Nju Jorku transparent i tregoi Maqedonisë së “mbyllur” për apartamentin e Kerimit

http://soundcloud.com/diversitymedia/dokumenti-alb

Pas lajmit të revistës Globus për ndonjë Sergjan Kerim që ka blerë apartament në një lagje të pasur të Nju Jorkut, u përpoqëm të zbulojmë se cilat informacione për pronat në Maqedoni, qytetarët mund ti gjejnë në internet.
Në shoqërinë që qeveria e përshkruan si e informatikës, kompjuterët kanë akses të kufizuar.
Atëherë a ka mundësi që në Maqedoni të merren informacione thelbësore dhe të përdorshme nëpërmjet interneti, ose vetëm duke paguar nëpër sportelet e institucioneve?

Për disa informacione duhen kohë dhe para

Vështirë se dikush në Maqedoni do të merrte vesh për apartamentin luksoz në Menheten të cilin e ka blerë personi me emrin D-r Sëgjan Kerim, nëse faqja e internetit të qytetit të Nju Jorkut nuk ishte transparente. Në pjesën për financat, shumë hapur mund të shihen shit-blerjet e pronave, ku qartësisht janë të dhëna informacionet për metrat katrorë, sa është blerë, kush është blerësi, madje dhe si është blerë, me para në dorë, kredi me hipotekë, personalisht ose me ndërmjetësues.  

Kështu për apartamentin në fjalë, i cili është blerë nëpërmjet agjentit, mund të shihet autorizimi i verifikuar në noter. Nëse në këtë faqe interneti vendosni emra tipik maqedonas Nikollovski ose Petrovski shfaqen disa marrëveshje shit-blerjeje për prona në zona më pak atraktive si Bronksi ose Kvinsi, të blera kryesisht me kredi ose hipotekë.  

Por kështu është në Nju Jork. Në Maqedoni informacionet për prona të caktuara kushtojnë kohë dhe thuajse gjithmonë para. Në agjencinë për Kadastër dhe Patundshmëri në Maqedoni pronat mund ti shikoni në hartat moderne topografike të vendosura në internet me teknologjinë 2D dhe 3D. Atje shihet prona me numër të caktuar. Duke klikuar numrin del edhe informacioni për pronarin.   

Në mënyre elektronike por edhe në sportele

Zëdhënësja e Agjencisë Valentina Hristova - Stefanovska thotë se nëpërmjet faqes së internetit së kadastrës mundësohet qasje e lehtë e të dhënave.   

“Kjo faqe interneti përfaqëson një sistem gjeografiko-informatik me të dhëna të Agjencisë për kadastër dhe patundshmëri e cila mundëson informacione dhe kërkime me bazë grafike të dhënash sipas numrit të pronave ose fletë pronësisë”, thotë ajo.

Kjo nënkupton se për të marrë vesh pronarin më parë pra duhet të kesh numrin e fletë pronësisë ose të pronës. Kjo është gjithçka që mund të bësh nga kompjuteri i shtëpisë. Nëse doni të merrni vesh nëse prona është e hipotekuar ose kush kanë qenë pronarët, duhet shkuar në sportel.

“Faqja G e të dhënave nuk mund të shihet në formë elektronike. Atë mund ta shohin vetëm përdoruesit e mëdhenj si bankat ose noterët të cilët kanë marrëveshje me agjencinë”, tregon zëdhënësja Hristova Stefanovska.   

Sipas çmimeve mund të shihet se për 100 kërkime paguhet 50 denarë, ose më pak se një euro. Institucionet paguajnë 400 denarë, ose rreth 7 euro nëse duan të shohin se kush kanë qenë pronarë të pronave.

Komuna “On line”

Sasho Ordanovski nga “Transparenca Maqedonia” thotë se kërkesat ose procedura të caktuara ua kanë ngadalësuar studimet, si ai i fundit për financimin e fushatave të partive politike.

“Në Maqedoni shumë të dhëna mund të merren pa pagesë, por për disa duhet paguar. Nëse doni të bëni ndonjë studim më të madh atëherë do t’ju duhen edhe fonde serioze. Përshtypja ime është se thuhet, kjo për shkak të propagandës të qeverisë, se jemi një shoqëri informatike, ku të dhënat mund të merren lehtë, në esencë kjo nuk është kështu”, thotë Ordanovski.  

