Murale (kundër)kushtetuese tek porta Maqedonia?

Murale (kundër)kushtetuese tek porta Maqedonia? by DiversityMedia

Në Shkup objekti i ri i përuruar, që është pjesë e projektit “Shkupi 2014” po ngjall reagime me kontekst ligjor.

Objekti që quhet Porta “Maqedonia”, që i ngjan harkut të triumfit, ka murale të cilat interpretohet se shprehin pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje. Një gjë e tillë është kundër kushtetutës.

Por sa mundet një vepër që konsiderohet artistike të ketë probleme me ligjet?

Kryeministri Nikolla Gruevski mbajti fjalën gjatë përurimit të Portës Maqedonia. Objekt që ngjan me harkun e triumfit në Paris. Kjo portë ka 32 murale tek disa nga të cilat janë përpunuar siç thuhet momente historike me çka prezantohet Maqedonia me kufij më të mëdhenj se ato aktualët.

Ligjet vënë re kundërkushtetueshmëri, artistët nuk njohin ligje

Objekti që kushtoi 4.4 milion euro, është pjesë e projektit Shkupi 2014 dhe u ndërtua me paratë e buxhetit të shtetit. Ky moment e bën veprën që konsiderohet si artistike të marrë edhe kontekste politike për shkak të mesazheve që përcjell.

Një prej  tyre është edhe problematik ndaj ligjit, thotë profesori i të drejtës kushtetuese Osman Kadriu. Sipas tij Maqedonia një herë ndryshoi kushtetutën sepse përmendte territore jashtë kufijve aktual, tani ajo pretendon të njëjtën gjë, me një vepër në qendër të Shkupit, edhe pse artistike të porositur specifikisht nga shteti.

“Kjo vjen nga shteti, sepse shteti e ka lejuar. Ai projekt i tërë bëhet me leje të shtetit. Asnjë arkitekt, asnjë ndërmarrje që merret me ndërtimin e objekteve nuk mund të ndërtohen nëse pas tyre nuk rrinë qeveri, organet shtetërore. E tash nëse këtë simbole manifestohen në këtë objekte ato thyejnë dy amendamente të kushtetutës”, thotë Osman Kadriu.

Por a mundet një vepër artistike të sjellë pasoja ligjore?

Artistët e kundërshtojnë një gjë të tillë. Arti është mënyrë shprehjeje e cila nëse kufizohet, siç ka pasur raste në të kaluarën, atëherë kemi të bëjmë me cënimin e lirisë së fjalës dhe të mendimit.

Për piktorin Milosh Koxhoman artisti dhe arti nuk mund të shihen nga këndvështrimi ligjor, nëse realisht nuk shprehin fyerje ose bëjnë thirrje për krime, prandaj dhe ndodh që veprat shpesh të shkaktojnë reagime:

“Mund të thuhet se lira e krijimtarisë artistike nuk do të duhej të futej brenda kornizave ligjore. Nënkuptohet se vepra artistike duhet të ketë liri absolute shprehjeje por disa herë këto vepra mund ti pengojnë strukturave qeverisëse dhe të shpallen si të padëshiruara”, thotë piktori Koxhoman.

Vepra nuk reflekton lirinë e artistit

Por në rastin e Portës “Maqedonia” ne kemi situatën kur arti, vepra i pëlqen pushtetit. Madje është bërë sipas kritereve dhe shijeve të parapara prej me herët.

Por në rastin e Portës Maqedonia, bëhet fjalë për një vepër e “sponsorizuar” nga shteti.

Lulzim Haziri gazetar por edhe poet ngre pikërisht dyshime për këtë moment. Ai pyet sa janë këtë vepra të vlefshme realisht nga aspekti artistik, përtej mesazheve që përçojnë që sipas tij janë të diktuara të jenë patriotike, çka nuk kanë lënë të lirë artistët në kreativitetin e tyre:

“Njoh në historinë e artit vepra të tilla, që i kanë bërë artistët italian, francezë etj që kanë qenë të sponsorizuar nga shteti, por ata janë ngritur mbi atë që quhet sponsorizim dhe diçka që kërkohet paraprakisht. Me punën e tyre artistike ata janë ngritur mbi kërkesat e adresuara për të imponuar artin e tyre, si kapela siste skulptura të ndryshme që kanë vulën e artistit”, thotë Haziri.

Përgjegjësia tek porositësit 

Dilemat juridike rreth mesazheve të Portës Maqedonia ku ka harta problematike që tregojnë një Maqedoni që përfshin territore të Greqisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë vinë për shkak se shteti i paguan dhe i porosit këto vepra.

Sasho Kokalanov gazetar por dhe dramaturg thotë se disa herë vetë Kryeministri Nikolla Gruevski ka ndërhyrë me zgjidhjet e tij. Prandaj edhe ai vë në dyshim se sa në fakt një vepër e tillë me kërkesa mirë të paracaktuara mund të konsiderohet artistike? Por për reagimet politike që shkaktojnë këto vepra megjithatë përgjegjësinë e sheh tek porositësit:

“Mendoj se është e vështirë të përcaktohet se ku përfundon arti dhe fillon politika. Me pyetjen nëse ndonjë përmendore, portë ose godinë është e bukur ose jo mbaron diskutimi rreth artin, më tej të gjitha pyetjet e tjera nuk hyn në fushën e artit. Nuk duhet artin ta fusim në të tilla tema. Një artist me veprën e tij nuk mund të shkelë kushtetutën, por porositësi mundet. Juristët duhet ti analizojnë këtë aspekte. Nëse gjatë konkursit ka pasur kërkesa për murale të tilla atëherë mund të ketë punë për juristët”, thotë Kokallanov.

Shfaqje e bllokuar, libër i diskutueshëm, grafit provokues

Artistët dhe të gjithë që mbështesin lirinë e shprehjes bien dakord se nëse respektohet liria e fjalës, në këtë rast nëpërmjet artit, i cili shpesh di edhe të provokojë, madje rëndë, veprat artistike nuk do të duhet të kenë probleme me ligjin.

Ndërkohë ka pasur raste në histori, kur libra, shfaqje, filma edhe janë ndaluar për shkak të mesazheve ose provokimeve që kanë shkaktuar. Në Maqedoni gjithashtu ka raste vitet e fundit kur shfaqje teatrale janë ndaluar, libra të caktuar kanë sjellë reagime apo se fundmi reagoi edhe policia ndaj një grafit të Shqipërisë etnike.

Projekti Shkupi 2014, si i tillë solli shumë politizime, kjo si për kërkesat që objektet që do të ndërtohen të kishin stile të parapërcaktuara, përmendoret e figurave që nderohen edhe nga fqinjët, por dhe për sasinë e madhe të fondeve që po harxhohen. Vëzhguesit thonë se problematik është pikërisht dyshimi se përzgjedhja e veprave bëhet me diktat. Praktikisht ato përzgjidhen me komisione të ngritura nga institucionet që ndërtojnë objektet, dhe politika zhvishte nga përgjegjësia, duke thënë se njerëz kompetent kanë marrë vendimet, por është evident fakti se veprat që realizohen janë sipas shijeve dhe bindjeve që artikulojnë politikanët aktual në pushtet.  

AddThis Social Bookmark Button