç duhet, nëse nuk e bën punën profesionalisht”, thotë Lepitkova.

Shteti me qëndrim deklarativ

Duke marrë shembullin e Veleist, Kociq mendon se institucionet përkatëse nuk janë efikase. Në Veles thotë ai ende lindin fëmijë me mutacione gjenetike, është rritur numri i aborteve spontane dhe ka një numër rekord njerëzish të sëmurë me kancer.

“Qeveria me fjalë gjithmonë ka thënë se shëndeti i qytetarëve të Veleist është më i rëndësishëm por ja deri më tani, dhjetor 2011, ska masa konkrete”, thotë Kociq.

Lepitkova vlerëson se shteti me vite nuk ka treguar kujdes për aspektet ekologjike por për të më të rëndësishme kanë qenë industrializimi dhe punësimi. Por sipas saj tani qasja ka ndryshuar.

Hungaria duket se është vend lider në botë për përforcimin institucional të vetëdijes ekologjike. Nga 2008 ka një komesar parlamentar që ka rolin e “Avokatit të Popullit për brezat e ardhshëm” me kompetenca të gjëra për të hetuar, ndërtuar politika dhe të promovojë.

Nëse Maqedonia do ta kishte një institucion të tillë mbase do të përfundonte ndryshe procesi gjyqësor që Velesi ngriti ndaj shtetit, të cilin në fund e humbi.


 

Fakte që ju bëjnë të mendoheni

SHBA: Vend i 5 % të popullsisë botërore por harxhon 25% të energjisë botërore dhe është përgjegjëse për 22% të emetimit të gazrave industrial.

Malejzi: Nga 1990 deri në 2005 rritja e prerjes së pyjeve është rritur 86%.

Itali: Nën rrezik janë 68% e kurrizorëve tokësor, 66% e zogjve, 64% e gjitarëve, 88% e peshqve në ujëra të ëmbël.

Argjentina: nga 1998 deri në 2006 janë prerë nga një hektar pyje për dy sekonda. 


AddThis Social Bookmark Button