Por në kadastër kryhet vetëm një pjesë e punës. Në fakt marrëveshja nuk mund të përfundojë pa komunat, ku evidentohet tatimi për pronën. Ata që duan ta dinë, këtë informacion nuk e gjejnë dot në Internet.    

Disa komuna, si Velesi për shembull, vendimet për tatimet i vendos në internet me një shifër, me anë të së cilës pasi hyni në faqen e internetit të komunës mund të shihet detyrimi. Në komunën e Prilepit e cila konsiderohet si më e përparuara në teknologjinë informatike, ky sistem pritet të vendoset së shpejti. Kështu thotë përfaqësuesi i komunës Davor Gligoroski.

“Kjo do të bëhet në fazën e ardhshme. Tani nuk kemi sistem elektronik, por përpiqemi që mbi 90 % të kërkesave ti përgjigjemi në formë të shkruar. Kur bëhen shitë-blerjeje është normale që të paguhen edhe tatimet, si nga blerësi ashtu edhe nga shitësi. Ne reagojmë menjëherë dhe japim vërtetime nëse është paguar ose jo tatimi”, shpjegon Glogoroski.  

Komuna e Prilepit e mori përgjegjësinë nga shteti që vetë të shesë tokë ndërtimore. Në internet tani mund të shihen vetëm njoftimet për ankande dhe çartifikatën e planit urbanistik.

“Qytetarët mbi të gjitha” është slogani i pushtetarëve aktual, të cilët qeverisin me rreth 90% të komunave. Por cilat janë qëllimet e qeverisë tu lejojë qytetarëve qasje të lirë të të dhënave të cilat i kanë institucionet e ndryshme, sipas standardeve ndërkombëtare?

(Jo)transparencë më të dhënat

Misha Popoviç i organizatës “Softueri i lirë” thotë se disa herë dokumente të caktuara nuk hapen dot për shkak të softuerëve që përdoren. Problem tjetër është se institucionet publikojnë të dhëna, të cilat siç thuhet, “nuk lexohen nga aparatet” të cilat do të mund të krahasohen ose analizohen.

 “Një pyetje është se sa transparent është një pushtet dhe pyetje tjetër është se në ç’format jepen këto të dhëna që të mundësojnë transparencë e cila mund të analizohet. Por kjo nuk është vetëm çështje transparence. Bëhet fjalë për të dhëna bazike, si ato të statistikave, të cilat publikohen në formë të papërpunuar. Këto të dhëna më pas i shohim në projekte si “Get Minder” të mbështetura nga Google, ku shfaqen prirjet botërore të statistikave. Këtë të dhëna sa vjen e më shumë sigurohen direkt nga pushtetet”, thotë Popoviç.

Sipas Ordanovskit nga Organizata “Transparenca Maqedonia”, vitet e fundit vihet re jo transparenca e pushtetit: 

“Ju nuk mund të merrni informacione më elementare, për shembull sa kushton projekti “Shkupi 2014”. Duhet të jeni ekspert i financave që të bëni spekulime dhe sërish të sillni përfundime të pasakta. Shteti nëpërmjet zyrës së tatimeve, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mekanizmave të tjerë të kontrollit të shohë se çfarë ndodh”, thotë Ordanovski.

Maqedonia nëpërmjet asaj që pushteti e quan shoqëri informatike krijon gjenerata që presin nga kompjuteri i tyre të marrin dokumente, të kontrollojnë ose të marrin të dhënat që iu duhen. Për ta shoqëria informatike është më shumë se sa “Lajmëro vrima” në internet.


Sa për krahasim

Në Zagreb në mënyre elektronike kontrollohet sa ujë ke harxhuar si dhe listat zgjedhore

Në faqen e internetit të Zagrebit veç asaj se çdo qytetar mund të shohë faturat, të kontrollojë sa ujë ka harxhuar, ose tatimet, mund të shohë edhe cilat banesa kanë dokumentacione të rregullta. Faqja mundëson verifikimin e pronësisë sipas fletë pronësisë, adresës ose emrit dhe mbiemrit, banesat që janë dhënë me qera, baza ligjore ose pronësia e tyre. Aty janë edhe hartat topografike si ato të Kadastrës së Maqedonisë. Në faqen e internetit mund të kontrollohen notat e nxënësve, arsim elektronik, akses tek të informacionet për dokumentet personale si dhe lista e zgjedhësve.  


AddThis Social Bookmark Button